Vizita e beftë e Scholz në Pekin “trondit” Europën, vjen paralajmërimi nga Macron
Pasi sakrifikoi lidhjet ekonomike me Rusinë, për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania përcjell mesazhin e qartë se; tregtia me ekonominë e dytë më të madhe në botë, Kinën, duhet të vazhdojë. Scholz u takua me liderin kinez Xi Jiping, të cilit i kërkoi lidhje ekomomike me barazi dhe reciprocitet. Ndërsa numri një i Pekinit, tha se dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në kohërat e trazuara dhe të ndryshimit që po përjeton bota.
“Është diçka e mirë që do të kemi shkëmbim intensiv pikëpamjesh lidhur me një numër çështjes, përfshirë mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik”, tha Scholz. “Situtata aktuale ndërkombëtare është komplekse, me rreziqe e sfida të paprecedenta. Kina dhe Gjermania, si dy vende të mëdha, me ndikim të konsiderueshëm, duhet të vijojnë bashkëpunimin dhe të kontribuojnë për paqen dhe zhvillimin global”, tha Xi Jingping.
“Ne aktualisht kemi mbi 5 mijë kompani gjermane që janë të pozicionuara dhe kanë investuar në Kinë, dhe mbi 50% e tyre kanë qenë në këtë treg për më gjatë se 15 vjet”, thotë Jens Hildebrandt, kryetar i Dhomës Tregtare të Gjermanisë në Kinë.
Debate të ashpra kanë shpërthyer brenda qeverisë gjermane, pasi u zbulua se një kompani kineze thuhet se do të blejë aksione të konsiderueshme në një pjesë të portit të Hamburgut. Të paktën 6 ministra reaguan me zemërim, duke pretenduar se kjo do të rrisë ndjeshëm ndikimin e Pekinit mbi infrastrukturën kritike gjermane. Edhe shërbimet e sigurisë në vend kanë bërë thirrje për kujdes, por kancelari gjerman duket i vendosur për të çuar përpara ujdinë.
Udhëtimi i Scholz në Kinë, i paralajmëruar, por jo i koordinuar me të tjerët në BE, ka tronditur mbarë Evropën. Presidenti francez, Emmanuel Macron, së fundmi paralajmëroi se kancelari gjerman rrezikonte të izolohej. Ai prej kohësh ka bërë presion që BE-ja të jetë më pak nën kontrollin e Kinës.