Vizitë solidariteti në Kiev
Të shtunën (23.08.) kancelarja Merkel do të demonstrojë në Kiev mbështetjen e saj për qeverinë ukrainase. Qeveria gjermane nuk lë asgjë pa provuar për të ndërmjetësuar në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.
Përgatitjet për ditën e festës kombëtare në Ukrainë do të jenë në kulmin e tyre kur kancelarja gjermane Angela Merkel të flasë të shtunën në Kiev me Presidentin Petro Poroshenko. Vetëm një ditë më vonë ukrainasit do të kujtojnë ditën kur fituan pavarësinë e tyre shtetërore. “Territori i Ukrainës është i pandashëm dhe i paprekshëm”, thuhet në deklaratën e pavarësisë të 24 gushtit 1991. Asokohe 90 për qind e banorëve të “Republikës sovjetike socialiste ukrainase” votuan pro shtetit të ri në një referendum.
23 vjet më parë ukrainasit do të përjetojnë ditën deri tani më të trishtuar të pavarësisë: në Krime që prej marsit valëvitet flamuri rus, përreth Donjeeckut dhe Luhanskut ushtria ukrainase lufton me të gjitha forcat kundër separatistëve rusë. Më shumë se 2000 vetë kanë humbur jetën në këtë konflikt sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara. Dhurata e kancelares Merkel në ditën e turbulluar të pavarësisë: mbështetje demonstrative për qeverinë ukrainase dhe premtimi që do të angazhohet edhe më tej për një zgjidhje politike të konfliktit me Rusinë.
Roli kyc i Gjermanisë
Në Kiev vlerësohen shumë përpjekjet e palodhura të qeverisë gjermane për të arritur një zgjidhje politike të konfliktit megjithë luftimet e pandërprera. Pasi BE nuk mund të luante më rolin si ndërmjetësues – për disa qendrimi me Rusinë ishte shumë i dobët dhe për të tjerë shumë i ashpër – Merkel dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier (SPD) janë forca kryesore e këtij procesi. Ata përdorin një përzierje negociatash dhe trysnie për të arritur një armëpushim të vazhdueshëm dhe një zgjidhje politike. Një ndërhyrje ushtarake apo livrime armësh Ukrainës nuk është megjithatë opsion për qeverinë gjermane.
Trysni ndaj Putinit
Merkel përpiqet veç kësaj të ndikojë tek presidenti rus Vladimit Putin të cilin e njeh prej kohësh dhe me të cilin mund të merret vesh pa përkthyes. Kancelarja përdor fjalë të qarta, Rusia përdor të drejtën e më të fortit kundër forcës së të drejtës – kështu e kritikoi Merkel aneksimin e Krimesë që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe theksoi: “Historia e përbashkët nuk është argument për pretendime territoriale ndaj një shteti sovran.”
Në dhjetëra telefonata dhe takime personale, si p.sh. në kuadër të Kampionatit Botëror të Futbollit, Merkel i bëri thirrje Putinit të përdorë influencën e tij mbi separatistët në Lindje të Ukrainës. Vazhdimisht ajo i ka tërhequr vëmendjen se integriteti i Ukrainës duhet respektuar dhe të mos dërgojë furnizime ushtarake për separatistët në kufi.
Bisedime dhe sanksione
Suksesi ka qenë deri tani modest, Putin vazhdon të jetë kokëfortë dhe i pallogaritshëm. “Asgjë e re në këtë numër”, i përshkroi një e përditshme e madhe gjermane telefonatat e pasuksesshme të kancelares me Putinin. Por sidoqoftë ajo fliste ende me të deri në goditjen tragjike të avionit civil të shoqërisë ajrore malajziane MH17 dhe sjelljen e padenjë të separatistëve me kufomat. Pas kësaj bisedat u ndërprenë përkohësisht. BE vendosi sanksione më të ashpra kundër Rusisë, të cilat qeveria gjermane i mbështeti megjithë disavantazhet për ekonominë gjermane. Mbështetja e Ukrainës, ndërmjetësimi i bisedimeve dhe mjeti i trysninë, sanksionet, janë elementët e strategjisë së Merkelit. Vetëm se rezultatet deri tani kanë qenë shumë prapa shpresave.
Vendnumëro diplomatik
Se sa e bllokuar është situata e dëshmoi edhe një herë takimi i fundit i ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës, i cili u ndërmjetësua nga ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier. Në bisedimet në Berlin në 17 gusht u diskutua sërish për një armëpushim dhe kontrollin e kufirit, për luftëtarët rusë, avionët ushtarake dhe armët që hyjnë në Ukrainë. Deri tani qeveria ukrainase nuk ka arritur t’i pengojë këto në zonat e separatistëve. Në dy kalime kufitare janë ditë e natë të pranishëm vëzhguesit e OSBE-së. Qeveria gjermane e konsideroi të arsyeshëm zgjerimin e vëzhgimit ndërkombëtar në kufi. Negociimi i kësaj me separatistët po rezulton shumë i vështirë, për më tepër që besimi mes palëve është më shumë se i dëmtuar.
Këtë herë pas takimit nuk pati marrëveshje me shkrim që mund të ishin kthyer shpejt në letër pa vlerë. Suksesi ishte vetë biseda pesëpalëshe, ishte konkluzioni i qeverisë gjermane. “Unë besoj dhe shpresoj që në pika të veçanta kemi arritur me siguri përparime”, komentoi ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier.
Pak më vonë u ra dakord për një bisedë të re shumë të rëndësishme: presidentët rusë dhe ukrainas do të takohen në 26 gusht në kryeqytetin bjellorus Minsk. Atje Petro Poroshenko do të udhëtojë me bindjen se tek Gjermania ka një mbështetëse të fortë në negociimin e një plani të mundshëm paqeje. Ministri i tij i Jashtëm Pavlo Klimkin ka folur edhe për një “Plan Merkel” në analogji me planin Marshall, pra ndihma financiare të Gjermanisë për Ukrainën. Kështu ai bëri të qartë se pritjet nga vizita e Merkelit në Kiev nuk kanë qenë ndonjëherë më të larta.