Kronika

Vjedhja e thesarit, 5 punonjës të BSH e nipi i Bitraj në pranga

E ndërsa skandali i vjedhjes së thesarit të Bankës së Shqipërisë në vlerën e 713 milionë lekëve të reja vazhdon, Policia e Shtetit ka arrestuar edhe 5 persona të tjerë mbrëmjen e sotme, të dyshuar si bashkëpunëtorë i dy të arrestuarve të mëparshëm Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, ndërsa është shpallur në kërkim edhe 1 person tjetër.

arrest

Mësohet se në pranga të policisë kanë rënë punonjësit e BSH Dhimitër Davidi me detyrë vëzhgues-operator, pranë departamentit të sigurimit dhe mbrojtjes, Myzejene Belba me detyrë specialiste e arkës stok(tranzit) dhe Lavdim Canaj me detyrë specialist i arkës stok(tranzit), Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, në BSH si dhe Liljana Tusha, me detyrë specialiste e arkës në veprim në BSH.

Po ashtu mbrëmjen e djeshme është arrestuar edhe edhe nipi i Ardian Bitrajt, Klevis Bejtaj, i akuzuar për “Moskallëzim krimi” pasi sipas të dhënave hetimore, rezulton se ai ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale, ndërsa nuk dihet ende identiteti i personit të shpallur në kërkim. Arrestimi i tyre, erdhi pasi Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar gjashtë urdhër arrestepër skandalin e vjedhjes së thesarit të BSH.

Sipas Prokurorisë së Tiranës ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre kanë krijuar mundësi për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në një ambjent të Bankës së Shqipërisë. Përmes një komunikatre për shtyp organi i akuzës shpjegon se në vijim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka krijuar bindjen se vjedhja, për të cilën janë arrestuar Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, erdhi edhe për faktin se punonjës të tjerë që kanë pasur detyrë për të rakorduar kartmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, nuk kanë kryer detyrën e tyre.

Shkelja e kryer prej këtyre punonjësve mësohet se u konstatua edhe nga vëzhgimi i pamjeve të kamerave të sigurisë që gjenden në ambjentin ku ka ndodhur vjedhja.

arrest1
(Në foto: Pamje nga momenti i arrestimeve në Drejtorinë e Policisë)

Më poshtë shkeljet e bëra nga secili punonjës i arrestuar:
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria ka rezultuar se janë bërë disa shkelje nga punonjësit e bankës, çka kanë kryer aktin criminal. Sipas Prokurorisë, detyra e punonjësve të arkës, në këtë rast Petrit Ramohitaj dhe Liljana Tusha në veprim është të rakordojnë çdo ditë gjendjen e sportelit të tyre dhe të koordinohen me kontrollorin mbikqyrës, por rezulton nga hetimi se ky rakordim nuk është kryer si duhet për një kohë të gjatë, çka ka sjellë vjedhjen e thesarit.

Po ashtu shkelje kanë bërë edhe punonjësit e arkës stok, në këtë rast Lavdim Canaj dhe Myzejene Belba puna e të cilëve është që të ndjekin lëvizjen e vlerave monetare nga sportelet tek magazinat, si edhe të kryejnë rakordime periodike. Prokuroria bën të ditur se për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, të cilët mbahen nga një çelës për tre punonjës (përgjegjësi, i cili ishte Ardian Bitraj dhe dy specialistë), ndërsa theksohet se këto tre çelësa janë mbajtur të gjithë nga Bitraj, i cili më pas ka kryer vjedhjen. Po ashtu, specialistët e arkës stok kanë pasur për detyrë që, në përfundim të ditës së punës, këto çelësa t’i vendosnin në një kasafortë, por që ky detyrim nuk është përmbushur dhe në kohë të ndryshme, këto çelësa janë mbajtur po nga Bitraj.

rajoni
(Në foto: Një prej të arrestuarve sot për vjedhjen e thesarit)

Ndërkohë nga ana tjetër hetimet kanë zbuluar se detyra e vëzhguesit-operator, në këtë rast Dhimitër Davidi është që të mbikqyrë kamerat e sigurisë dhe të raportojë për çdo anomali. Nga vëzhgimi I kamerave të sigurisë nga Prokuroria rezulton se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e Bitraj, i cili mbushte thasët plastikë me kartmonedha në magazinën e stokut dhe nuk e ka raportuar. Ardian Bitraj, pasi i merrte paratë me thashët plastikë, shkonte në tualetet e ndërtesës dhe paratë i fshihte në trup, poshtë rrobave.

 

Krahas të arrestuarve të sotshëm, për vjedhjen e thesarit janë arrestuar dy punonjësit Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, pasi auditi i bankës zbuloi dy skemat e vjedhjes, atë të kartmonedhave që i nënshtrohet procedurës së asgjësimit, si dhe për paratë e vjedhura nga kutitë siç importohen nga Zvicra dhe zëvendësimi i tyre me libra.

Ndërkaq në reagimin e parë publik guvernatori Ardian Fullani përjashtoi mundësitë e shkeljeve ligjore nga ana e Këshillit Mbikqyrës, duke u shprehur se problemi ka qëndruar tek personeli i Bankës, dhe çdo përgjegjës duhet të vihet para ligjit.

Me nisjen e hetimeve për këtë skandal, punonjës të tjerë të Bankës së Shqipërisë, dyshohet se ishin përfshirë në supervjedhjen e mbi 7 miliard lekëve të vjetra nga reparti sekret i koduar me shkronjën “X” në Linzë. Vjedhja ka ndodhur përgjatë 3 viteve 2011-2014 dhe gjatë kësaj kohe nuk është kryer asnjë audit për gjendjen fizike të parave në thesar por vetëm audite borderosh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button