Vllaznia, deklaratë për shtyp: Nuk kërkojmë privilegje, distancohemi nga çdo formë dhune
Klubi i Futbollit Vllaznia ka reaguar me një deklaratë për shtyp pas ndeshjes në “Elbasan Arena”. Kuqeblutë e nisin deklaratën e tyre me mosrespektimin e rregulloreve për të boshatisur tribunat në një ndeshje që luhej pa tifozë, me personat përgjegjës që nuk kishin marrë masat e duhura për organizimin e sfidës. Më pas me arbitrimin duke e cilësuar jashtë standarteve, ndërsa e kanë mbyllur me distancimin nga aktet e dhunës, fyerjet apo reagimi që bie ndesh me vlerat e sportit
DEKLARATË PËR SHTYP
Klubi i Futbollit Vllaznia, pas përfundimit të ndeshjes AF Elbasani – KF Vllaznia, zhvilluar sot në stadiumin “Elbasan Arena” dhe përfunduar me rezultatin 1–1, e konsideron të domosdoshme të bëjë publik shqetësimin e tij për disa episode dhe rrethana që ndikuan negativisht në klimën sportive dhe mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje.
Së pari, pavarësisht se ndeshja, në zbatim të vendimit të organeve disiplinore, duhej të zhvillohej pa praninë e spektatorëve, në tribunën VIP ishin të pranishëm persona të cilët, gjatë gjithë ndeshjes, fyen dhe provokuan vazhdimisht lojtarët dhe përfaqësuesit e KF Vllaznia.
Përballë kësaj situate, Klubi ynë konstatoi mungesën e reagimit të nevojshëm nga personat përgjegjës për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes. Një situatë e tillë është e papranueshme, veçanërisht në një takim që, sipas vendimit disiplinor, duhej të zhvillohej pa publik.
Së dyti, po aq shqetësues për KF Vllaznia është edhe standardi i arbitrimit të ndeshjes.
Në mënyrë të veçantë kërkojmë që të analizohet me seriozitet episodi i minutës së 34-t, kur, në momentin që Vllaznia kryesonte 1–0, lojtari i Elbasanit Abas kreu një ndërhyrje jashtëzakonisht të rëndë ndaj futbollistit tonë Mehmetaj.
Sipas vlerësimit të Klubit, ndërhyrja rrezikoi seriozisht shëndetin dhe karrierën e lojtarit tonë dhe, minimalisht, meritonte një shqyrtim të plotë përmes sistemit VAR. Mungesa e një reagimi proporcional ndaj një episodi të tillë ndikoi drejtpërdrejt në tensionin e krijuar në fushën e lojës dhe cenoi besimin e lojtarëve dhe stafit tonë ndaj standardit të arbitrimit.
Në këtë kontekst, edhe dy golat e anuluar të KF Vllaznia në minutat shtesë, përkatësisht në 90+2 dhe 90+6, e bëjnë edhe më të domosdoshme që të gjitha episodet vendimtare të kësaj ndeshjeje të shqyrtohen me profesionalizëm dhe transparencë të plotë nga strukturat përgjegjëse të arbitrimit.
KF Vllaznia nuk kërkon privilegje dhe nuk kërkon favorizim.
Kërkojmë vetëm atë që duhet t’i garantohet çdo klubi dhe çdo skuadre që hyn në fushën e lojës: gjykim të drejtë, standard të njëjtë për të gjithë, respektim rigoroz të rregullave dhe kushte që mbrojnë integritetin e garës.
Ne besojmë se episode të tilla, nëse nuk analizohen dhe adresohen me përgjegjësi nga institucionet përkatëse, dëmtojnë besimin te gara, cenojnë frymën e fair-play-t dhe krijojnë tensione që nuk i shërbejnë futbollit shqiptar.
KF Vllaznia do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri investimin, punën dhe interesat e Klubit, duke kërkuar me forcë respektimin e të drejtave tona vetëm në rrugë institucionale.
Në të njëjtën kohë, Klubi distancohet qartësisht nga çdo formë dhune, fyerjeje apo reagimi që bie ndesh me vlerat e sportit dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të futbollit të kontribuojnë për një garë të drejtë, të respektueshme dhe të denjë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.