Vlorë, gjendet i vdekur një person; shenjë plumbi në kokë
Trupi i pajetë i një të riu është dërguar mbrëmjen e djeshme në spitalin e qytetit të Vlorës.
Lajmin e bën të ditur Drejtoria lokale e Policisë përmes një njoftimi për shtyp, sipas të cilit trupi i viktimës ka mbërritur në spital rreth orës 20:30.
Fillimisht ai ishte gjetur i braktisur në fshatin Vranisht me shenjë plumbi në kokë, saktëson njoftimi.
Me të marrë sinjalizimin, forcat e policisë kanë nisur kryerjen e procedurave hetimore dhe kanë konstatuar se i riu, i moshës 20-25 vjeç, punonte si çoban në një stan në fshatin Mesaplik.
Duke zgjeruar hetimet, blutë e Vlorës kanë vënë në pranga pronarin e stanit, shtetasin Sheref Lelaj, 74 vjeç, ndërsa kanë shpallur në kërkim dy djemtë e tij, 46 dhe 34 vjeç.
Sipas njoftimit, policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për momentin është e fokusuar në dy pista: “vetëvrasje” dhe “vrasje nga pakujdesia”.