Vlorë/ Siguria dhe ushqimi, dy elementët që e tërheqin në Shqipëri turistin amerikan Chuck Nichols
Chuck Nichols, është administrator i një agjencie turistike me qendër në qytetin Moab, të shtetit Utah në SHBA.
Është i pasionuar pas natyrës, të cilën i pëlqen ta shijojë përmes lëvizjes me biçikletë. Këtë pasion të vetin, ai e ka reflektuar edhe në aktivitetin që ka zgjedhur të bëjë, përmes agjencisë së tij, “Nicholexpedition”, me të cilën organizon grupe turistësh në vende të ndryshme, si Itali, Francë, Spanjë, Turqi, Peru, Slloveni, Kroaci, Meksikë, Çeki, etj. Prej tre vjetësh, është i pranishëm edhe në Shqipëri.
Është viti i tretë rradhazi që ai vjen këtu, me grupe turistësh nga vendi i ti, të pasionuar pas natyrës dhe turizmit me biçikleta. Dhe, siç shprehet vetë, do të vazhdojë të vijë. Sepse i pëlqen Shqipëria, i pëlqen natyra, i pëlqen ushqimi, njerëzit.
E takova para pak ditësh, në një mjedis turistik natyror në zonën e Përmetit, teksa ai po drekonte me grupin prej 11 turistësh, pas një lëvizjeje me biçikleta prej 60 km. Madje, 20 minuta para këtij takimi, ishte ai që më orientoi drejt destinacionit, në një kryqëzim rrugësh.
Nën atë ndjesinë e këndshme që të krijon një drekë me ushqim të mirë natyror, ku përzihen bashkë mishi i kecit, qengjit, kukureci, supa, perimet e frutat dhe, sigurisht edhe vera vendase “pa hile”, u ulëm në një kënd të lokalit, ku veshët “na nanurisnin” nga rrjedhja e butë e ujit tek burimi aty pranë.
Nichols ndihet i çlodhur megjithë kilometrat që ka përshkuar me biçikletë. Kështu janë edhe bashkëatdhetarët e tij që nxitojnë ndërkohë, drejt burimit. Bashkëbisedimi me një gazetar, për të është një kënaqësi. Tregon për aktivitetin e tij, për agjencinë që drejton, për faktin që zbulimi i Shqipërisë dhe dimensionet e saj natyrore, turistike, ishte një gjë mjaft interesante. “Keni dy elementë që ju bëjnë tërheqës si vend në pikëpamjen turistike: sigurinë dhe ushqimin”, thekson ai. Nichols sqaron se, Shqipëria është një vend i sigurtë dhe ku mund të udhëtosh me biçikletë pa patur asnjë problem, apo shqetësim. “Shqipëria është një zbulim, një vend i ri për ne, amerikanët, sepse shumë prej nesh nuk e njihnim atë më parë” thotë ai. Prandaj dhe ajo që gjeti këtu, aidhe turistët që ka sjellë, i tërheq. I tërheq mjaft edhe ushqimi, që, për turistë të kësaj kategorie ka një rëndësi të veçantë. Menyja, ku kombinohen mjaft mirë mishi me perimet, është perfekte dhe një fakt i mjaftueshëm që, ata të ndihen mirë në udhëtimet e tyre me biçikletë në gjirin e natyrës.
Nuk e ndeshin këtë gjithkund ku shkojnë, në vende të tjera. Përshembull, në Itali, kjo nuk ndodh. “Në Itali konsumojmë mishin, por jo gjithmonë edhe perimet”, thotë Nichols. “Këtu ka një ushqim shumë të mirë, veçanërisht për ne që lëvizim me biçikletë. Ata që përdorin biçikletën, preferojnë një meny ku të gërshetohet mishi me perimet. Dhe kjo gjë këtu është mjaft e kombinuar. Po të bëj një krahasim me Italinë përshembull, atje gjejmë mishin por jo perimet, ashtu siç duam. Shqipëria ka një vlerë të balancuar ushqimore dhe kjo ju bën interesantë”, shprehet ai.
Dhe, kuptohet që, këtyre vlerave u shtohet edhe natyra, e cila, sipas Nichols është shumë e bukur.
Grupi, që ka sjell tashmë është i përbërë nga 11 persona, të cilët janë pjesë e një turi 8 ditor nëpër Shqipëri. Është grupi i parë për këtë vit në Shqipëri. Itinerari nis nga Tirana, për të vazhduar në Pogradec, mandej në Korçë. Një ditë më parë kaluan natën në një resort ku kultivohej trofta, mes Korçës dhe Përmetit. Pas Përmetit do të vazhdojnë në Gjirokastër, Sarandë dhe sërish kthim për në Tiranë.
Sipas tij, fakti që ai organizon grupe turistësh që i sjell në Shqipëri për të tretin vit rradhazi, është një gjë mjaft pozitive. Kjo tregon se njerëzve u pëlqen Shqipëria, u pëlqen të vijnë. Ndërkohë, ka ndodhur që në vende të tjera të panjohura më parë, kanë shkuar vetëm një herë sepse nuk u ka pëlqyer.
“Ne tashmë funksionojmë si një network, me agjenci dhe grupe në Slloveni, Kroaci etj. Bashkëpunojmë për të sjellë turistë në Shqipëri, apo vende të tjera në rajon. Vetëm këtë vit kemi bërë 25 grupe”, thotë Nichols, duke shtuar se, Shqipëria do të jetë edhe në vazhdimësi destinacion për turistët nga SHBA e vende të tjera.