Von der Leyen dhe Costa vlerësojnë armëpushimin SHBA-Iran
Zyrtarët e BE-së i janë bashkuar grupit të politikanëve që kanë mirëpritur armëpushimin midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“E mirëpres armëpushimin dyjavor që SHBA-ja dhe Irani ranë dakord mbrëmë. Ai sjell qetësimin e nevojshëm të tensioneve”, tha sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Falënderoj Pakistanin për ndërmjetësimin e tij”, shkroi ajo në X.
“Tani është thelbësore që të vazhdohet me negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme për këtë konflikt”, shtoi Von der Leyen.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u bëri thirrje të gjitha palëve të zbatojnë kushtet në mënyrë që të arrihet paqe e qëndrueshme në rajon.
“BE-ja është e gatshme të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme dhe mbetet në kontakt të ngushtë me partnerët e saj në rajon”, tha Costa në X, duke falënderuar Pakistanin për ndihmën e tij në lehtësimin e marrëveshjes.
Diplomatja më e lartë e bllokut, Kaja Kallas tha se armëpushimi ishte një hap prapa nga pragu i krizës pas disa javësh përshkallëzimi.
“Armëpushimi krijon një mundësi të nevojshme për të zbutur kërcënimet, për të ndaluar raketat, për të rinisur transportin detar dhe për të krijuar një hapësirë për diplomacinë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme”, shkroi Kallas.
“Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet sërish për kalim”, shtoi ajo.
“Dera e ndërmjetësimit duhet të mbetet e hapur, pasi shkaqet themelore të luftës mbeten të pazgjidhura”, paralajmëroi Kallas.
“BE-ja është e gatshme të mbështesë këto përpjekje dhe është në kontakt me partnerët në rajon”, tha ajo.
Kallas ka planifikuar të vizitojë sot Arabinë Saudite. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.