Votimi në parlamentin grek për masat e reja shtrënguese test i ri për Ciprasin
Tetë ditë pas votëbesimit për herë të dytë të qeverisë së majtë radikale të Aleksis Ciprasit, deputetët grekë janë thirrur sot për të votuar në lidhje me masat e reja shtrënguese të diktuara nga kreditorët për vijimin e marrjes së huave ndërkombëtare.
Ky votim që ka lidhje mbi projektligjin që sjell reduktime të mëtejshme të pensioneve dhe shtim të taksave perceptohet si një provë e parë për qeverinë e Ciprasit, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 20 shtatorit, gjatë të cilave SYRIZA erdhi sërish në pushtet për të dytën herë radhazi në tetë muaj.
Protesta të shumta janë parashikuar pasditen e sotme në qendër të Athinës, me thirrjen PAME-s, një lëvizje e afërt e partisë komuniste greke KKE.
Sindikata e nëpunësve civilë, ADEDY ka njoftuar gjithashtu një tubim para parlamentit.
Sindikata e hekurudhave OSE, në rrugën drejt privatizimit, njoftoi sot pezullimin e punës për dy orë në fillim të pasdites që do të ndikojë në disa pjesë lidhëse midis aeroportit ndërkombëtar të Athinës dhe qendrës së kryeqytetit.
Këto tubime janë të një përmase mjaft të ulët në krahasim me protestat masive dhe të dhunshme në kulmin e krizës greke mes vitit 2010 dhe 2012 në periudhën kur SYRIZA ishte në opozitë.
Projektligji përmban 27 faqe dhe 19 nene dhe është emërtuar “Masat për zbatimin e marrëveshjes në lidhje me objektivat buxhetore dhe reformat stukturore”.
Ai është vijim i kuadrit ligjor të miratuar në mesin e muajit gusht nga qeveria e mëparshme e Ciprasit, pas nënshkrimit të një kredie të re akorduar vendit.