Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit”, Prokuroria kërkon 35 vite burg për Vladimir Kolën
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 35 vite burg për shtetasin Vladimir Kola, i akuzuar për vrasjen me paramendim të shtetasit Briken Sana, ngjarje e ndodhur në zonën e “Kodrës së Diellit”. Sipas hetimeve, krimi dyshohet se është kryer për motive hakmarrjeje, pas një konflikti të mëparshëm me vëllain e viktimës.
Përveç autorit të dyshuar, organi i akuzës ka kërkuar edhe dënime me burg për katër persona të tjerë, të akuzuar për moskallëzim të krimit, përkrahje të autorit dhe veprime që pengojnë drejtësinë.
Konkretisht, për shtetasit Gj.K. dhe K.A. janë kërkuar përkatësisht 3 dhe 2 vite burg për moskallëzim krimi. Ndërsa për E.H. është kërkuar 5 vite burg për përkrahje të autorit dhe për Z.K. 2 vite burg për veprime që pengojnë drejtësinë.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet për procedimin penal të vitit 2022 ka rezultuar se Vladimir Kola ka kryer vrasjen e Briken Sana për hakmarrje, për shkak të një konflikti të hershëm me vëllain e viktimës, R.S.
Hetuesit kanë zbardhur gjithashtu veprimet që dyshohet se janë kryer për të fshehur gjurmët e krimit. Sipas akuzës, Vladimir Kola ka lëvizur disa herë përmes Malit të Zi dhe ka blerë automjetin e përdorur në ngjarje pa kryer procedurat noteriale.
Ndërkohë, Gj.K. dhe K.A. akuzohen se, megjithëse kishin dijeni për personin të cilit i kishin shitur automjetin pa kontratë, nuk kanë kallëzuar informacionin në organet ligjzbatuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.