Vuçiç: Nuk vendosim sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk mund të rrezikojë interesat kombëtare
“Ka bisedime për zgjedhje të anëve. Jo, ne e kemi anën tonë, interesat e Serbisë. Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s na bombarduan ne [më 1999] dhe vendosën sanksione ndaj nesh”, tha Vuçiq.
Takimi midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis. Beograd, 19 prill 2022.
Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë nisën pas dështimit të negociatave për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë. Bisedimet u mbajtën në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars të vitit 1999.
Bombardimet nisën për të parandaluar eksodin e popullsisë shqiptare në Kosovë, të cilët u përballën me terrorin e ushtrisë dhe forcave policore serbe. Shumica e anëtarëve të policisë dhe ushtrisë, por edhe udhëheqja shtetërore, përfshirë Sllobodan Millosheviçin që ishte president, më vonë u gjykuan në Hagë.
Vuçiç tha për Financial Times se Serbia do të vendosë sanksione ndaj kujtdo sepse udhëheqja e shtetit nuk beson se sanksionet do të ndryshonin diçka.
“Ju mund t’i bëni presion dhe ta detyronin Serbinë, por ky është mendimi ynë”, tha ai.
Ndërkaq, gjatë një konference për media më 21 prill, Vuçiç po ashtu e pranoi se Serbia po përballet me probleme dhe po paguan “çmim shumë të lartë”, pasi është shteti i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur masa kufizuese ndaj Rusisë.
Ai iu referua një draft-rezolute të Parlamentit Evropian, që u bën thirrje autoriteteve serbe të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus në Ukrainë, por edhe më herët ka thënë se nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Serbia që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Gjatë një vizite të tre senatorëve amerikanë në Beograd më 19 prill, Uashingtoni përsëriti thirrjet që Serbia të harmonizonte politikat e saj me të BE-së dhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë./REL