Vuçiç takohet me Ursula von der Leyen në Nju-Jork: Serbia do ta përshpejtojë rrugën drejt BE-së, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve
Presidenti serb i shprehu shefes së Komisionit Evropian mirënjohjen për mbështetjen e dhënë Serbisë, në një moment kur ajo ka shtyrë vizitën e planifikuar në Beograd për shkak të zgjedhjeve të tetorit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, raportoi media serbe Nova.rs.
Në një postim në Instagram pas takimit, Vuçiç i shprehu Von der Leyen-it mirënjohjen “për gjithçka që ajo kishte bërë për Serbinë në vitet e mëparshme”. “Besoj se Serbia, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, do ta përshpejtojë rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, shkroi presidenti serb.
Takimi vjen në një moment delikat, pasi Von der Leyen e anuloi vizitën në Beograd si pjesë e turneut të saj vjetor në Ballkanin Perëndimor. Turneu, i planifikuar për 30 shtator – 2 tetor, përfshin Tiranën, Prishtinën, Podgoricën dhe Shkupin, ndërsa Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë ajo do t’i vizitojë më vonë, për shkak të zgjedhjeve të tetorit në të dy vendet.
Më herët, Nova.rs raportoi se plani ishte që presidentja e KE-së të vizitonte Serbinë në tetor. Rreth 120 profesorë e studiues serbë i drejtuan asaj një letër të hapur përpara një vizite të mundshme, ndërsa Von der Leyen ishte shprehur se ishte “e tmerruar nga skenat e varrimit të Ratko Mlladiçit”.
Burimi: Nova.rs



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.