VV: Dekreti i Presidentes Osmani antikushtetues
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që është edhe kryetari i Vetëvendosjes në pushtet, tha se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja në Kosovë apo jo. Ai tha se dekreti i shpallur i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës është jokushtetues dhe se ka kohë 60 ditë për ta zgjedhur Presidentin në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
“Dekreti për shpërndarjen nuk është kushtetues, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, tha Kurti në një konferencë për media të premten pasdite (06.03) duke shtuar se dekreti i Presidentes Osmani, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
A do ta pranojë Gjykata Kushtetuese kërkesën e Vetëvendosjes?
Presidentja Vjosa Osmani, menjëherë pas shpalljes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit takoi udhëheqësit e partive politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, nuk mori pjesë në takimin me Osmanin.

Kurti tha se “afati 60 ditor për të zgjedhur presidentin ka nisur mbrëmë”, dhe sipas tij, “afati 30-ditor që presidenti të zgjidhet pa i mbaruar mandati presidentes aktuale flet për nisje të procesit, jo për mbyllje të tij.
“I kemi 60 ditë kohë të bëjmë zgjidhje e të mos kemi zgjedhje”. Tani për tani nuk dihet se a do ta pranojë si lëndë për shqyrtim Gjykata Kushtetuese kërkesën e Vetëvendosjes për masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes, apo sa mund të zgjasë nxjerrja e një vendimi eventual të Kushtetueses.
Reagimet e partive parlamentare
Pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza, tha se “asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president, përveç partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje”, duke e bërë atë përgjegjëse për situatën e krijuar.
“Ne e shprehëm qëndrimin tonë, ne e dimë që janë dërguar disa shkresa, se a do t’i trajtojë Gjykata Kushtetuese si të pranueshme apo të papranueshme, çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese ka qenë gjithmonë i respektuar dhe i zbatuar nga PDK-ja. Besoj që presidentja i ka analizuar mirë veprimet e veta, ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e veta”, tha Hamza.

Lidhja Demokratike e Kosovës, nga ana e saj e përshëndeti dekretin dhe qëndrimin e Presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, duke vlerësuar siç thuhet në reagim, “përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës”.
“Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”, shkroi kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku. Në këtë frymë ai thotë se merr pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Osmani mbron vendimin e saj për shpërndarjen e Kuvendit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dekretin me të cilin shpërndau Kuvendin e Kosovës e nxori vetëm disa orë pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë Presidenten/in e Kosovës. Sipas saj, “Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, tha Osmani në një konferencë për medie pasi shpalli dekretin. Sipas saj, datën e zgjedhjeve të reja parlamentare do ta shpallë pas konsultimeve me të gjitha partitë politike, por nuk tregoi se kur.
Reagimet e vendeve të QUINT-it
Për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, reaguan edhe disa ambasadorë të vendeve të QUINT-it.
Ambasada gjermane në Prishtinë tha në një reagim për mediat: “Gjermaniathekson rëndësinë e konstituimit të të gjitha institucioneve për rrugën integruese të Kosovës. “Gjermania vazhdon të jetë mike dhe partnere e fuqishme për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Për të arritur përparim në këtë rrugë, na duhen institucione plotësisht të konstituuara dhe të qëndrueshme në Kosovë”.
Edhe ambasada e Italisë shpreson për një “zgjidhje të shpejtë dhe konstruktive për çështjen e presidentit”. “Po i ndjekim me vëmendje të madhe zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe me disa shqetësime, veçanërisht dështimin për të zgjedhur presidentin e Republikës. Shpresojmë sinqerisht që të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe konstruktive, duke i lejuar vendit të ecë përtej ngërçit aktual dhe të rifokusohet në avancimin e reformave shumë të nevojshme dhe prioriteteve të përbashkëta”, thuhet në reagimin e ambasadës së Italisë.



