Wizz Air, ja sa do kushtojnë fluturimet nga Tirana në Budapest, shumë më të shtrenjta se nga Shkupi
Kompania low cost hungareze, Wizz Air, e cila pritet të fillojë fluturimet me Tiranën në prill të vitit të ardhshëm, ka publikuar në faqen e saj të internetit tarifat e biletave për të udhëtuar drejt Budapestit dhe anasjelltas.
Në ditën e parë kur fillojnë fluturimet, 5 prill, bileta e vajtjes ditën e mërkurë kushton duke filluar nga 39.99 euro dhe e kthimit të së dielës, më 9 prill, 49.99 euro, pra në total rreth 90 euro. Fluturimet do të jenë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të diel.
Ky është çmimi promocional për javën e parë, ndërsa në javët e mëpasshme, çmimi rritet, dhe kombinimet janë 59.99 euro vajtje dhe po aq kthimi (total rreth 120 euro), 49.99 euro dhe 59.99 euro (total 110 euro), 59.99 euro dhe 39.99 euro (total 100 euro). Orari i nisjes nga Tirana në Budapest të mërkurën dhe të dielën është 17:15 dhe i kthimit nga Budapesti në Tiranë, të mërkurën dhe të dielën në orën 15:10.
Gjatë muajit maj, një biletë vajtje-ardhje kushton minimumi 100 euro dhe maksimumi 120 euro dhe pas qershorit, bileta kushton minimumi 110-120 euro (59.99 vajtje dhe mund të gjesh 49.99 euro ardhje). Por, nëse planifikon që tani për të udhëtuar në tetorin e vitit të ardhshëm, mund të gjesh biletë me 60 euro vajtje-ardhje (29.99 euro një drejtim) në gjysmën e dytë të tetorit. Tetori është muaji i fundit kur Wizz ka planifikuar udhëtime me Tiranën.
Këto çmime janë pa bagazhe, që u shtohet dhe 21 euro për një rrugë (42 euro vajtje-ardhje si dhe nga 10 euro për një rrugë, nëse check-in bëhet në aeroport dhe jo online).
Nga Tirana është e mundur të pritet biletë direkt në faqen e internetit vetëm drejt Budapestit. Kush do të udhëtojë në Europë mund të tentojë vetë kombinime, po me Wizz Air, duke përdorur Budapestin si tranzit, por kombinimi i orareve është i vështirë.
Nga Shkupi me Wizz Air, shumë destinacione dhe disa fish më të lira
Wizz Air vepron prej kohësh në Aeroportin e Shkupit dhe ofron destinacione të shumta (Budapest, Barcelonë, Bazel, Berlin, Bratislavë, Kopenhagën, Dortmund, Hamburg, Londër, Milano, Paris, Stokholm, Venecia etj.).
Po në prill, për të udhëtuar nga Shkupi në Budapest një biletë vajtje-ardhje (e mërkurë – e diel) kushton rreth 54 euro (3298 dinarë). Në tetor mund të gjesh bileta vajtje-ardhje edhe me 40 euro.
Edhe në Shkup, Wizz Air operon përgjithësisht të mërkurave dhe të dielave. Për në Milano, po në prill, mund të gjesh një bileta vajtje-ardhje për rreth 81 euro (rreth 5 mijë dinarë).
Për në Barcelonë, nisja më 27 mars dhe kthimi më 31 mars, mund të gjesh bileta vajtje-ardhje për vetëm 54 euro (3298 dinarë). Për në Stokholm mund të presësh bileta vajtje-ardhje për 91 euro, në Londër 110 euro, për në Frankfurt 80 euro.
Nga viti 2012, qeveria maqedonase jep subvencione për fluturimet e transportuesit hungarez me kosto të ulët Wizz Air. Kjo ka ngjallur pakënaqësinë e operatorëve të tjerë ajrorë, disa prej të cilëve kanë ndërprerë udhëtimet nga Shkupi. Pak kohë më parë, përfaqësuesi i kompanisë austriake Austrian Airlines e akuzoi qeverinë e Shkupit se po nxit konkurrencën jo të ndershme në transportin ajror. Pas kompanive ajrore Swiss dhe Czech Airlines (me linjat nga Gjeneva dhe Praga), fluturimet drejt Shkupit i ndërpreu së fundmi edhe Alitalia. Arsyeja e këtyre largimeve ka të bëjë me shitjen e ulët të biletave tej parashikimeve. Kompania Alitalia para dy vjetësh e gjysmë nisi linjën e parë të rregullt ndërmjet dy kryeqyteteve. Me ndërprerjen e kësaj linje, Shkupi mbetet i lidhur me Italinë vetëm me Milanon dhe Venecian.
Komisioni Europian konfirmoi se në fillim të vitit ka nisur hetimet lidhur me politikën e subvencionimit.