(Y)mer Bali, … fotografi në flunë e rrekjes
Të dielën, me 16.04.2017, mbushen 50 vjet nga vdekja e fotografit të parë tironas. Shkëputur nga KOLANA – tironsit që i rrejti fati… – autori Besim Fusha, ka gati për botim librin përjetësinë dhe vlerat artistike të fotografit me plot medalje tersi… Në këtë promemorje po veçojmë pupthi ca fragmente edhe me anime të lehta në të folmen tironse… Ku, autori do që të mos preken.
Besim Fusha
…Kaq! Nuk më duhet tjetër. E gjeta…. dyqind e ca vjet më thellë…shkova. Tutje, përtej 1894-trës… Dhe, e gjeta… Ç’gjeta? – po cyteni të dini… Ja: më të thjeshtën e botës. Vakinë që i ndodh tanë të lindurve njerëz-mbase, pa shmangie. Një flirt… një përplasje flirti… – pat buluar dhe mbuluar. Një përqëndrim… një dyluftim përqëndrimi… Një pëlqesë… një pajtim pëlqesash… Një pagjumësi… me njëqindmijë e një andrrime syhapun… E, megjithatë: një afsh shpirti rreptësisht i zakontë, pa u ditun se në ç’rrugëtim të pazakontë u hodh guri i themelit… Një vaki që ecunia e solli pa hiç lajme deri në ditët e shek. XX-të. Që kapi edhe mendësinë dhe mundin e ditëve të mia… Asokohe pra: një djalosh plot guxim e la katundin dhe gjindjen përtej bregErzenit, dhe iku… Iku për të gjetun ndryshe… Iku me bindjen në vehte që të mos e dinte askush. Për të shmangur bujën e ikjes… i tha vetëm Ijes dhe Asaj… Me kujdesjen pra: veç për Ijen dhe veç Asaj… Se, se ç’qe Ajo… s’e dinte as Ija. Ia tha dy të shtrenjtave, pra, që nuk e njihnin sekretin e ikjes dhe as të fshehtën dashunore… Sidosesi, askush nuk do të dinte përse iku Ai… Juve po ua them:… djaloshi pat dëgjuar dikur të j’Atin që bëri fjalë për një vijë uji me babain e Asaj… Dhe, meqenëse inati mund të rizgjohej kur nuk duhej, djaloshi e ndau mendjen: përassesi nuk mund ta humte Ate… E mrenshmja më shtyn të shof ene nryshe – mendoi. Të shtunën mas Baromit, do t’hiki… – i tha Ijes. Ija ia njeshi hebet me ushqime: ca të thjeshta që mundi të sajoi… Ia njeshi hebet edhe me ca lecka… Rroba vere, Se, qe verë, mesqershori.
Pra: iku!…
Dhe eci, pushoi dhe eci… Eci deri sa u lodh. Dhe pushoi buzë mbramjes. Mbi jeshili, pushoi mbi barin e rritun, shtruar me ca fierishte… rrazë dhe përskaj zgjatimeve të ferrnajës me manaferra… Që qenë nxirë pa hiç pluhnajë… Në nja dy shtëpi përdhese matanë manaferrave s’dukej xhan-xhin… as gjel as pulë, s’nihej kakarisje… Paçka sesi, kuptoi se kishte hyrë në tokën që quhej qytet… ku nata tashmë kishte shtrirë tisin e territ. Nga qielli po zbrisnin ca xixime yjesh… Dhe, djaloshi e ndau mendjen: do ta kalonte natën aty… nën xiximin e yjeve dhe mëshirën e freskisë dhe andrrave…
***
Niu të dridhme në të zbardhun të ditës… U shtryq dhe u çua ndenjun – kambkryq… fërkoi dy gropat e syve me shpinën e gishtave, dhe ashtu, shikim mbyllun, dëgjoi një të folun:
– Kush je Ti, o rob Zoti?
– Rob Zoti… jam. Tamom e the. Hallexhi dinjoje… M’zuni halli ene yjet ke kjo ferrë manash… I Zot e di se ku do t’nrysem…
Dhe djaloshi tha se qe Balase… nga Balhaxhisi… Diku matonë Erzenit, Atje ku, sa shpërhapet drita, nis e sheshon hijen e mjesit Kalaja e Petrelës. I tha se hiku me nryshu… me shpresën e Zotit me gjet mo mirë…
-Menoje… ene, rri k’tu… po deshe. Toka qi shef ka hall, e do nji t’ri… Plaku s’o mo për hajër… Çou, ene hajde!… Gatitu ene me plakën teme… ene shofim… Avash-avash… Robt e mirë t’Zotit Madh, e kan me noj qoshe venin e hajrit…
Kështu foli burri i shtëpisë, matonë manaferrave. Matonë ferrnajës, gruja e shtëpisë, qe hone mo pritse… Qe zemër flori… Sikur Allahu, i njalli pri vërteti andrrën që përherë e shifte…
…ndërsa bulonte dhe hallakatej tjetër andërr në botëndjesinë e djaloshit. Pa hiç ngjasi. Një brengë dhe “uf”… gjoksi… Një tymnajë tmerri që, truni, sidosesi, ende s’e kishte formësuar në andërr pri vërteti… Një përjetim që të shndrrohej në përjetësi… dhe që donte haptas, poqese… edhe pikëçastin ma të mbramë të frymës njerëzore…
Dhe, guzhina trunore e fantazisë, e sajoi andrrën aty: nën çatinë e kasolles së qoshit të djathtë. Nën terrin e natës së pestë.
… qe tmerr… tmerr i madh. Nji lopë sa vetë Kodra… në “Kodrën e Telfit…” Pëlliste: MU… MUU!… –në kupë të qiellit… Pëlliste, sa vetë bubullima… Mbas çdo marrje fryme, pëlliste… Ankohej që nga gropa e vdekjes… për të ditun: përse e vranë (?!). Pa e ditun kush e vrau…? E gjora lopë, që kishte vërtitun në gropë kalamanin, pa faj, nuk e dinte ç’bëri… Nuk e dinte sesi kishte saju nji varr para të vetit…
-Përse ma vrave evlatin…përse?…evlatin e vetëm, hala kalama… Përse ma more?!…. – thonte burri, me ç’fuqi i kishte ngelun… Qe në frymën e fundit ene burri që kërkonte evlatin… Se, i zuni pritë pronari i lopës… Ene shtiu drejt e në curk të gjakut… Ene, plasi keqas… Fisni idhtarësh u gdhinë barbarë… “Kodrën e Telfit” e pushtoi njerëzia, plot mëri… burra, gra, fëmijë… me hunj e thika… me nagaçe e supata… me pushkë e topa… Plot mllef… Ene, “Kodra e Telfit…” – u mbush me frymë të ngrira. Të ngrime edhe në ajri.
Dhe, në mjegullnajë të frymëve… përtej, në vijëhorizontin, e “Kodrës së Telfit…” – u njall figura e Asaj… Afrohej e zmadhohej, ene… po vinte me Ijen për dore… Me Ijen zgërlaq… që, e rraskapitun, rrekej të thonte: “Ku je bir”?… Ku je ?!…” – “Ku je, shpirt ?!… – bubulliu ene Ajo ngjitun me jehonën e Ijes… Dhe, Ajo … hapi krahët sa kodrina… u përplas flurthi të më pushtonte … ene, prap thirri në kupë të qillit: -“Shpirt!… Ku je shpirt?!…
***
-Hika! – ju tha bamirësve… –seç ka bo vaki, nji Zot e di… Do t’hiki se s’bon… ene, do t’vi prap… Dhe tundi dorën, kapërceu në bregun tjetër të Prroit të Pal-Poçes… Dhe, iku…
***
Kaq! Nuk më duhet të gjurmoj kohëve më tutje. Në vitet hone të hikme: 1641, 1644… 1656… –një burrë i mençun, Mark Skura, paska shkelun pëllëmbë e këmbë tokën përrotull mesit shqiptar, për të kërkuar Kishat e rëmuara dhe gjithë besnikët (që) kishin lëshuar fenë dhe ishin bërë turq, qysh pesëdhjetë vjet e këndej… Pra: Imz. Mark Skura, arqipeshkëv i Durrësit, përrotull mesit të shek. XVII, kohëvizitave në arqidioqezën e tij dhe dioqeza të tjera sufragane (?) të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, mbushi goxha Relacione për gjendjen… drejtuar Kongr. Porp. Fide… ku diçka, qoftë edhe kalimthi… thuhet edhe për hatallahtarën … e “Kodrës së Telfit”. Po ashtu: Dom Mark Dushi (1920-1968) fatkeqi i mençun, që u pushkatua nga komunizmi – mblodhi në kohëgjatë, toponime… në gjurmë të ish Kishave në “rrethinat e Tiranës…” Për “Kodrën e Telfit…” – Dom Dushi, thotë :… aty dikur ishte një fshat. Thuhet se janë vrarë për një lopë. Kjo lopë kishte vrarë një kalama. Pastaj i ati i fëmijës vret lopën, e kështu hyn grindja e vriten të gjithë…
***
Jo vetëm ç’u shkrua… Dua t’i besoj fort edhe të vërtetës se gjyshi, BabaBal, i kishte thënë e i thonte nipit vocrak se, në Xhaminë Bali, vinin e luteshin për mirësi, tanë shpirtnat e pësuem në Tefël… (Tefël – i tha ene Xim Huta – Kur ma kallxoi ç’i kishte thonë Meri. Macahere, Bababali e mbante Merin piçiruk si keç ase kone të bindun përanash brekusheve – i thonte se: … po të ninte patere natën matonë murit…, të mos tremej… se, xhamia e Balëve përni o nërtu… Me rehatu shpirtnat e çunave qi sakatoi Lopa budallaqe… E, Bababali, nuk falej kurrë në Xhaminë e vet pa u lutun për ca shpirtna që këlthisnin hala në Kodrën e Tefit… Se, Zoti, po t’i lutesh, ta ruan dhe ta shtyn në ecuni një pinjoll të trungut, për të jetësuar vijimësinë e genit. Nuk e dimë nëse vakiste tamam kështu edhe para Bababalit. Madje, nuk e dimë se në ç’kohësi qe themeluar Xhamia e fisnisë… Diçka e disi, sado, e kërkova edhe në shkresurinat osmanisht, por nuk e gjeta. E gjeta në shqip. Xhamia Bali, radhohet në rregjistrin shqip të Hipotekës së Tiranës me dt. 20.03.1919. Me përanash në fillim: nr. 267. E di prej kohësh këtë. Nuk besoj të jetë fshirë ase të ketë humbun pluhnajave… – në këtë kohë çudirash shqiptare… Se, fizikisht, e di mirë edhe këte… u shkri e fshi fundsisht – me qerpiça a tulla… në vitin e shembjeve 1967. Macahere pra, Xhamia Bali, u bë rrafsh e zero aty ku pat lindun, honekur… Aty ku shërbyen gjysh e stërgjysha të (Y)Mer Balit. Ku u lutën për vete dhe shpirtrat e sakatuem të Tefjanëve… Aty ku u lutën të përzenin mëkatet ase të lehtësonin shpirtnat, tanë gjindja e besimtarëve të Tabakhones. Dhe, ndodhi pra… u bë rrafsh… u tha dhe u shkrua, jetësi e re… kur pat sosun hataja… për fe, fetarë, kisha e xhami. 1967 – qe fundi i fundeve edhe për (Y)Merin. Qe fundi edhe i lotëve të jetës… Të djelën, më 16.04.1967, (Y)Mer Bali nuk e pa ndritimin. Gdhiu hiç në errësinën e përhershme… Humbi frymë e shpirt… humbi ç’pati: shtëpi, xhami e pronësi. Humbi katandi e vlera…
Edhe fototeka dhe foto ç’qenë u lanë në mëshirën e hiçit… U përzi ç’pati në gropën e gëlqeres dhe dheun e lagësht të tjetërsimit. Puntorët e Komunales që bënë hatanë, hikën edhe ata mbas (Y)Merit, pa e ditun përmasën e hatasë…
***
Se, (Y)Mer Bali, mbas fëminisë, qe shkollaresk i Ushtrisë… Dhe, mbas zhgënjimit: shkollëtar dhe praktikant i fotografisë… Atje në Vjenën e Austrisë kështu, për të dyja. Atje u mësua… Për t’u plotsuar rinor i mbarë. Dhe, i mëshoi shtruar së pari, atje dhe këtu, vetëm për të dytën: fotograf. Fotograf në Vjenë dhe Tiranë. Tironsi i parë fotograf… Që nisi të bënte fotografi të dyta… Se pamjet e para, për Tiranën dhe jo vetëm, i patën bërë austriakët. Siç bëri (Y)Meri të parat imazhe, atje në Austri, ndonse nuk duhen krahasuar… Kështu mbasLufta e Parë Botërore solli edhe shtrimin dhe shtimin e parë fotografik në Tiranë. Me lëvizje dhe jetësi ndryshe… me grupime dhe mitingje për Shqipëri… Për Shqipni dhe Tironë. Nga i pari fotograf tironas (Y)Mer Bali. Ish nipi adoleshent i gjyshit dashamir dhe adoleshenti i medresesë në Xhaminë e Vjetër – kështu. Që, tashmë, qe rinuar tjerasoj… Ndryshe nga ç’i mësonin dikur, se: s’duhet ta sajonte basuretin e robit… sepse, gjinof, do t’i jepte shpirt m’ate dinjo…
Sidosesi…
… tani në fund, ajo që qe fituar dhe grupuar me kujdesje dhe pasion, sosi në zgrip të rrokullimës. Qensia e këtij të vdekshmi qe gatuar dhe ende vazhdonte pashmangshëm nën trysninë e vullnetit të fatit. Qe fati që pat shmangur dhe po shtynte dhunshëm forcën e dashjes… Qe produkti i dukshëm dhe rrekja për vlerën e arritun. Që humbi… Që (Y)Meri nuk e mësoi kurrë se ç’mbeti. Dhe, ç’humbi…(?!) Kur mundi dhe rrekja nisi të tretej në flunë e rrejtjes… Ajo që mbeti, nuk ta jep mundësinë e një vlerësimi për çka qe në të vërtetë (Y)Meri. U desh edhe thellina… edhe mundi… edhe intuita… për të duk shkallinën e vlerës reale të artit të (Y)Mer Balit… Grymë në kohëpërgjatë edhe sirtarët e familjeve tironse… dhe sosëm në çka shihni. Në çka po shtrohemi ta gjykojmë dhe vlerësojmë së bashku (Y)Mer Balin e tironsve të mirë.