⛈️
Tiranë 14°C · Stuhi 26 Nëntor 2026
S&P 500 7,183 ▼0.25%
DOW 50,183 ▲0.33%
NASDAQ 23,586 ▼0.62%
NAFTA 84.91 ▲1.47%
ARI 3,593 ▲0.81%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0964 EUR/GBP 0.8371 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 89.9090 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6405 EUR/TRY 55.6265 EUR/JPY 174.52 EUR/CAD 1.5600 EUR/USD 1.0964 EUR/GBP 0.8371 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 89.9090 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6405 EUR/TRY 55.6265 EUR/JPY 174.52 EUR/CAD 1.5600
₿ CRYPTO
BTC $60,747 ▲ +1.25% ETH $1,705 ▲ +1.24% XRP $0.9524 ▲ +1.35% SOL $71.3300 ▲ +1.28%
S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 84.91 ▲1.47 % ARI 3,593 ▲0.81 % S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 84.91 ▲1.47 % ARI 3,593 ▲0.81 %
EUR/USD 1.0964 EUR/GBP 0.8371 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 89.9090 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6405 EUR/TRY 55.6265 EUR/JPY 174.52 EUR/CAD 1.5600 EUR/USD 1.0964 EUR/GBP 0.8371 EUR/CHF 0.9116 EUR/ALL 89.9090 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6405 EUR/TRY 55.6265 EUR/JPY 174.52 EUR/CAD 1.5600
26 Nën 2026
Breaking
Opinion

Z. Gëllçi, historia e Shqipërisë nuk është pronë e Kinostudios “Shqipëria e re”!

Pse jam dakord me reagimin e Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastasit!

Nga NEVRUS NAZARKO

Lexova me vëmendje shkrimin e Thoma Gëllçit, me titull “Kjo është histori e Shqipërisë, jo Kinematografi e Realizmit Socialist!”, në përgjigje të reagimit të Mitropolitit të Korçës ndaj Taulant Ballës.
Me gjithë respektin për faktet historike që rendit autori, besoj se ai i përgjigjet një teze që Mitropoliti nuk e ka ngritur.
Ku e mohoi Mitropoliti çkishërimin e Petro Nini Luarasit? Ku e mohoi vrasjen e Papa Kristo Negovanit? Ku e mohoi përndjekjen e klerikëve shqiptarë apo sakrificat e tyre për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare?
Të kundërshtosh interpretimin komunist të historisë nuk do të thotë të mohosh historinë.
Një fakt historik i vërtetë nuk e bën automatikisht të vërtetë të gjithë narrativën ideologjike të ndërtuar mbi të.
Kinematografia e realizmit socialist nuk kishte vetëm funksion artistik. Ajo shërbente edhe si instrument i edukimit ideologjik të shoqërisë. Personazhet, dialogët, konfliktet dhe mënyra e paraqitjes së institucioneve fetare duhen parë edhe në këtë kontekst.
Pikërisht këtë dallim shoh në reagimin e Mitropolitit dhe pikërisht këtë dallim nuk e trajton sa duhet z. Gëllçi.
Ka madje një paradoks në argumentimin e tij. Për të dëshmuar padrejtësitë ndaj shqiptarëve ortodoksë, ai rendit emrat e dhjetëra klerikëve ortodoksë patriotë. Por a nuk është vetë kjo dëshmi se ortodoksia dhe patriotizmi shqiptar nuk kanë qenë në kundërshtim me njëri-tjetrin?
Fan Noli, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani dhe shumë të tjerë nuk ishin patriotë pavarësisht se ishin klerikë. Ata ishin njëkohësisht klerikë dhe patriotë. Besimi në Zot dhe dashuria për atdheun bashkëjetonin në veprimtarinë e tyre.
Prandaj, duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet përgjegjësisë historike të përfaqësuesve të caktuar të hierarkisë kishtare greke dhe dinjitetit të klerit ortodoks si institucion.
Asnjë padrejtësi historike nuk duhet fshehur. Por asnjë padrejtësi historike nuk duhet përdorur për të justifikuar paragjykime kolektive.
Është gjithashtu paradoksale që të nderojmë sakrificat e klerikëve ortodoksë nëpërmjet produkteve kinematografike të një regjimi që përndoqi klerin, shkatërroi institucionet fetare dhe ua mohoi shqiptarëve lirinë e besimit.
Si mund ta anashkalojmë këtë kontradiktë?
Nëse duam të nderojmë Petro Nini Luarasin, le të lexojmë veprat e tij. Nëse duam të nderojmë Fan Nolin, le të studiojmë trashëgiminë e tij. Nëse duam të kuptojmë historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, le t’u drejtohemi dokumenteve, arkivave dhe studimeve historike por kinostudioja nuk mund të zëvendësojë historiografinë.
Per me teper ka edhe një dimension tjetër të reagimit të Mitropolitit, të cilin e konsideroj po aq të rëndësishëm, lidhjen ndërmjet patriotizmit dhe realitetit të sotëm shqiptar.
Z. Gëllçi shprehet se pajtohet me shqetësimin e Mitropolitit për shpopullimin e vendit, por shton se kjo është një çështje tjetër por unë nuk e shoh si një çështje tjetër.
Çfarë kuptimi ka të kremtojmë sakrificat e atyre që luftuan për gjuhën shqipe, nëse nuk shqetësohemi njëkohësisht për të ardhmen e brezave që do ta flasin atë gjuhë?
Çfarë kuptimi ka të kujtojmë me krenari hapjen e shkollave të para shqipe, pa reflektuar për pasojat që ka emigrimi mbi shkollat dhe komunitetet shqiptare?
Patriotizmi nuk është vetëm kujtesë historike. Ai është edhe përgjegjësi ndaj së tashmes dhe së ardhmes.
Mitropoliti, si çdo qytetar i këtij vendi, ka të drejtë ta ngrejë këtë shqetësim. Ndarja e Kishës nga shteti nuk nënkupton heshtjen e Kishës përballë problemeve të shoqërisë.
Në fund të fundit, askush nuk na kërkon të zgjedhim ndërmjet nderimit të Petro Nini Luarasit dhe respektimit të Mitropolitit të Korçës. As ndërmjet Fan Nolit dhe kryepeshkopit të ndjerë Anastas.
Historia jonë është mjaftueshëm e pasur për t’i nderuar të gjithë ata që i kanë shërbyer kombit, pa fshehur padrejtësitë dhe pa trashëguar paragjykimet ideologjike të së kaluarës.
Për këtë arsye jam dakord me Mitropolitin e Korçës. Jo sepse historia duhet rishkruar për të mbrojtur Kishën, por sepse historia duhet çliruar nga interpretimet që i janë imponuar për qëllime ideologjike.

Shqipëria nuk ka nevojë as për amnezi historike, as për nostalgji ideologjike. Ajo ka nevojë për të vërtetën historike, në të gjithë kompleksitetin e saj.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.