MaqedoniaRajoni

Zaev: Kërkesat e VMRO-DPMNE-së janë absolutisht të papranueshme

Kërkesa e VMRO-DPMNE-së për qeveri teknike me mandat prej 100 ditësh sipas modelit të Përzhinës, për Prokuror publik dhe Komision anketues parlamentar për referendumin janë absolutisht të papranueshme, deklaroi sot në Ohër, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

“As që ka shkak, as edhe ka nevojë të diskutohet për kësi pune. Vetë institucionet dhanë komentet e veta. Të kërkohet komision i cili do ta verifikojë nëse referendumi ka qenë ligjor, nëse ka pasur ligjshmëri në zbatimin apo tjera në kushte kur kryetari i KSHZ-së është nga VMRO-DPMNE, si dhe Gjykata administrative e cila nuk ka ndërruar asnjë anëtar, vetvetiu tregon se çka dëshirohet me kësi kërkesa”, tha Zaevi.

Ai ka paralajmëruar se mbetet në qëndrimin që ditët në vijim të bisedohet me deputetë në Kuvend që siç tha “në atmosferë të këndshme, normale dhe të përgjegjshme”.

“Besojmë se do të kemi ndonjë rezultat deri në fund të javës apo fillim të javës. Diku rreth 10 tetorit është një target që duhet t’ia paraqesim publikut se cilët janë hapat e ardhshëm. Shpresoj se do të kemi mundësi të kumtojmë se është siguruar dy të tretat e shumicës”, tha Zaevi.

Kjo sipas tij, do të jetë mirë për shtetin pasi Maqedonia nuk do të humb muaj të panevojshëm, por ka shtuar se mbetet e hapur mundësia që e gjithë kjo situatë të zgjidhet përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, që siç tha, “nuk i dëshiron”.

Ka thënë se dëshiron të përfundojë mandatin aktual para së gjithash për të mirën e ekonomisë së vendit, reformat dhe proceset rrjedhëse.

I pyetur nëse do të flasë me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, kryeministri Zaevi tha se nuk ka se çka të bisedojë me të.

“Në të kaluarën dhamë kartë të bardhë për qeveri teknike. I pranuam kërkesat për financimin e partive politike, e formuam KSHZ-në me kryetar të VMRO-DPMNE-së. Për kthim as dëshiruan të bisedojnë për ndonjë mënyrë për mbështetje të suksesshme të proceseve që janë të rëndësishme për Maqedoninë”, theksoi kryeministri.

Në kontekst të kësaj, Zaevi shtoi se nëse tenton çfarëdo qoftë, me të më shumë largohen njëri me tjetrin në qëndrimet dhe nuk do të arrihet në zgjidhje.

“Ajo është punë e deputetëve. Ata duhet të bisedojnë. Unë mbajta dy mbledhje me koordinatorin e grupit parlamentar, me zëvendës koordinatorët, me shumë deputetë tanë, të cilët në nivel kolegjial do të bisedojnë. Do të shihem edhe unë personalisht me disa deputetë që të arrijmë qëllimin që Maqedonia përfundimisht të vërtetojë këtë shans të papërsëritshëm të integrimit në NATO dhe BE”, deklaroi Zaevi.

I pyetur nëse ka rrezik opozita të bojkotojë zgjedhjet nëse nuk plotësohen kushtet e tyre, Zaevi tha se nuk beson në atë mundësi pasi siç tha, “ai proces është rrumbullakuar kur ka qenë takimi i liderëve me pranimin e Qeverisë teknike të Përzhinës dhe me të absolutisht është rrumbullakuar ai proces”.

“Çdoherë, çdoherë mund të sajohen përralla të reja nëse dikush tenton të eskivojë proces, por t’i përmbahemi asaj që është strategji tani, ajo që është më e drejtë për shtetin, të tentojmë së pari me deputetët, nëse jo, atëherë do t’i hapim këto debate për pjesëmarrje të të gjithëve në zgjedhje”, tha Zaevi në Ohër ku po merr pjesë në konferencën shkencore për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Maqedonisë që e organizon ASHAM.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button