Zbardhen tre rregullat për “arrestin me burg”, çfarë ndryshoi Gjykata e Lartë në praktikën ligjore
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë përcaktuar tre rregullat kryesore lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”, duke ndryshuar praktikën e
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë përcaktuar tre rregullat kryesore lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”, duke ndryshuar praktikën e deritanishme gjyqësore dhe duke forcuar standardet e arsyetimit për kufizimin e lirisë personale.
Së pari, gjykata thekson se formulimi i mëparshëm, sipas të cilit mjaftonte të thuhej se “arresti në burg” është masa e përshtatshme pa analizuar realisht masat alternative, nuk është në përputhje me nenet 228–230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kuadër, gjykatat janë të detyruara të shqyrtojnë konkretisht masat më pak kufizuese dhe të arsyetojnë shprehimisht pse ato nuk janë të mjaftueshme, me një argumentim të individualizuar dhe të lidhur drejtpërdrejt me rrethanat e çështjes.
Së dyti, Kolegjet e Bashkuara sqarojnë se masa “arrest në burg” ka karakter përjashtimor dhe mund të aplikohet vetëm kur masat e tjera rezultojnë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës apo e autorit nuk mund të bazohet vetëm në natyrën e veprës penale apo në masën e dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, si dhe të dhënave personale, familjare dhe sjelljes së personit.
Së treti, vendimi përcakton se barra e justifikimit për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë në mënyrë të pavarur këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja nuk mund të kushtëzohet nga mungesa e provave nga i pandehuri, por duhet të bazohet në një analizë aktive gjyqësore.
Në tërësi, ky vendim synon të forcojë standardin e arsyetimit gjyqësor, duke e konfirmuar “arrestin në burg” si masë përjashtimore dhe duke kërkuar një kontroll më të thelluar, konkret dhe proporcional përpara kufizimit të lirisë personale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.