Ekonomia

Zbardhet udhëzimi/ Dy ministrat e PD-së rrisin tarifat e përmbarimit

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave miratojnë tarifat e reja përmbarimore, shtetërore dhe private.

Miratimi i udhëzimeve të reja ishte i detyrueshëm nga ndryshimet e reja që i janë bërë ligjeve të përmbarimit shtetëror dhe privat.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, tarifat e reja pritet të nxisin ekzekutimin vullnetar të detyrimeve, duke zeruar në këtë mënyrë kostot për ekzekutimin e titujve ekzekutiv për qytetarët dhe bizneset.
Udhëzimet e reja kanë zgjeruar kategorinë e personave që përjashtohen nga pagesa e tarifës përmbarimore.

Zbatimi i udhëzimeve të reja do të shoqërohen me një kontroll të rreptë të punës së përmbaruesve gjyqësorë.

“Për të mbrojtur interesat e qytetarëve Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë miratuar udhëzimet e reja për tarifat përmbarimore, bazuar në ndryshimet me konsensus që i janë bërë Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit për përmbarimin gjyqësor privat dhe shtetëror në fund të vitit 2016. Miratimi i këtyre udhëzimeve ishte i detyrueshëm, për shkak të afateve që parashikonte ligji (1 muaj nga hyrja në fuqi e tij) dhe nevojës për të zbatuar rregullat e reja të tarifimit që parashikonin ndryshimet konsensuale në ligj. Udhëzimet në fjalë kanë qenë një praktikë e mbartur në Ministrinë e Drejtësisë/Ministrinë e Financave dhe i janë nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi, duke filluar nga muaji Janar 2017 e në vijim. Këto udhëzime janë nënshkruar për herë të parë në versionin e miratuar, nga Ministri i Drejtësisë më datë 13 prill 2017. Krahasuar me tarifat e përcaktuara në vitin 2009, nga 9 nivele tarifimi, tre prej tyre kanë mbetur të pandryshuara apo janë ulur; 5 tarifa kanë pësuar rritje dhe 1 tarifë është reduktuar në vlerë kufiri”, deklaron Ministria e Drejtësisë.

Përcaktimi i nivelit të tarifave në Udhëzimin e ri, është bërë duke marrë në konsideratë ndryshimin e çmimeve të konsumit, të prodhimit apo të importit dhe janë kushtëzuar nga indeksimi i çmimeve të çdo elementi jetësor nga vitit 2009 deri më sot, si dhe janë përcaktuar duke mbajtur në konsideratë tarifat që përdorin edhe profesione të tjera të lira (Noteria).

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave, në përcaktimin e nivelit të tarifave, ka kryer një analizë të plotë dhe të detajuar financiare dhe profesionale të punës që kryen përmbaruesi, duke marrë në konsideratë elementët që parashikojnë ndryshimet që i janë bërë ligjit, dhe konkretisht vlerën dhe llojin e detyrimit, si dhe kompleksitetin e veprimit procedural përmbarimor.

Tarifat e reja pritet të nxisin ekzekutimin vullnetar të detyrimeve, duke zeruar në këtë mënyrë kostot për ekzekutimin e titujve ekzekutiv për qytetarët dhe bizneset. Në çdo rast, sipas ligjit, tarifat përmbarimore edhe pse parapaguhet nga kreditori, nuk i ngarkohet këtij të fundit, por i vilet debitorit së bashku me detyrimin.

Në mbrojtje të interesave të grupeve në nevojë, udhëzimet e reja kanë zgjeruar kategorinë e personave që përjashtohen nga pagesa e tarifës përmbarimore, duke çliruar nga detyrimi për të paguar të gjithë personat që janë në kushtet e paaftësisë paguese, që trajtohen me ndihmë ekonomike apo që përfitojnë nga ligji për ndihmën juridike falas.

Ministria e Drejtësisë siguron qytetarët se udhëzimet e reja do të rrisin eficencën e shërbimit përmbarimor në ekzekutimin e titujve të ekzekutimit, si dhe do të shoqërohen me një kontroll të rreptë të punës së përmbaruesve gjyqësorë, për të shmangur çdo abuzim me ligjin të kryer prej tyre, si dhe për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve/biznesit në vjeljen e detyrimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button