“Zëra të fuqishëm”, AFP hap në Tiranë ekspozitën fotografike që nderon jetën reale të grave të Ballkanit
E kuruar dhe e realizuar tërësisht nga gazetarë të AFP-së, ekspozita përbën një nismë editoriale thelbësisht të pavarur, përmes fotografive dhe rrëfimeve personale, projekti synon të shkojë përtej imazheve të thjeshtëzuara dhe stereotipeve për gratë e Ballkanit, duke vënë në fokus historitë e tyre të forcës, krenarisë, sfidave dhe gëzimeve të përditshme.
Në Tiranë, ekspozita prezanton fotografitë e fotoreporterit të AFP-së, Adnan Beci, i cili ka realizuar portretet e Blerina Vrenozit, Elida Zhulatit dhe Luna Çaushollit.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherinë Suard, si dhe të ftuar nga arti, kultura dhe media, fotoreporteri Beci falënderoi të pranishmit dhe vajzat që u bënë pjesë e projektit, duke theksuar se realizimi i ekspozitës ka qenë një punë e madhe dhe një proces i rëndësishëm.
Blerina Vrenozi, specialiste e merimangave, studiuese dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës, ndau përvojën e saj si grua në shkencë dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë rrugëtimit profesional.
Ajo theksoi se sfidat kanë qenë të shumta, jo vetëm për të avancuar në fushën e shkencës, por edhe për shkak të paragjykimeve gjinore në shoqëri.
“Mesazhi im sot është se me punë të palodhur, vullnet të fortë dhe guximin për të mos u dorëzuar kurrë, gjithçka është e mundur”, u shpreh Vrenozi.
Ajo tregoi gjithashtu për punën e saj kërkimore, veçanërisht studimet mbi merimangat dhe fluturat, duke e lidhur përvojën personale me rëndësinë e këmbënguljes dhe të mundësive për gratë në shkencë.
Pjesë e ekspozitës është edhe Elida Zhulati, nga Gjirokastra, e cila ruan mjeshtërinë e trashëguar të qëndisjes tradicionale. Ajo foli për lidhjen me profesionin, qytetin dhe traditën, duke theksuar se, pavarësisht kohëve të vështira, ka vijuar ta ruajë këtë trashëgimi.
Ndërsa këngëtarja dhe kantautorja e re Luna Çausholli shprehu mirënjohjen për familjen dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit, të cilin e cilësoi si një përvojë të veçantë për vajzat dhe gratë.
Ekspozita është konceptuar si një mundësi për të dëgjuar zërat e grave të Ballkanit dhe për të parë përtej stereotipeve që shpesh i kanë shoqëruar ato.
Nga Tirana në Banja Luka, historitë e nëntë grave pasqyrojnë jetën e tyre në profesione, mjedise dhe rrethana të ndryshme, duke trajtuar tema që lidhen me lirinë, punën, mëmësinë, ekonominë, pamjen e jashtme dhe përballjen me paragjykimet.
Fotografitë shoqërohen me rrëfime personale që sjellin perspektivat e protagonisteve mbi atë çfarë do të thotë të jesh grua në Ballkan sot.
Projekti fotografik është realizuar nga bashkëpunëtorët e AFP-së në Ballkan, Adnan Beci në Shqipëri dhe Elvic Barukçiq në Bosnje, nën drejtimin editorial të Andrej Isakoviç.
Kurimi dhe intervistat janë realizuar nga Camille Bouissou, drejtuese e Byrosë së AFP-së për Ballkanin, me kontributin e gazetarëve të AFP-së në rajon.
“Pasi kalova disa muaj në rajon, e kuptova se të gjitha imazhet që kisha në mendje për gratë e Ballkanit, të formësuara nga mediat, kultura dhe ndikime të tjera, binin ndesh me atë që shihja çdo ditë. Për mua u bë thelbësore të gjeja një mënyrë për ta sfiduar narrativën e zymtë dhe për të nxjerrë në pah forcën, gëzimin dhe universalitetin e grave të këtij rajoni. Shpesh themi se puna jonë është t’u ‘japim zë’ njerëzve. Në këtë rast, doja të theksoja se nuk duhet ta vendosim veten në pozitën e atij që ‘jep’zë sepse këto gra e kanë tashmë zërin e tyre dhe nuk kanë nevojë që ne të flasim në emër të tyre. Ajo që duhet të bëjmë është t’i dëgjojmë”, është shprehur Bouissou.
Ekspozita fizike shoqërohet nga një platformë shumëgjuhëshe online, e cila përmban një galeri të zgjeruar fotografish, rrëfime të shkruara dhe materiale audio.
“Zëra pa Kufij: Gratë e Ballkanit – Forcë dhe Trashëgimi” do të qëndrojë e hapur në Vila 31 x Art Explora deri më 2 tetor, duke ftuar vizitorët të njihen me historitë dhe zërat e grave pas imazheve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.