Zgjedhjet e 21 qershorit, së shpejti raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-t
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it pritet të publikojë në fund të këtij muaji ose në fillim të shtatorit raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri.
Burime nga prezenca e OSBE-së në Tiranë thanë për ATSH-në, se me rregull, tetë javë pas përfundimit të procesit ODIHR prezanton raportin final, me vlerësimet dhe rekomandimet për zgjedhjet e fundit në vend.
Ky është dhe raporti i tretë që pritet të publikohet nga ky mision vëzhgues për zgjedhjet lokale.
Fillimisht misioni, i kryesuar nga britanikja Audrey Glover, publikoi një raport të ndërmjetëm para zgjedhjeve, ndërsa më 22 qershor, një ditë pas votimeve, u prezantua raporti me gjetjet paraprake.
Misioni i ODIHR kishte në përbërje 24 vëzhgues afatgjatë dhe afro 250 vëzhgues afatshkurtër ditën e votimeve. Ata monitoruan procesin zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe në përputhje me legjislacionin vendas.