Politika

Zgjedhjet lokale, Meta: Nuk kemi ende marrëveshje me PS për bashkitë

Lideri i LSI-së, Ilir Meta ka hedhur poshtë lajmet e përhapura në media për arritjen e një marrëveshjeje me PS-në, për ndarjen e bashkive më kryesore në vend. Ndërsa zgjedhjet lokale janë në prag, Meta thekson se nuk ka ende një marrëveshje mes aleatëve për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie, ndërsa theksoi se negociatat vijojnë.

meta2“Media gëzon të gjitha liritë për të anonçuar të gjitha lajmet që ajo ka mundësi të marrë apo dhe të vetë krijojë. Me pak fjalë mund t’ju them se nuk kemi ende një marrëveshje, jo për ndarjen e zonave, sepse nuk ekziston ky koncept, por për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie. Ky është një proces i hapur dhe mjaft konstruktiv për të cilin nuk ka nxitim, kështu që duhet të presim edhe pak.”- deklaroi Meta.

I pyetur nga gazetarët për një marrëveshje të mundshme me PDIU-në, kreu i LSI-së theksoi: “Nuk mund të flas për gjëra që nuk më takon të shprehem. Deri më tani nuk jam në dijeni nëse është diskutuar me kreun e PDIU-së.”

“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kanë rënë dakord për ndarjen e bashkive më kryesore në vend, gjatë negociatave të fundit. Pas shumë bisedash, dy liderët kanë rënë dakord për Bashkinë e Fierit, që kandidati për të dalë nga Partia Socialiste, ndërkohë që LSI-ja do të mbajë Bashkinë e Lushnjës, me mbështetje edhe nga PS-ja. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka bërë të qartë se për të 61 bashkitë, sipas reformës së re territoriale, do të ketë nga një kandidat që do të përfaqësojë koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Por, ende nuk është përfunduar lista e plotë e 61 bashkive.

Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në takimet e tyre kanë rënë dakord fillimisht politikisht dhe kanë diskutuar për bashkitë më kryesore. Ata kanë zhvilluar një sërë takimesh në funksion të këtij qëllimi madje burime zyrtare pranë tyre konfirmuan për “Gazeta Shqiptare” se edhe dje Rama e Meta kanë zhvilluar një takim për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Tashmë janë bërë publike që LSI do të ketë Bashkinë e Pogradecit, që do të thotë se një emër për kandidat në këtë bashki do të propozohet nga LSI-ja dhe do të mbështetet edhe nga PS-ja. Marrëveshja që është dakordësuar mes Ramës e Metës bën fjalë edhe për përfaqësimin në Bashkitë e Lezhë, Kukësit, Beratit, Bulqizës dhe Gjirokastrës. Probleme ka hasur kjo marrëveshje e dy liderëve në bazën e dy partive, veçanërisht në Gjirokastër, ku socialistët nuk pranojnë që kjo bashki kryesore t’i lihet një kandidati nga LSI-ja. Pritet që e gjithë lista e kandidatëve në bashkitë përkatëse të jetë gati në fund të muajit mars, por gjithsesi, në të dyja partitë respektive po punohet se cilat do të jenë platformat elektorale të konkurrimit, pasi kjo kushtëzohet edhe nga ndarja e re territoriale dhe administrative. LSI-ja mendon që të rikandidojë në Bashkinë e Lezhës sërish Viktor Tushën. Edhe në Bashkinë e Kukësit pritet rikandidimi i Hasan Halilajt, një kandidat që erdhi në LSI nga radhët e PD-së. Ndërkohë që, e vështirë duket për LSI-në marrja e Bashkisë së Bulqizës, bastion i PD-së. LSI-ja do të marrë edhe drejtimin e Çorovodës, por Bashkia e Beratit aktualisht mendohet që të jetë e PS-së, por në fakt jo e Fadil Nasufit, kryetarit aktual që ka disa mandate që e drejton. Nga ana e saj, PS-ja mendon të luajë me bashkitë e mëdha si Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Fieri dhe Shkodra. E në fakt, duket se edhe në Tiranë, koalicioni do të përfaqësohet me një kandidat nga PS-ja. Deri tani janë lakuar mjaft nga emrat politikë, emra të ministrave e deputetëve, por burimet nga të dyja partitë, bëjnë të ditur se do të zgjidhet një menaxher i mirë dhe jo një politikan i konsumuar më parë. Gjithçka mbetet ende në diskutim, deri në publikimin zyrtar të listës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button