Zgjedhjet në Malin e Zi/ Nimanbegu për ATSH-në: “Koha është tani”, lista më përfaqësuese shqiptare
“Ne jemi të bindur se në zgjedhjet e 30 gushtit do t’ia arrijmë t’i fitojmë dy deputetë”, deklaroi Genci Nimanbegu në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, i cili së bashku me Nik Gjeloshaj kryesojnë “Listën Shqiptare” në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi.
Ai vlerësoi mbështetjen e Diasporës shqiptare që ka prejardhjen nga Mali i Zi.
“Diaspora shqiptare që ka prejardhjen nga Mali i Zi është një diasporë kombëtarisht e ngritur dhe gjithmonë e gatshme ta mbështesë vendlindjen. Ashtu edhe kësaj radhe. Koalicioni i organizatave shqiptare në SHBA (me prejardhje nga Mali i Zi) u angazhua për unifikimin e subjekteve politike shqiptare deri në afatin e fundit të përcaktuar me ligj për dorëzimin e listave”, shprehet ai për ATSH-në.
Sa i përket daljes së faktorit shqiptar me 2 lista në këto zgjedhje Nimanbegu nënvizon se, “rezultat i maksimizuar do të fitohej me unifikimin e plotë. Teorikisht do të mund të fitonim deri në 3 deputetë, aq parasheh ligji maksimalisht, megjithëse në pjesëmarrje të popullsisë së Malit të Zi jemi 4,9%, pra do të duhej më shumë”.
Në platformën e listës shqiptare, Nimanbegu rendit 10 pika, numër që mban edhe lista në zgjedhje, por ai shton se, “partitë nacionale, në veçanti partitë që në një shtet përfaqësojnë pakicat kombëtare gjithkund në botë kanë për prioritet çështjet identitare. Ruajtja e tyre është themel i veprimtarisë së partive nacionale. Ashtu është edhe me ne”.
Mesazhi kryesor që Nimanbegu u dërgon qytetarëve shqiptarë në Malin e Zi është që “qytetarët shqiptarë të dalin në numër sa më të madh në vota. Dalja masive në vota rrit mundësitë tona për sukses më të madh”.
Ai shprehet i bindur se, “Lista Shqiptare Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj, me moton “Koha është tani” është lista më përfaqësuese shqiptare. “Këtë e kemi dëshmuar edhe me punën tonë të deritashme”, tha ai.
Intervista e plotë e Genci Nimanbegut për Agjencinë Telegrafike Shqiptare:
ATSH: Çfarë rezultati pretendoni të arrini në zgjedhjet e 30 gushtit?
Nimanbegu: Edhe përkundër dispozitave, për ne diskriminuese të Ligjit mbi zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, ku nuk parashihen mandate të garantuara për shqiptarët dhe ku “pesha” e deputetit shqiptar është më e madhja në krahasim me deputetët e partive tjera, ne jemi të bindur se në zgjedhjet e 30 gushtit do t’ia arrijmë t’i fitojmë dy deputetë.
Sipas këtyre dispozitave ligjore, do të ishte e mirëseardhur që të dy koalicionet shqiptare ta arrinin pragun prej 0,7 %, sa është i paraparë për ne, sepse në atë rast, sipas kombinatorikës zgjedhore votat e shqiptarëve do të grumbulloheshin dhe mundësia për 2, gjegjësisht teorikisht 3 mandate do të ishte më e madhe. Përndryshe, lista eventualisht nuk e kalon pragun prej 0,7 % i djeg ato vota.
ATSH: Si e vlerësoni mbështetjen e Diasporës shqiptare për unifikimin dhe përfaqësimin e përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme të 30 gushtit?
Nimanbegu: Diaspora shqiptare që ka prejardhjen nga Mali i Zi është një diasporë kombëtarisht e ngritur dhe gjithmonë e gatshme ta mbështetë vendlindjen. Ashtu edhe kësaj radhe. Koalicioni i organizatave shqiptare në SHBA (me prejardhje nga Mali i Zi) u angazhua për unifikimin e subjekteve politike shqiptare deri në afatin e fundit të përcaktuar me ligj për dorëzimin e listave. Edhe ne si koalicion, pra Lista Shqiptare Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj, ishim formuar përpara, por pritëm deri në momentin e fundit mundësinë e unifikimit të plotë. Dolëm me dy lista.
ATSH: Dalja e faktorit shqiptar me 2 lista në këto zgjedhje a mendoni se do të ndikojë në maksimizimin e rezultatit?
Nimanbegu: Rezultat i maksimizuar do të fitohej me unifikimin e plotë. Teorikisht do të mund të fitonim deri në 3 deputetë, aq parasheh ligji maksimalisht, megjithëse në pjesëmarrje të popullsisë së Malit të Zi jemi 4,9%, pra do të duhej më shumë.
Por edhe kështu, nuk jemi aq të thërrmuar. Në zgjedhjet përpara kishte raste që shqiptarët dilnin me 4, madje edhe me 5 lista. Në zgjedhjet e fundit, më 2016 dolëm me tri lista zgjedhore, prej tyre njëra nuk e kapërceu pragun prej 0,7% dhe ato vota për ne shqiptarët u dogjën. Edhe nga ky aspekt mendoj se në këto zgjedhje do të dalim më të suksesshëm se në zgjedhjet e kaluara, kur isha deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi.
ATSH: Cila është platforma juaj dhe çfarë synon lista juaj të arrijë në zgjedhjet e 30 gushtit?
Nimanbegu: Platformën tonë zgjedhore e kemi definuar në dhjetë shtylla. Interesant numri dhjetë na përcjell edhe në zgjedhje, pasi lista jonë mban atë numër.
Partitë nacionale, në veçanti partitë që në një shtet përfaqësojnë pakicat kombëtare gjithkund në botë kanë për prioritet çështjet identitare. Ruajtja e tyre është themel i veprimtarisë së partive nacionale. Ashtu është edhe me ne. Mirëpo, me veprimtarinë tonë parimore të deritashme disa nga çështjet janë rregulluar definitivisht, si për shembull çështje e përdorimit të simboleve kombëtare.
Kuptohet, kërkesat tona shkojnë tutje, e ne në Platformën tonë zgjedhore për zgjedhjet e 30 gushtit i kemi definuar dhjetë shtyllat e synimeve tona gjatë mandatit të ardhshëm:
– lufta kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve
– zhvillimi i ekonomik dhe rritja e mirëqënies së popullit tonë
– modernizimi i infrastrukturës në vendbanimet shqiptare
– lidhja me shqiptarët në shtetet e tjera: vendkalimet e reja kufitare dhe rrugët përkatëse drejt Shqipërisë dhe Kosovës
– punësimi i të rinjve tanë dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në administratën shtetërore.
– Kthimi i pronave
– rritja e cilësisë dhe modernizimi i infrastrukturës së shkollave shqipe
– zgjerimi dhe modernizimi i infrastruktura dhe shërbimeve shëndetësore në trevat shqiptare
– turizmi bregdetar, rural, malor, turizmi dimëror dhe bujqësia
– ringjallja e jetës kulturore e sportive.
ATSH: Cili është mesazhi juaj drejtuar votuesve shqiptarë në Malin e Zi?
Nimanbegu: Mesazhi kryesor është që qytetarët shqiptarë të dalin në numër sa më të madh në vota. Dalja masive në vota rrit mundësitë tona për sukses më të madh.
Asnjë votë shqiptare të mos shkojnë te partitë e ashtuquajtura qytetare, ngase “qytetaria” e tyre shpesh ka vepruar politikisht kundër interesave kombëtare shqiptare. Shqiptarët në këto lista janë, më së shpeshti, pjesë e makinerisë partiake të votimit, e këto parti nuk i kanë prioritetet e njëjta me ne. Pra votat për këto parti janë vota kundër interesave të shqiptarëve.
Dhe mesazhi i fundit, jam i bindur se Lista Shqiptare Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj, me moton “Koha është tani” është lista më reprezentuese shqiptare. Këtë e kemi dëshmuar edhe me punën tonë të deritashme.