Zgjedhjet në SHBA, cilët janë kandidatët e demokratëve dhe republikanëve?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë hapur zyrtarisht dyert fushatave elektorale për garën presidenciale, e cila do të finalizohet në 8 nëntor të vitit 2016.
Ajo do jetë edhe dita kur amerikanët do të vendosin me votën e tyre se kujt do t’ja besojnë postin më të lartë drejtues të vendit.
Ndryshe nga viti 2008, një sondazh i “Gallup” tregon se amerikanët tani preferojnë më shumë një kandidat që ka eksperiencë në qarqet politike, se sa një kandidat që premton ndryshim radikal.
Kjo flet edhe për rënien e besueshmërisë që amerikanët kanë për kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama, i cili kur u zgjodh në vitin 2008, shënoi revolucion si presidenti i parë amerikan me ngjyrë. Por tani, thuajse në fund të mandatit të tij, 1 në 3 amerikanë nuk beson më figurën e Barack Obamës.
Nga radhët e partisë së tij, demokratët deri më tani kanë shpallur 4 kandidatë për mandatin e ardhshëm presidencial, përkatësisht Bernie Sanders, Lincoln Chafee, Martin Omalley, si edhe Hillary Clinton.
Emri i fundit mbetet ndër më të lakuarit, ndoshta edhe për faktin se Amerika asnjëherë nuk ka patur një presidente femër.
Disa e shohin atë si një ikonë feministe, që i bën ballë fyerjeve të mëdha si edhe konspiracioneve se Hillary do të ketë një influencë të madhe nga Obama për çështjen e trupave në Irak.
Të tjerë e shohin Hillary-n si të privilegjuar, e cila e ka përdorur martesën e saj si një trampolinë për pushtet. Por ka edhe nga ata që besojnë tek reformat e shëndetësore që zonja Clinton i mëshon aq fort, e po ashtu ajo ka një mbështetje të madhe për rritjen e rolit të gruas në shoqëri.
Ndoshta popullariteti i Hillary Clinton bie më shumë në sy për shkak se disa nga kandidatët e tjerë kundërshtare mbeten ende në hije.
Sondazhet tregojnë se në kontrast të thellë, 4 % e amerikanëve nuk kanë ndonjë mendim për Hilary-n, ndërkohë që 47% e tyre nuk ia kanë idenë për të paktën 1 nga kandidatët që republikanët kanë prezantuar.
Dhe në fakt në ndryshim me demokratët, krahu republikan ka shpallur 14 kandidatura për postin drejtues të vendit. Ashtu sikurse vetë sistemi zgjedhor amerikan ofron, brenda të njëjtës parti kanë të drejtë të garojnë disa emra dhe analistët shpesh e cilësojnë me termin si “një luftë brenda llojit”, të cilëve me vonë do t’u duhet të përballen edhe me frontin kundërshtar.
Nga Partia Republikane kandidatët më të mundshëm janë Jeb Bush, si edhe shumë zhurmë ka shkaktuar emri i Donald Trump.
“Unë nuk marr asgjë si të sigurt prej fillimit, por unë garoj me zemër, unë garoj për të fituar”, ka thanë Bush.
Pasardhës i familjes Bush, Jeb ka disa pika të forta që e karakterizojnë: rrjedhshmërinë në të folur, kapacitetin për mbledhjen e fondeve, si edhe lidhje të forta me komunitetin latino amerikan. Ndërsa skeptikët cilësojnë si një pikë të dobët jo vetëm të Bush, por edhe të republikanëve, rënien e popullaritetit të kësaj partie.
Të shquar për idetë e tyre konservatore, sondazhet tregojnë se republikanët nuk kanë mbështetjen e të rinjve, të cilët përbëjnë një numër të konsiderueshëm të votuesve. E kur bëhet fjalë për financimin e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , “Wall Street” është sponsori kryesor për kandidatët e tyre. Por mesa duket këtë herë biznesmenët e “Wall Street” janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga rezultatet e këtij krahu politik.
E nëse republikanët nuk fitojnë, kjo përkthehet në miliona dollarë humbje për donatorët. Por hyrja në garë e Donald Trump si republikan, ndoshta nuk do ia ketë nevojën fondeve të “Wall Street”, për shkak të pasurisë që ai zotëron.
Biznesmeni i fuqishëm premton t’i kthejë Amerikës lavdinë e munguar tërë këto vite, ndërkohë që bashkëpunëtorët e përshkruajnë Donald trump si një person që ka në majë të gjuhës frazën: Je i pushuar! Por në këtë rast nuk dihet nëse Trump do të pushojë apo do të pushohet nga vota e amerikanëve.
Fundi i sezonit të verës është afati përfundimtar për të tjerë kandidatë që duan t’i bashkohen kësaj gare, e cila edhe pse herët i ka dhënë sinjalet se do të jetë një përballje e fortë!