Zgjedhjet vendore pas viteve ’90
Tre ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të 21 qershorit, të konsideruara si një provë e rëndësishme për reformën e qeverisjes vendore në Shqipëri.
Zgjedhësit shqiptarë pritet të votojnë të dielën për kryetarët e rinj të 61 bashkive të vendit dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
Procesi i zgjedhjeve lokale 2015 është i shtati që mbahet në Shqipëri në 24 vite pluralizëm politik, ku në gjashtë prej tyre, dy janë fituar nga Partia Demokratike dhe katër nga Partia Socialiste.
Partia Demokratike ka fituar në zgjedhjet lokale të tetorit 1996 dhe në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007 në shkallë vendi. Ndërkohë që PS fitoi në zgjedhjet lokale të korrikut 1992, në zgjedhjet lokale të tetorit 2000, në zgjedhjet lokale të vitit 2003 dhe ato të vitit 2011.
Të dhëna për proceset zgjedhore vendore pas viteve ’90-të
Zgjedhjet lokale të 26 korrikut të vitit 1992
Në këto zgjedhje morën pjesë 1.405.066 nga numri total prej 1.988.795 zgjedhësish. Në përqindje pjesëmarrja ishte 70.65%. Rreth 9% e votave rezultuan të pavlefshme. Rezultatet e votimit sipas partive politike nxorrën fitues Partinë Socialiste, me 45.43% të votave, ndërsa PD siguroi 37.13% të votave.
Zgjedhjet lokale të 20 tetorit të vitit 1996
PD fitoi në raundin e parë 61% të bashkive dhe 58% të komunave, kurse socialistët vetëm 6% të tyre. Të dhënat zyrtare raportuan se PD-ja fitoi 37 bashki, PS-ja 4, një bashki u fitua nga një kandidat i pavarur dhe 22 bashki kaluan në balotazh. Në 310 komuna demokratët fituan 193, socialistët 12, partitë e vogla 7 dhe pjesa tjetër prej 98 komunash kaloi në balotazh. Në votimin proporcional për këshilltarë në 36 rrethe PD-ja fitoi 52.5%, PS-ja 31.2%, PR-ja 3.5% etj.
Zgjedhjet lokale të 1 tetorit të vitit 2000
Në votimin nominal Partia Socialiste mori drejtimin e bashkive kryesore, të drejtuara që nga 1992 nga PD. Në përfundim të raundit të parë të zgjedhjeve u konstatua se PS-ja fitoi 28 bashki dhe 110 komuna, PD-ja 9 bashki dhe 58 komuna, PBDNJ-ja 5 komuna dhe PLL-ja 1 komunë. Në raundin e dytë të zgjedhjeve ishin në garë 28 bashki, 128 komuna dhe 10 nga 11 minibashkitë e Tiranës. PD-ja fitoi në 21 njësi ndaj 114 të fituara nga PS. Në proporcional PS-ja fitoi 42.91% ndaj 33.79% të PD-së. Parti e tretë e zgjedhjeve u rendit PSD-ja me 7.11% të votave. Pas saj me diferencë u rendit PAD-ja me 3.14%, PR-ja me 2.68%, PBDNJ-ja me 2.24%, etj.
Zgjedhjet lokale të vitit 2003
Në këto zgjedhje morën pjesë 1.180.414 zgjedhës, të cilët votuan për 6126 të zgjedhur vendorë. Nga këto vota totale PS fitoi rreth 410 mijë vota ose 34%, kurse PD 382 mijë vota dhe rreth 32%. Asnjëherë më parë dy partitë kryesore politike nuk kishin pasur distancë më të afërt sesa në lokalet e vitit 2003.
Në vend të tretë u rendit PSD-ja me rreth 7% të votave. Pesë parti politike, PR-ja, PAA-ja, PBDNJ-ja, PDS-ja dhe PAD-ja morën rreth 3% të votave. PLL-ja dhe PDR-ja kaluan kufirin e 2%, kurse PDK-ja, PBK-ja dhe PK-ja morën më shumë se 1% të votave.
Zgjedhjet lokale të 18 shkurtit të vitit 2007
PD dhe aleatët e saj fituan në 36 bashki, 3 njësi bashkiake dhe 188 komuna. Në total ata morën 227 njësi vendore. Socialistët dhe kandidatët e mbështetur prej tyre fituan në 26 bashki, 10 më pak sesa PD-ja, dominuan njësitë bashkiake me 8 njësi të fituara, por morën vetëm 92 komuna, rreth 50% më pak sesa PD. Në total PS-ja dhe aleatët e saj morën 126 njësi vendore ndaj 227 të PD-së. Socialistët fituan 9 nga 12 bashkitë e kategorisë së parë, si dhe 5 nga 6 qytetet më të mëdha të vendit, PS fitoi qendrat urbane dhe PD periferinë e tyre.
Zgjedhjet lokale të 8 majit të vitit 2011
Koalicioni i djathtë, i drejtuar nga Partia Demokratike “Aleanca për Qytetarin”, u shpall fitues me 141.723 vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste “Aleanca për të Ardhmen”. Koalicioni i djathtë mori 813.335 vota, ndërsa koalicioni i majtë 617.612 vota. Ndërsa 9 parti që garuan të vetme, përfshi këtu PBDNJ-në dhe LZHK-në në total morën 75.813 vota. Sa i përket përqindjeve të përllogaritura nga KQZ, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” fitoi 51.77 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet e 8 majit, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” 42.75 për qind ose 9.02 për qind më pak.
Ne pritje te zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, ja disa të dhëna:
– 62 subjekte politike janë regjistruar zyrtarisht në KQZ
– 54 parti janë grupuar në dy koalicione, 37 në aleancën e majtë dhe 15 në atë të djathtë
– Në Shqipëri do të votohet për kryetarët dhe këshillat e 61 njësive vendore
– Të regjistruar në listat e zgjedhësve figurojnë 3.382.295 zgjedhës
– 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) do të administrojnë procesin.