Zgjerohet pushteti i bashkive, Çuçi: Decentralizimi në mënyrë graduale, do të fillojë në janar 2016
Ç’do të ndodhë pas çertifikimit të zgjedhjeve të 21 qershorit për gjysmën e mbetur të vitit fiskal, me buxhetet e njësive që bashkohen? Kontratat e secilës nga njësitë aktuale, taksat e veçanta, etj?
Janë një sërë pyetjesh që Ministria e Pushtetit Vendor, që ka hartuar edhe manualin e decentralizimit, thotë se i ka përgjigjet gati.
“Kemi punuar në mënyrë që, që ditën e parë të punës kryetarët e administratave të bashkive të mos panikohen për shkak të befasive që mund t’u ofrojë situata e krijuar nga shkrirja e 373 bashkive në 61, por të jenë të qartë se çfarë duhet të bëjnë me hapa konkretë, duke i asistuar deri në detaje. Ne po bëjmë vulat e bashkive të reja dhe bashkimet e buxheteve për t’ua vënë në dispozicion të tyre, që ta votojnë. Po bëjmë gati edhe tempeltet e vendimeve të mbledhjeve të para të këshillave, që ata duhet të marrin për t’i paraprirë procesit të ri”, deklaron ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi.
Për pjesën e mbetur të vitit, ministri Çuçi thotë se qeveria ka planifikuar 20 milionë dollarë, që do t’iu shpërndahen menjëherë njësive të reja vendore sapo të konstituohen. Kjo do të bëjë të mundur, thotë ministri Çuçi, tejkalimin e fazës tranzitore, ku bashkitë do të vijojnë me të njëjtat kompetenca si ato aktuale.
Ligji i ri i decentralizimit, konfirmon më tej ministri do të miratohet sesionin e vjeshtjës për të bërë të mundur zbatimin e paketës së parë të decentralizimit do të nisë në 2016. Kompetencat e para që do t’u kalojnë bashkive të reja, sipas ministrit Çuçi janë:
“Kopshtet s’ka pse i menaxhon Ministria e Arsimit, s’ka pse i emëron edukatoret Ministria e Arsimit. Edhe shërbimi i zjarrfikësit dhe ai i ujësjellësit i takojnë tashmë pushtetit vendor. Janë kompetenca që ne i kemi diskutuar edhe me ministritë”, saktëson Çuçi.
Ashtu siç pohon ministri Çuçi, decentralizimi i plotë do të jetë gradual. Në vende të tjera ai ka kërkuar 2 deri në 3 vjet, por ministri i Pushtetit Vendor beson se kjo do të ndodhë më shpejt.