☁️
Tiranë 23°C · Vranët 08 June 2026
S&P 500 7,403 ▲0.26%
DOW 50,769 ▼0.19%
NASDAQ 25,912 ▲0.79%
NAFTA 91.48 ▲1.04%
ARI 4,350 ▼0.36%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074 EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074
₿ CRYPTO
BTC $63,502 ▲ +3.56% ETH $1,688 ▲ +4.73% XRP $1.1787 ▲ +4.95% SOL $67.4800 ▲ +5.67%
S&P 500 7,403 ▲0.26 % DOW 50,769 ▼0.19 % NASDAQ 25,912 ▲0.79 % NAFTA 91.48 ▲1.04 % ARI 4,350 ▼0.36 % S&P 500 7,403 ▲0.26 % DOW 50,769 ▼0.19 % NASDAQ 25,912 ▲0.79 % NAFTA 91.48 ▲1.04 % ARI 4,350 ▼0.36 %
EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074 EUR/USD 1.1533 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9177 EUR/ALL 95.2373 EUR/MKD 61.6712 EUR/RSD 117.3431 EUR/TRY 53.1800 EUR/JPY 184.82 EUR/CAD 1.6074
08 Jun 2026
Breaking
Opinion

Zgjimi i Gen Z shqiptare

Nga Vilant Xhori

Një analizë e fundit e “The Economist” vë në dukje një prirje të re në shumë vende perëndimore qe lidhet me rritjen e mbështetjes së të rinjve për politika më aktive shtetërore, rishpërndarje ekonomike dhe masa kundër pabarazisë. Ky fenomen, i cilësuar shpesh si “socializmi i Gen Z”, nuk lidhet aq me ideologjinë sesa me vështirësitë konkrete që hasin të rinjtë për të siguruar një standard jetese të pranueshëm.

Edhe në Shqipëri, kjo prirje po shfaqet gjithnjë e më qartë. Protestat e fundit në Tiranë dhe qytete të tjera nuk mund të shpjegohen vetëm përmes një ngjarjeje të vetme. Ato janë shprehje e një pakënaqësie të akumuluar prej vitesh, e ushqyer nga rritja e kostos së jetesës, vështirësitë ekonomike dhe ndjesia se mundësitë po bëhen gjithnjë e më të kufizuara për një pjesë të madhe të shoqërisë.

Për shumë të rinj, studentë dhe familje me të ardhura mesatare, raporti mes pagave dhe kostove të jetesës është përkeqësuar ndjeshëm duke krijuar një ndjenjë pasigurie që nuk mund të zgjidhet me statistika optimiste apo me tregues makroekonomikë.

Në këto kushte, kërkesat për më shumë drejtësi sociale dhe ndërhyrje publike bëhen të natyrshme. Kur tregu perceptohet se favorizon një pakicë dhe jo shumicën, rritet mbështetja për politika që synojnë korrigjimin e pabarazive. Kjo është arsyeja pse debati për Gen Z nuk duhet parë si debat ideologjik, por si reflektim i realiteteve ekonomike me të cilat përballet ky brez.

Problemi më i madh nuk është ekzistenca e pakënaqësisë, por mënyra se si ajo trajtohet nga pushteti. Kjo po reflektohet edhe në reagimin ndaj protestave. Në vend që vëmendja të përqendrohet te shkaqet e pakënaqësisë, debati publik po orientohet drejt numrit të protestuesve, minimizimit të protestës dhe relativizimit të mesazhit të saj. Një qasje e tillë mund të jetë e dobishme për menaxhimin afatshkurtër të komunikimit politik, por nuk ofron asnjë zgjidhje për problemet që kanë nxitur reagimin qytetar.

Edhe më shqetësues është toni i përdorur shpesh nga kryeministri Edi Rama. Ironia, sarkazma dhe arroganca kanë zëvendësuar shpesh reflektimin politik mbi shqetësimet e ngritura nga protestuesit. Kur qytetarët kërkojnë të dëgjohen dhe përgjigjja që marrin është ironia, krijohet përshtypja e një distance në rritje mes qeverisjes dhe realitetit social.

Pakënaqësia sociale nuk zhduket duke u injoruar. Nëse institucionet nuk ofrojnë kanale për ta dëgjuar dhe adresuar atë, ajo vetëm sa akumulohet dhe shfaqet në forma të reja. Në këtë kuptim, zgjimi i Gen Z shqiptare është më shumë se një fenomen brezash. Ai është një paralajmërim për një sistem politik që rrezikon të humbasë kontaktin me shqetësimet reale të qytetarëve.

Një qeveri që numëron protestuesit në vend që të analizojë arsyet pse ata dalin në rrugë, rrezikon të mos kuptojë problemet që po formësojnë të ardhmen e vendit. Dhe nëse kjo qasje vazhdon, protestat nuk do të mbeten episode të izoluara, por do të shndërrohen në një formë të qëndrueshme presioni ndaj një pushteti që dëgjon gjithnjë e më pak dhe flet gjithnjë e më shumë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.