Politika

Zhiti takon Nishanin: O Zot mëshiroje Presidentin se nuk e di çfarë bën!

ARTEMISA HOXHA

Visar Zhiti Nishani_1” Dal duke thënë o Zot mëshiroje Presidentin se nuk e di çfarë bën”. Kjo ishte lutja e kandidatit për ambasador për në Selinë e Shenjtë, Visar Zhiti, pas takimit 1-orësh me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Ish-ministri i Kulturës, i propozuari i Ramës për të qenë ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, është thirrur nga kreu i shtetit për të sqaruar situatën e krijuar mbi kandidaturën e tij, si dhe për t’i renditur arsyet se pse nuk e dekreton. Nga deklaratat që Zhiti dha pas takimit që zgjati rreth një orë, u la të kuptohej se kreu i shtetit nuk ka ndryshuar qëndrim për të mos e dekretuar emrin e tij si ambasador në Vatikan.

“Presidenti më thirri dhe më priti shumë paqësisht. Kaloi ndoshta një orë, më tregoi vështirësitë që ka ai me institucionet, të cilat nuk konsultohen dhe, sipas tij, konsultimi është detyrë. Doli edhe te çështja ime, për të cilën më kishte thirrur. Presidenti më tha se ka shkelje procedure ose mosrespektim të saj. Si e tillë, këtë gjë duhet ta vuaj unë”, është shprehur Zhiti. Ndër të tjera, Presidenti ka thënë se ky rast do të jetë i fundit kandidat për ambasador për sa i përket moskonsultimit të tij me Ministrinë e Jashtme në lidhje me propozimet e reja. “Unë ia thashë që kanë kaluar pa konsultë edhe emra të tjerë, dhe më tha që nuk do të bëhet rrugë. Mesa duket, kufirin e vuri tek unë”, tha Zhiti për “Top Channel”. I pyetur nëse ai ka insistuar për një qëndrim ndryshe të kreut të shtetit, vetë shkrimtari ka thënë se nuk e ka bërë një gjë të tillë, edhe pse ai mori mbështetjen jo vetëm të deputetëve të mazhorancë, por edhe të opozitës në Komisionin e Jashtëm apo dhe vetë intelektualëve. Pas takimit, Zhiti u shpreh për mediat se “më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët, që nuk kanë interes të parë vendin, por interesat e tyre vetjake”. Përtej deklaratave të bëra nga Presidenti i vendit dhe vetë kreu i qeverisë, i cili e konsideroi si përdorje politike të Nishanit ermin e Zhitit, vetë shkrimtari dhe ish-ministri i Kulturës nuk e shmangu edhe lidhjen që ka pasur me priftërinjtë katolikë gjatë periudhës që ai ka qenë në burg. “Shqipërisë time i kam shërbyer edhe në burg kur nuk donte Shqipëria. Dhe në burg kam qenë edhe me priftërinjtë e Vatikanit, me priftërinjtë e burgosur. Kemi bërë dhe festa e kungime të fshehta. Qëndrimi im nuk ndryshon. Qëndrimin tim nuk e përcakton Presidenti i tanishëm”, ka thënë Zhiti.

Deklaratat

Qëndrimi i kreut të shtetit për të mos dekretuar emrin e Zhitit si ambasador në Vatikan, ka sjellë reagimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili e konsideroi një ridënim politik. “Unë nuk mund të hesht dot në asnjë mënyrë. Sepse ky është ridënimi i Visar Zhitit. Ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë. Sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike, nuk mund të ridënohet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike”, ka thënë Rama. Pak ditë më parë, në një intervistë për median, Nishani deklaroi: “Unë e quaj jokorrekte që një kandidat për ambasador në Vatikan të shprehet publikisht duke e konsideruar Kishën si inkuizitore”. Duke iu përgjigjur kreut të qeverisë, më 14 shkurt, Nishani deklaroi se “Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti. Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit. Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador. Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë. Gjithsesi procesi i propozimit të ambasadorëve të rinj për diplomacinë shqiptare do të vijojë të qëndrojë i pezulluar nga ana e Ministrisë së Jashtme për sa kohë kreu i shtetit ka kërkuar një konsultë paraprake. Do të jetë më pas miratimi i ligjit të ri për shërbimin e jashtëm, ai që i vendos një afat Presidentit për dekretimin apo jo të emrave konkretë për ambasadorë. Së fundi, Presidenti nuk ka dekretuar tre kandidatët për ambasadorë atë në Vatikan, në Maqedoni, si dhe në Izrael.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button