Zhupa: Restaurimi i Kalasë së Krujës ende i papërfunduar, kërkohet transparencë për ndërhyrjet
Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ngriti sot shqetësimin për gjendjen e Kalasë së Krujës, e cila sipas saj, vijon të jetë e dëmtuar dhe e parikonstruktuar, shtatë vite pas dëmtimit nga tërmeti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa thekson se “7 vite pas tërmetit, kur duhej të kishte përfunduar ndërhyrja për shpëtimin e kësaj pasurie të jashtëzakonshme, Kalaja e Krujës vazhdon të vuajë pasojat e dëmtimeve dhe mungesën e vëmendjes institucionale”.
Zhupa thekson se është e papranueshme mungesa e ndërhyrjeve konkrete për mbrojtjen e Kalasë së Krujës.
Zhupa i ka kërkuar ministrit Gonxhja të japë përgjigje për ecurinë e restaurimit, afatet e ndërhyrjes, projektet dhe fondet e parashikuara për mbrojtjen e kalasë, si dhe për përgjegjësitë lidhur me zvarritjen e procesit.
“Ministri Blendi Gonxhja duhet t’u japë shqiptarëve përgjigje konkrete: Çfarë është bërë për restaurimin e Kalasë së Krujës? Cili është afati i ndërhyrjes? Ku kanë mbetur projektet dhe fondet e parashikuara për mbrojtjen e saj? Kush mban përgjegjësi për zvarritjen?”, shkruan ajo.
Deputetja shtoi se trashëgimia kulturore mbrohet vetëm me fonde të garantuara, ekspertizë profesionale, punë konkrete dhe llogaridhënie publike.
Sipas saj, Ministria e Kulturës duhet të veprojë urgjentisht, të bëjë transparente gjendjen e ndërhyrjeve dhe të vendosë një afat të qartë për shpëtimin e Kalasë së Krujës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.