Bota

Zili evropiane për “dyherë-bamin” energjetik të Gjermanisë

Gjermania përdor fuqinë e madhe ekonomike për t’u mbrojtur në luftën aktuale energjetike. Qeveria miraton 200 miliardë euro, për çmimet e energjisë. Por kritikohet ashpër në Evropë.

Në 29 shtator qeveria gjermane shpalli se do të mbështesë me 200 miliardë euro, me 5% të Produktit të Brendshëm Bruto të Gjermanisë, sipërmarrjet dhe familjet për të ulur faturat e energjisë. Si bazë për ndihmën do të merret kostoja e energjisë e vitit të kaluar. Qeveria ofron kompensimin e diferencës ndaj çmimeve aktuale të energjisë.

Kjo “ombrellë mbrojtëse” e fundit ka si synim kryesor të frenojë çmimin e gazit. Është shuma e dytë gjigande për ekonominë dhe konsumatorët gjermanë, pas ndihmës së fundit prej 65 miliardë eurosh. Prandaj kancelari Olaf Scholz kujtoi se qeveria e tij ia bëri “dy herë-bam”(“Doppel-Wumms”) për të mos lënë askënd pa ndihmë.

Menjëherë pas kësaj, qarqe pranë kryeministres së ardhshme italiane Giorgia Meloni thanë se kjo lëvizje e Berlinit “minon arsyet për unionin (evropian)”. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban foli madje për “fillim të kanibalizmit në BE”. Ndërsa komisionerët francezë dhe italianë të BE, Thierry Breton dhe Paolo Gentiloni, përgjegjës për tregun e brendshëm dhe ekonominë, në një artikull të botuar në disa të përditshme evropiane e kritikuan Gjermaninë për mungesë solidariteti.

Sipas kritikëve, hapi bujar i qeverisë i vë sipërmarrjet gjermane në gjendje më të mirë për t’i mbijetuar krizës energjetike, përballë sipërmarrjeve në shtetet më të varfra. Në vend të kësaj, kritikët kërkojnë që Gjermania paratë e saj t’i përdorë për të mbrojtur të gjitha vendet e BE. Ata kërkojnë që Bashkimi Evropian të miratojë një tavan të çmimeve energjetike në BE, por i cili të financohet me borxhe të reja të përbashkëta të BE.

Komisioneri francez Thierry Breton, BrukselKomisioneri francez Thierry Breton, Bruksel

A tregon Gjermania mungesë solidariteti, kur mbështet sipërmarrjet e saj?

Kritikat nga Evropa janë pritur me habi në Gjermani. Në disa dalje publike, së fundi në takimin joformal të BE dhe shteteve joanëtare në Pragë, kancelari Olaf Scholz tërhoqi vëmendjen se shtete të tjera kanë marrë masa mbrojtëse të ngjashme si Gjermania.

Dy shembuj janë Franca dhe Spanja. Me 72 miliardë euro, Franca vjen menjëherë pas Gjermanisë për ndihmën kompensuese.

Scholz-i kujtoi se Gjermania është solidare edhe sepse nga terminalet për gaz të lëngshëm LNG, që po ndërtohen në Gjermani, mund të furnizohen edhe Çekia (që ka shprehur interes të madh), edhe Sllovakia ose Austria.

Autoritetet gjermane flasin për keqkuptim, për një përshtypje të gabuar që duket se është krijuar në Evropë se 200 miliardë eurot do të shpenzohen menjëherë në Gjermani, për të kompensuar çmimet e gazit. Në fakt bëhet fjalë për ndihma të shtrira në disa vite.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner u tha të martën (04.10.) kolegëve në Luxemburg se paketa e krizës është kaq e madhe për shkak të madhësisë së ekonomisë gjermane. Shkak tjetër për përmasat e ndihmës është se qeveria do të krijojë një rezervë, për të mos hyrë vitin e ardhshëm sërish në borxh.

Ekspertë gjermanë kujtojnë se josolidare janë vendet, të cilat kanë ndjekur në 20 vitet e fundit një politikë të gabuar buxhetore. “Ato e kanë futur veten në një situatë ku nuk kanë hapësirë për lëvizje fiskale dhe tani bëjnë thirrje për ndihmë nga të tjerët,” i tha një ekspert gazetës “Die Welt”.

Në fund të fundit, në Bashkimin Evropian ka rregulla për mbrojtjen nga konkurenca e padrejtë. Ato garantojnë që ekuilibri në tregun e përbashkët evropian të mos prishet, kjo vlen edhe për ndihmat gjermane për sipërmarrjet gjermane.

Olaf Scholz dhe Pedro Sanchez në Madrid, Spanjë, 05.10.2022. Qeveria gjermane miraton 200 miliardë euro për çmimet e energjisë. Por kritikohet ashpër në Evropë, shkruan Auron Dodi.Olaf Scholz dhe Pedro Sanchez në Madrid, Spanjë, 05.10.2022

Në fakt, në BE duhet të jenë të kënaqur që Gjermania është në gjendje të ndihmojë veten. Pasi nga një dëmtim i ekonomisë më të madhe drejtuese të Evropës, Bashkimi Evropian do të kishte vetëm dëme.

Kritikat megjithatë nuk rreshtin. Në Gjermani disa analistë thonë se momenti kur u shpall ndihma për sipërmarrjet gjermane nuk qe i përshtatshëm. Ndihma u shpall vetëm pak ditë para takimit të ministrave të Financës së BE në Luksemburg, që si temë kishte një përgjigje të përbashkët evropiane për çmimet e energjisë.

Shpallja pikërisht në këtë moment lidhet, në fakt, me presionin e brendshëm në rritje në Gjermani. Ka sipërmarrje, jo vetëm industriale, që kanë ndaluar prodhimin, pasi nuk kanë fitim me këto çmime energjie. Frika për çindustrializimin e fuqisë kryesore industriale të Evropës është e madhe.

Gjermania u kritikua se prishte ekuilibrin evropian me ndihmat edhe në krizën e koronës

Në Evropë, Gjermaninë e kritikuan njësoj  edhe në krizën e koronës. I thanë se prishte ekuilibrin evropian me 600 miliardë eurot që miratoi për ekonominë e saj. Kemi të njëjtën strategji të disa shteteve evropiane, ato kërkojnë të dalin nga situata sërish me borxhe të përbashkëta evropiane.

Në krizën e koronës, thirrjet se pa borxhe të përbashkëta kriza do ta shpërbëjë Bashkimin Evropian patën sukses. Bashkimi Evropian hyri në borxh të përbashkët për herë të parë, me Fondin e Rindërtimit të Pandemisë prej 750 miliardë eurosh.

Pasi u hap një herë kjo rrugë, të njëjtat shtete të drejtuara nga Italia dhe Franca, duan të përdorin çdo krizë për të thelluar borxhin e përbashkët të BE. Por borxhi evropian i rëndon shtetet njësoj si borxhi kombëtar. Ai është vetëm më pak i dukshëm për popullin, sepse merret në një nivel më të lartë.

Protesta kundër politikës energjitike të Gjelbër të qeverisë në Schwerin, Gjermani Lindore.Qeveria gjermane miraton 200 miliardë euro për çmimet e energjisë. Por kritikohet ashpër në Evropë, shkruan Auron Dodi.Protesta kundër politikës energjitike “të Gjelbër” të qeverisë në Schwerin, Gjermani Lindore

Tani qeveritë kryesisht jugore, të zhytura në borxhe, në vend që ta përgatisin popullin për kohë më të vështira e të kursejnë fonde ku mundin, e kanë më të lehtë të kërkojnë të hyjë në borxhe sërish i gjithë Bashkimi Evropian.

A e presin Bashkimin Evropian borxhe të reja të përbashkëta?

Bashkimi Evropian i nevojitet një qasje e harmonizuar për të mbijetuar pa çarje, krizën më të madhe energjetike në dekada. Ekziston një frikë e vërtetë se kriza e madhe energjetike e nxitur nga lufta e Rusisë mund të çojë në kolaps të prodhimit industrial në Evropë. Sipërmarrjet industriale ose mund të largohen nga Evropa, për të prodhuar atje ku energjia kushton më lirë; ose shtetet pa mjete financiare të BE do të bëhen pre e lehtë për Kinën, e diku ndoshta edhe për Rusinë.

Disa ekspertë evropianë thonë se kërkesat ndaj Gjermanisë do të rriten, sa më gjatë të pritet për një masë të përbashkët të BE kundër krizës energjetike. Në rastin e Fondit të Rindërtimit të Pandemisë, ngurrimi fillestar e rriti në fund madhësinë e paketës së borxhit evropian.

Masa më e shpejtë aktualisht duket marrja e borxheve të reja të përbashkëta, për t’u vënë tavan çmimeve të energjisë. Italia dhe Franca e kërkojnë këtë prej kohësh. Një nga propozimet është që SURE, mjeti i rifinancimit të sigurimit kombëtar të papunësisë në pandeminë e koronas, të aktivizohet me një objektiv tjetër: për të ndihmuar vendet të financojnë çmimet e larta të energjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button