Zona e lirë ekonomike e Spitallës, Ahmetaj sqaron procedurat dhe kriteret
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj ka sqaruar procedurat dhe kriteret për fituesin për zonën e lirë ekonomike të Spitallës, në një tryezë të rrumbullakët, me përfaqësues të biznesit.
Në fjalën e tij, Ministri Ahmetaj tha se projekti i Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik është një nga më të rëndësishmit që qeveria Shqiptare, në bashkëpunim me ekipin e Universitetit të Harvardit, ka punuar përgjatë më shumë se një viti.
“ Projekti i zonave bazohet në parimet e produktivitetit, parashikueshmërisë dhe përfitueshmërisë, me qëllimin krijimin e një mjedisi biznesi me regjim të veçantë juridik dhe fiskal, që stimulon investimet, zgjeron bazën e industrive dhe teknologjive të reja dhe, mbi të gjitha, ofron kushte për punësim”, është shprehur Ahmetaj.
Kriteret vlerësimit:
• Propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 20 pikë;
• Ndikimi mjedisor, 6 pikë;
• Ndikimi social, numrin e të punësuarve, 16 pikë;
• Koha e përfundimit të investimit, 8 pikë;
• Kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) vlerësohet me 50 pikë nga 100 pikë totali.
Afati për procedurën e konkurimit është 65 ditë nga data e publikimit, deri më 28 tetor 2015. Vlerësimi i ofertave do të bëhet brenda 30 ditëve nga përfundimi i afatit të konkurimit.