Zulfaj: Reformat nuk humben, Kosova mund të përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së
Kryenegociatori Jeton Zulfaj tha në tryezën e GLPS-së se asnjë reformë e Agjendës së Reformave nuk do të mbetet pa u zbatuar, pavarësisht vonesave në përmbushjen e afateve.
Kryenegociatori për integrimin evropian, Jeton Zulfaj, ka theksuar se asnjë reformë e paraparë në kuadër të Agjendës së Reformave nuk do të mbetet pa u zbatuar, pavarësisht vonesave në përmbushjen e afateve, siç njofton Telegrafi, duke iu referuar raportimit të KosovaPress-it.
Zulfaj i bëri këto komente në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas bllokadës politike: Nga momentumi në reforma”, ku tha se shumica e reformave të mbetura pritet të zbatohen gjatë këtij viti.
“Ne tashmë e kemi thënë disa herë që reformat nuk humben, ne jemi në një proces të reformave. Sigurisht është keq kur mjetet nuk arrijnë të fitohen në kohë, kjo është çështje edhe e afateve, por të gjitha reformat të cilat kanë qenë të parapara për afatin e 30 qershorit ato janë prapë në agjendën tonë të reformave, shumica që zbatohen këtë vit. Pra, asnjë reformë nuk do të mbetet mbrapa”, tha Zulfaj, sipas raportimit të KosovaPress-it.
Sipas tij, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian parasheh 111 hapa reformues në pesë fusha, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve publike, rritjen ekonomike, krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë, avancimin social dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Zulfaj bëri të ditur se Kosova mund të përfitojë 882 milionë euro nga ky plan, prej të cilave një e treta janë grante, ndërsa dy të tretat kredi, me 18 institucione përgjegjëse për zbatimin e reformave.
Kryenegociatori theksoi gjithashtu se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, shoqërisë civile dhe medieve, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe përgjegjësitë e secilit institucion, dhe se kritika e mbështetur në fakte e ndihmon punën e institucioneve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.