Nis linja e re ajrore Prishtinë–Medinë, flynas realizon fluturimin e parë
Kompania saudite flynas ka nisur fluturimet e drejtpërdrejta mes Medinës dhe Prishtinës, me një fluturim në javë, duke u ofruar udhëtarëve nga Kosova lidhje direkte për në qytetin e shenjtë, veçanërisht për udhëtimet e umres dhe të haxhit.
Nga sot ka nisur linja e re e fluturimeve direkte në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” për në Medinë të Arabisë Saudite. Siç njofton PortaliFiks, fluturimi i parë ishte paraparë të nisej në orën 08:15 dhe linja pritet të jetë lehtësim për qytetarët e Kosovës, sidomos për ata që udhëtojnë për umre dhe haxh.
Sipas njoftimit të kompanisë flynas, të raportuar nga Saudia Daily, fluturimet direkte mes Medinës dhe Prishtinës nisin më 26 tetor, me një fluturim në javë, si pjesë e zgjerimit të rrjetit ndërkombëtar të kompanisë dhe e lehtësimit të qasjes së udhëtarëve te dy Xhamitë e Shenjta.
Linja është pjesë e strategjisë së flynas “We Connect the World to the Kingdom” dhe e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Aviacionit të Arabisë Saudite për ta lidhur Mbretërinë me mbi 250 destinacione ndërkombëtare dhe për të arritur 330 milionë udhëtarë në vit deri në vitin 2030, në përputhje me Vizionin Saudit 2030 dhe Programin e Përvojës së Pelegrinëve.
flynas, kompania e parë ajrore e listuar në Bursën Saudite, operon 156 linja drejt më shumë se 80 destinacioneve në 38 vende, me mbi 2.000 fluturime në javë, dhe ka transportuar 110 milionë udhëtarë që nga themelimi në vitin 2007. Biletat mund të rezervohen përmes faqes dhe aplikacionit të flynas, qendrës së thirrjeve ose agjencive të udhëtimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.