Bota

Zv/kryeministri britanik Dominic Raab jep dorëheqjen për shkak të ankesave për bullizëm

Zëvendëskryeministri i Britanisë, Dominic Raab, dha dorëheqjen të premten pasi një hetim i pavarur zbuloi se ai bullizonte nëpunësit civilë, megjithëse ai i kritikoi gjetjet e hetimit, duke thënë se ato kishin “të meta”.

Njoftimi i zotit Raab erdhi një ditë pasi kryeministri Rishi Sunak mori raportin e hetimit për tetë ankesa zyrtare, ku thuhej se zoti Raab, i cili është gjithashtu sekretar i drejtësisë, kishte bullizuar anëtarët e personelit gjatë mandateve të mëparshme në postet e zëvendëskryeministrit, sekretarit të jashtëm dhe sekretarit për Brexit-in.

Avokati Adam Tolley, i cili kreu hetimin, tha se zoti Raab “veproi në një mënyrë që ishte frikësuese, e paarsyeshme dhe agresive”. Sipas tij, zoti Raab “zbatonte një element ndëshkues të pajustifikuar” në stilin e tij të udhëheqjes.

“Sjellja e tij përfshinte gjithashtu një abuzim, ose keqpërdorim të pushtetit në një mënyrë që minon ose poshtëronte të tjerët”, shkron zoti Tolley në raportin prej 48 faqesh.

Domnic Raab, 49 vjeç, i mohoi pretendimet se ai minoi dhe nënçmoi personelin e tij dhe tha se “sillej profesionalisht në çdo kohë”, por tha se do të jepte dorëheqjen, sepse kishte premtuar se do ta bënte këtë, nëse ankesat për bullizëm vërtetoheshin.

Hetimi vërtetoi dy raste të bullizmit dhe i hodhi poshtë të tjerët, tha zoti Raab në letrën e tij të dorëheqjes. Ai tha se raporti kishte “të meta” dhe se hetimi “krijoi një precedent të rrezikshëm” duke “vendosur pragun për bullizëm në një nivel kaq të ulët”.

Zoti Raab tha se e dha dorëheqjen sepse ishte “i detyruar” nga premtimi që kishte bërë për këtë.

Kryeministri britanik Rishi Sunak e pranoi dorëheqjen “me keqardhje të madha”, siç shprehet ai përmes një letre, në të cilën ai e vlerësonte shumë punën që kishte bërë zëvendëskryeministri Raab. Ai iu referua gjithashtu “mangësive” në hetim, të cilat ai tha se “kishin prekur negativisht të gjithë njerëzit e përfshirë”.

Kryeministri Sunak emëroi zyrtarin e lartë të kabinetit, Oliver Dowden, në postin e zëvendëskryeministrit dhe zotin Alex Chalk në postin e sekretarit të drejtësisë.

Kodi britanik i sjelljes kërkon që ministrat t’i trajtojnë punonjësit me respekt dhe të kenë marrëdhënie të përshtatshme me kolegët, nëpunësit civilë dhe personelin. Kodi thotë se ngacmimi, diskriminimi dhe bullizmi janë sjellje të patolerueshme.

Hetimi për bullizëm ndaj zëvëndëskryeminstrit Dominic Raab është ndër problemet e fundit etike me të cilat është përballur kryeministri Sunak, i cili u zotua të rikthejë rendin dhe integritetin në qeveri pas tre vitesh paqëndrueshmërie në qeveritë e drejtuara nga paraardhësit e tij Boris Johnson dhe Liz Truss. Skandale të shumta çuan në dorëheqjen e zotit Johnson në verën e vitit 2022 dhe Truss dha dorëheqjen në tetor pas gjashtë javësh në detyrë pasi planet e saj ekonomike për uljen e taksave shkaktuan kaos në tregjet financiare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button