Zvicra, fatlume në burgun e neutralitetit
Opinion & Realitet – Me gjithë krenarinë e vet dhe veçantinë që mbart, Zvicra e vogël është një sfidë permanente për BE-në që e rrethon nga të gjitha anët: ajo tregon se si bashkimi politik, me gjithë shumëllojshmërinë kulturore, mund të mbijetojë me shumë sukses
E gjendur në zemër të Europës, e vetëndërgjegjshme dhe krenare, Zvicra neutrale mbetet një gur reference e një atraksion i madh për t’u imituar nga shumë shtete të kontinentit. Qysh prej njëqind vjetësh, flitet pozitivisht apo dhe negativisht për fenomenin e ashtuquajtur “Verschweizerung” (ose në shqip, “zvicërizimi”). Për këtë fenomen, ka folur dikur edhe Max Weber, shkrimtari i famshëm zviceran, kur në vitin 1916, ai u përball me lëvizjet pacifiste në rritje, në mesin e Luftës së Parë.
Gjermania ishte një popull i madh “i organizuar e me plot fuqi shtetërore”, që kishte qenë e detyruar, të ngrinte krye e të pretendonte edhe ushtarakisht, të zinte një vend nderi në histori. Ndërsa Zvicra i bën jehonë neutralitetit të saj, aty gjenden domosdoshmërisht edhe “një pjesëz e mirë me kuptimshmëri prej fariseu për tragjedinë e nevojës, apo detyrës historike të një populli që organizon një shtet të fortë e të fuqishëm”. Një “zvicërizim”, një politikë neutraliteti, Gjermania duket se nuk mund ta ofrojë dot kurrë.
Në të njëjtën kohë, Zvicra, ku jetoi edhe Max Weber, në disa aspekte është një shembull për t’u marrë. Me gjithë tërheqjen nga të qenët e fuqishme, konfederata ka për së brendshmi një vlerë të mrekullueshme: virtyte të qarta qytetarie, “ato të pastrat, që nuk gjenden në asnjë shtet të madh me pushtet, e as në ndonjë demokraci që e quan veten të realizuar … mund të lulëzojë vetëm në terrenin e qenies së përbashkët, që i shmanget fuqisë politike”. Ne kemi të gjitha shkaqet, – shkruante Max Weber, “t’i falemi fatit tonë, që paska pra dhe një gjermanizëm edhe jashtë kufijve të shtetit nacional me pushtet të fortë”. Kështu shkruante shkrimtari nga Zyrihu, Gottfried Keller, “një gjerman i vërtetë”, por nga ana tjetër, Zvicra nuk mund të kishte pasur kurrë diçka të veçantë në “kampin ushtarak”, të cilën duhej ta përmbushte kësisoj, pra Gjermania.
Në vitin 1933, Zvicra ofroi për Oswald Spengler – i cili pas fundit të Luftës së Parë kishte profetizuar me veprën e tij “Fundi i Perëndimit” – shembullin e tmerrshëm të një zhvillimi historik, që kishte kërcënuar popujt e Europës. Publikuar gjatë vitit të “marrjes së pushtetit”, vepra “Vitet e vendimmarrjes”, u përket atyre librave, që forcuan në Gjermani atmosferën që kërkonte më shumë lidership politik autoritar, dhe nga e cila, në fund, përfitoi edhe Adolf Hitleri.
Siç u pa, koha nuk toleroi më asnjë kompromis; naivë ishin ata, të cilët besonin se radikalët nga e majta dhe e djathta, mund të shtynin përpara një politikë “të qendrës, që i pajton të gjitha interesat”: “Dëshira për qendrën është dëshira që po plaket, duke kërkuar qetësi me çdo çmim, për zvicërizimin e kombeve, për shfronëzimin historik, me të cilin ai formohet, për t’u shfronëzuar prej goditjeve të historisë”. Për një mirëkuptim për gjendjen e veçantë të Zvicrës, tashmë nuk bëhej më fjalë. Në krahasim me Gjermaninë, që me nacional-socializmin kishte zgjedhur tashmë rrugën drejt radikalizimit politik e ideologjik, Zvicra për kritikët si Spengler, dukej si një shembull i frikshëm i “frikacakërisë politike”.
Imazhin e kundërt përzgjodhi nga ana tjetër Thomas Mann, i cili me fjalët “Zoti e ruajttë Zvicrën!”, përmbylli në vitin 1934, edhe një fjalim falënderimi në radio, në Zyrih. Me këtë iniciativë, ai i falënderohej vendit të vogël, që i kishte ofruar strehim pas arratisë ndaj nazistëve. “Shtetshmëria dhe rregulli kulturor” i Zvicrës, për autorin e “Buddenbrooks”-sëve dhe të “Malit magjik”, nuk ishin një azil – ato ishin bërë për të, një atdhe i ri.
Zvicra, ky vend “i vogël dhe thuajse i shumëllojshëm”, sipas Thomas Mann, kishte treguar se mund t’i përballonte me sukses problemet emergjente me të cilat konfliktohej pjesa tjetër e botës në atë kohë, shumë më mirë se sa fuqitë e mëdha. Nacionalizmi vrastar, “helmi vrasës i epokës”, hasi në Konfederatën Helvetike në një imunitet të fortë e të natyrshëm: tre popuj me rrënjë europiane jetonin aty paqësisht, shumëgjuhësia e pengoi konfliktin gjuhësor. Ndërsa në mbarë Europën “zelli centralizues dhe shuarja e institucioneve” pësuan një rritje, në Zvicër, forca e tyre e mbijetesës, hasi në një shumëllojshmëri të mirëseardhur.
Kështu, siç Max Weber, në Zvicër kishte parë një Gjermani tjetër, plot vlera, e cila të bënte ta dashuroje, për Thomas Mann, Zvicra gjermanike, përballë “gjermanizmës”, ngjante të ishte “e rrallë e që s’gjendej tjetërkund në tokë e as në shtetin e tij, atje në atdhe”. Zvicra ishte një rast politik fatlum, dhe Europa që ishte rritur një herë në përbashkësinë e vet, duhej ta merrte Zvicrën si shembull. Në vitin 1934, Thomas Mann po kërkonte pra, as më shumë e as më pak se sa pra një lloj “zvicërizimi” të Europës.
Deri më sot, gjykimi për Zvicrën has në ndasi: në fakt, lavdërimi ndoshta asaj nuk i shkon me aq patos, siç ia ka bërë dikur Thomas Mann, por as njolla që i ka lënë pas në formulimin e tij kritik, filozofi Oswald Spengler. Akuza e pajustifikueshme për Zvicrën, se gjatë Luftës së Dytë, u ofroi shumë pak strehim hebrenjve, ngrihet pikërisht në Gjermani – vendi, ku hebrenjtë u përzunë e që në fund donte t’i shfaroste.
Shpesh – kur politikanët gjermanë flasin për “zvicërizimin” – ajo është vetëm një shenjë e arrogancës, apo e hegjemonisë përballë një fqinji europian. Kështu për shembull, dikur lideri i SPD-së gjermane, Sigmar Gabriel, tha se Europa paskësh rënë në duar të “tregtarëve, ekonomistëve dhe analistëve financiarë”. Apo e thënë ndryshe: që politika të marrë sërish avantazhet e të jetë ajo e para në çdo iniciativë: “përndryshe ne do të zvicërizoheshim: ekonomikisht relativisht të suksesshëm, politikisht relativisht të papeshë”.
Në librin e saj “Zvicra që unë do dëshiroja për ne”, këshilltarja federale nga Gjeneva, Micheline Calmy-Rey, pohoi se ishte për një anëtarësim të Zvicrës në Bashkimin Europian: vetëm kështu – tha ajo – siguria dhe mirëqenia e vendit tonë, do të mund të ruheshin në të ardhmen. Në anën tjetër, ajo kërkoi me ndërgjegje edhe një “zvicërizim të BE-së”: Shembulli më funksional i bashkëjetesës së 26 “shteteve të vogla”, kantoneve, mund të merrej edhe nga Unioni i 28 anëtarëve.
Por jo vetëm vetëndëgjegjësim. Edhe kritika e ashpër nga radhët e vetë zviceranëve, është hasur tek-tuk. Kur Friedrich Duerrenmatt, në vitin 1990 mbajti fjalën gjatë dhënies së çmimit për Václav Havel, ai e cilësoi Zvicrën një “burg”: “Pasi janë të sigurt si në një burg, se nuk do të sulmohen, zviceranët ndihen të lirë, më të lirë se sa njerëzit e tjerë, të lirë si të burgosurit në neutralitetin e tyre”, pati thënë ai. E në kritikën e tij, duket se Dürrenmatt nuk ka qenë i vetmi. Mirëpo vetëm në një vend të sigurt, të qetë e me besim në bindjet e veta, mund të ngrejë kokë e të formësohet një kritikë e pakompromis.
Zvicra ekonomikisht është e suksesshme, por politikisht e papeshë, ajo nuk është. Bashkimi Europian është ndërtesë më e komplikuar, se sa ajo që mund të kopjonte Konfederata. Shtetet anëtare të BE-së me kantonet e saj, nuk bëjnë dot krahasim. E gjendur në zemër të Europës, krenare dhe e veçantë, Zvicra mbetet një sfidë për BE-në, e rritur së bashku në njehsimin politik dhe kësisoj, duke ruajtur njëkohësisht edhe veçantitë kulturore të anëtarëve të saj.
A.P.
Marrë nga “Die Welt”