Bota

Zyrtarë të lartë të administratës në ofensivë pas librit “Zjarr dhe furi”

Stephen Miller, një ndër këshilltarët kryesorë të Presidentit Donald Trump, sulmoi ish-këshilltarin Stephen Bannon për komentet e tij të pasqyruara në librin “Zjarr dhe furi”. Ai citohet në libër të ketë thënë se djali i madh i Presidentit, Donald Trump Jr., dhëndri i Presidentit, Jared Kushner, tashmë këshilltar kryesor në Shtëpinë e Bardhë, si dhe ish-menaxheri i fushatës elektorale, Paul Manafort, ishin “tradhëtarë” dhe “jopatriotë” që u takuan në mes të fushatës elektorale të vitit 2016 me shtetas rusë që pretendonin se dispononin informacion inkriminues për sfidanten e zotit Trump, demokraten Hillary Clinton.

Duke folur në kanalin televiziv CNN, zoti Miller e përshkroi zotin Bannon si një “person të zemëruar dhe hakmarrës, komentet groteske të të cilit janë shumë të shkëputura nga realiteti”. Zoti Miller tha se “të gjithë anëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë janë plotësisht të zhgënjyer me komentet e tij” të reflektuara në këtë libër.

Zoti Miller tha se libri i autorit Wolff “është më tepër një vepër letrare e shkruar keq. Autori është një autor fundërrinë i një libri fundërrinë… Tradhtimi i Presidentit në këtë libër është në kundërshtim me realitetin e njerëzve që punojnë me të”.

Spikeri i kanalit CNN, Jake Tapper, e ndërpreu papritur intervistën me zotin Miller, duke e quajtur atë “një servil” të interesuar vetëm për të kënaqur “një shikues”, Presidentin Trump.

Pak më vonë, Presidenti Trump shkruajti në Twitter se “Jake Tapper i kanalit të lajmeve të rreme CNN u rrënua gjatë intervistës me Stephen Millerin, anëtar i Administratës Trump. Shikojeni urrejtjen dhe padrejtësinë e këtij shërbëtori të CNN-it”.

Dy zyrtarë të tjerë të lartë të administratës Trump, ambasadorja në OKB, Nikki Haley, si dhe drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, gjithashtu shprehën mbështetje gjatë emisioneve të fundjavës për punën e Presidentin, vetëm një ditë pasi Presidenti Trump e përshkroi veten “një gjeni shumë të qëndrueshëm”.

Zoti Bannon nuk i ka mohuar fjalët e cituara në librin e zotit Wolff, por ai shprehu sot një lloj keqardhjeje për rolin e tij.

Ai i tha faqes së lajmeve në internet, “Axios”, se “Donald Trump Jr. është patriot dhe njeri i mirë. Ai ka mbrojtur papushim të jatin dhe axhendën që ka mundësuar kthesën që ka marrë vendi”.

Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, zoti Bannon u rikthye tek “Breitbart News”, një faqe interneti e të djathtës alternative me pikëpamje nacionaliste. Ai u zotua se do të vazhdonte mbështetjen për Presidentin Trump.

Zoti Bannon tha se “jam i palëkundur në mbështetjen për Presidentin dhe axhendën e tij, siç e kam dëshmuar çdo ditë gjatë transmetimeve kombëtare në radio, në faqet e Breitbard News, si dhe në fjalime në Tokyo, Hong Kong, Arizona dhe Alabama. Më vjen keq që reagova me vonesë ndaj raportimeve të pasakta për Don Jr., dhe shkëputjen e vëmendjes nga arritjet historike të Presidentit gjatë vitit të parë të presidencës së tij”.

Presidenti Trump tha se nuk ishte i kishte autorizuar aspak qasje zotit Wolff në Shtëpinë e Bardhë, për të shkruar librin e tij.

Por, zoti Wolff i tha kanalit NBC se vetë Presidenti, ndoshta me pak hezitim, i lejoi të qarkullonte në korridoret e Shtëpisë së Bardhë dhe të zhvillonte intervista me ndihmësat e tij, duke u shprehur madje se “E kujt i bëhet vonë për një libër?”.

Por, që ditën e sotme, pra vetëm dy ditë pas botimit, libri “Fire and Fury” është më i shituri në faqen online të kompanisë Amazon.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button