Opinion

Çfarë na zbulon Olimpiada, për botën tonë

Nga Fareed  ZAKARIA

The Washington Post 

Politika publike në SHBA në fakt punon mjaft mirë dhe nxit përsosmërinë në shumë sporte. Kryesisht është një pasqyrim i shpirtit amerikan, i cili lartëson individualizmin, përqafon diversitetin dhe shtyn papushim për përsosmërinë. Dhe kjo frymë është edhe më e rëndësishme se sa fitorja.

Olimpiada mbaroi, dhe verdikti është: Amerika fitoi. Shtetet e Bashkuara lanë Rion me më shumë medalje ari, argjendi dhe bronzi. Herën e fundit që një komb i vetëm doli në krye në të treja kategoritë, ishte 40 vjet më parë (përveç lojërave të bojkotuara në vitet 1980 dhe 1984). Avantazhi i SHBA ndaj vendit të dytë ishte 51 medalje, hendeku më madh në një Olimpiadë të pabojkotuar, që nga viti 1932. Në qoftë se “Amerika nuk fiton më,” atëherë dikush ka harruar t’ua thotë këtë atletëve të saj olimpikë.

Fitorja në Olimpiadë nuk përkthehet drejtpërdrejtë në sukses në sferat e tjera, por ja disa gjëra që Olimpiada mund të na mësojë, në lidhje me botën.

Me gjithë problemet e saj, SHBA qëndron ende mbi konkurrencën. E megjithatë, duke kërkuar nëpër shifra, ne mund të shohim qartë, “rritjen e pjesës tjetër.” Shtetet e Bashkuara kanë marrë mes 10 dhe 20 për qind të të gjitha medaljeve, në shumicën e Olimpiadave moderne. Por gjatë 30 viteve të fundit, numri i medaljeve ka rënë tek minimumi, pra 20 përqindëshi. Kjo gjë pasqyron historinë e fuqisë relative ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Amerika mbetet numri 1, por pjesa e saj në prodhimin botëror të brendshëm bruto ka rënë gjatë dekadave të fundit, ashtu sikurse vendet në zhvillim kanë parë të rritet pjesa e tyre.

Në këtë histori, më domethënësja është Kina. Ngjitja e saj në Olimpiadë, ashtu sikurse dhe në ekonomi, është marramendëse. Në vitet 1980, Kina e nisi si një lojtar në Olimpiadë. Deri në vitin 1992, ajo tashmë renditej e katërta, me 54 medalje. Në vitin 2000, u rendit e treta. Sot është e dyta.

Pra, cili është çelësi i suksesit olimpik? Ekonomistët dhe statisticienët janë përpjekur që të ndërtojnë modele parashikuese për numrin e medaljeve. Parashikuesit më të thjeshta dhe më të besueshëm duket se janë madhësia e popullsisë dhe, më e rëndësishmja, GDP.

Por është edhe efekti sovjetik. Në qoftë se një diktaturë e centralizuar fokusohet në mënyrë obsesive tek sportet, ajo mund të nxisë rritjen e medaljeve olimpike, në mënyrë të konsiderueshme. Bashkimi Sovjetik shpesh herë udhëhoqi botën në Olimpiadë gjatë Luftës së Ftohtë, dhe Gjermania Lindore ishte një “magazinë” medaljesh olimpike – edhe pse sot besohet gjerësisht që atletët e të dy vendeve, kanë përdorur rregullisht stimulantë. Sigurisht, Kina sot përfiton nga financimet e lartë, fokusimi i orientuar nga lart për të fituar medalje, që është edhe arsyeja pse numri më i ulët i medaljeve në Olimpiadën e sivjetme, do të kërkojë “disa koka” në Pekin.

Vendi që çudit me performancën e dobët është India, shteti i dytë për nga popullsia në botë dhe ekonomia e shtatë më e madhe. India mori dy medalje në Rio, një për çdo 650 milionë banorë. Në krahasim me të, Azerbajxhani mori 18, një për çdo 500 000 banorë. Statistikisht, një mijë herë më mirë.

Pse? Varfëria është shpjegimi më i lehtë. India është ende një vend shumë i varfër për frymë. Por pse del shumë më keq, se sa kombet e tjera të varfëra? Për ta vendosur në perspektivë, GDP për frymë i Indisë sot, është sa ai i Kinës në vitin 2000. Atë vit, Kina fitoi 58 medalje (28 medalje ari), rreth 30 herë më shumë se sa India këtë verë.

Disa indianët ia vënë fajin demokracisë së rrëmujshme në vendin e tyre. Por vende në zhvillim dhe demokratike si Kenia, Afrika e Jugut dhe Turqia, kanë dalë shumë më mirë. Me sa duket, një politikë e mirë publike është e rëndësishme, thotë Danyel Reiche, i cili ka shkruar një libër, ku përpiqen të shpjegojë sekretet e suksesit olimpik. Ai pyet, për shembull, pse Kenia është në gjendje të fitojë 29 herë më shumë medalje, se sa Arabia Saudite, edhe pse ajo është 17 herë më e varfër? Përgjigja e tij është një formulë politikash, të cilën e ka quajtur “WISE” dhe që mund të ndahet në katër fusha: fuqizimi i grave, në mënyrë që të zhbllokohet potenciali i gjysmës së popullsisë; ndërtimi i institucioneve të forta sportive në vend; specializim në disa sporte; dhe përshtatje e vazhdueshme e teknikave dhe sporteve të reja. Vendet që adoptojnë disa prej këtyre strategjive dalin mirë – Zelanda e Re, Danimarka, Kroacia dhe, më e spikatura, Xhamajka.

Performanca e dobët e Indisë në Olimpiadë mund të jetë edhe reflektim i një tipari të qëndrueshëm të peisazhit indian: shkëlqimi privat, por paaftësia publike. Qeveria në Indi punon shumë keq. Por ka edhe më. India nuk ka ethet bashkuese nacionaliste, që sjell Kina në këto gara globale. Kjo vjen ndoshta për shkak të diversitetit të Indisë, ndoshta për arsye të tjera, por është e vështirë të imagjinohet India e bashkuar, ashtu si bëri Kina, për Olimpiadën e Pekinit.

Dhe pastaj është Amerika – e decentralizuar, e paplanifikuar, kaotike, me një qeveri që të gjithë duan ta urrejnë – por sërish është kampione e padiskutueshme. Pse? Pjesërisht sepse politika publike në SHBA në fakt punon mjaft mirë dhe nxit përsosmërinë në shumë sporte. Kryesisht është një pasqyrim i shpirtit amerikan, i cili lartëson individualizmin, përqafon diversitetin dhe shtyn papushim për përsosmërinë. Dhe kjo frymë është edhe më e rëndësishme se sa fitorja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button