Home / Arte / Ekspozita / VIVA ARTE VIVA, nis gara për Bienalen e Venecias 2017

VIVA ARTE VIVA, nis gara për Bienalen e Venecias 2017

Një thirrje për pasionin e artit. Nën moton “Viva Arte Viva” kuratorja e edicionit të 57-të të Bienales së Venecias Christine Macel, bën një ftesë provokuese për artistët që do të jenë pjesë e një prej eventeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor, që prej gjysëm shekulli mbahet në Venecia. Gara për të qënë pjesë e kësaj ekspozite të madhe është hapur dhe për artistët shqiptar. Ministria e Kulturës ka hapur thirrjet për project-idetë që mund të prezantojnë artin shqiptar në këtë ekspozitë. ”Kjo thirrje e Ministrisë së Kulturës, për përfaqësimin e Shqipërisë në evenimentin më të rëndësishëm për artet pamore në botë, do të jetë në lidhje me profilin e kuratorit ose kuratorëve / artistit ose artistëve, të cilët duhet të jenë bartës të një projekti të përbashkët që përfshin prodhimin e një ose më shumë veprave të reja artistike, posacërisht për “Edicionin e 57-të të Bienales të Artit së Venezias 2017”, thuhet në njoftim. Duket se project/propozimet duhet të mbartin në konceptin qëndror problematikat aktuale të shoqërisë shqiptare dhe asaj globale. Konkursi do jetë i hapur deri më 1 dhjetor 2016, ndërsa shpallja e fituesit do të bëhet brënda datës 12 dhjetor të këtij viti.  Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare me 5 anëtarë. Ekspozita e 57-të Ndërkombëtare e Artit në Venecia do të mbahet nga dat 13 maj deri më 26 nëntor 2017. Titulli i zgjedhur nga kuratorja Christine Macel, për edicionin e 57 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit është: “VIVA ARTE VIVA”. “Në një botë plot konflikte dhe trazira, në të cilën humanizmi po vihet seriozisht në rrezik, arti është pjesa më e vyer e qenies njerëzore. Është vendi ideal për reflektim, krijimtarinë individuale, lirinë dhe pyetjet themelore. Është një “po” ndaj jetës, edhe pse një “por” i qëndron nganjëherë përkrah. Më shumë se kurdo, roli, zëri dhe përgjegjësia e artistit janë të domosdoshëm në kuadrin e debatit bashkëkohor.”, është shprehur kuratorja. “Viva Arte Viva” është një Bienale e konceptuar me artistët, nga artistët dhe për artistët. Ajo merret me format që ata propozojnë, pyetjet që ata ngrenë, praktikat që ata zhvillojnë dhe format e jetës që ata zgjedhin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.