Home / Arte / Libri / Përsëri për virgjëreshat e maleve, tashmë në një kohë moderne

Përsëri për virgjëreshat e maleve, tashmë në një kohë moderne

Një roman i ri i Emmanuelle Favier për Shqipërinë

Nga Luan Rama

Ishim takuar shpesh me Emmanuelle Favier pranë shtëpisë së saj, në “Place Flora-Tristan”. Një vajzë e gjatë, simpatike, me një fytyrë të ëmbël normande dhe sy blu. Donte të shkruante për virgjëreshat e përbetuara shqiptare dhe kërkonte të njihte botën shqiptare, atë të maleve, atë të miteve dhe të habisë së përjetshme të një jete të ngjizur aty prej mijra vitesh.

Gjithçka tek ajo ishte imagjinare, fluide, krijuar nga qindra copëza jete, informacionesh, si në një fresk të madh malor, verior, me peizazhe, tipa hijerëndë, kulla të gurta me frëngji, barinj e kullota, virgjeresha herë mjesjetare dhe herë modderne që jetonin ende në fillimet e mijëvjeçarit të tretë. Bisedonim për konsullin francez Auguste Degrand të fundit e shekulli XIX dhe udhëtimin e tij në Shqipërinë e Epërme ; për çiftin etnograf francez që udhëtuan drejt Vermoshit përmes stuhive në vitin 1938, që gati humbën në humnerat e atyre maleve epikë ; për mikpritjen shqiptare dhe virgjëreshat që unë kisha takuar dhe kuvenduar me ato 30 vjet më parë në Theth apo Shkodër, kur isha një kineast i ri dhe isha i magjepsur pas maleve veriore.

Pata fatin të lexoja versionin e parë të romanit të saj para se ajo ta dorëzonte në një shtëpi botuese dhe të nisej në Shqipërinë e imagjinuar, atë të heroikës, kodit të mikprites, miqësissë proverbiale dhe legjendave rapsodike. E ndjeja se në duar kisha një roman modern, mirëdashës, simpatik, që botuesit padyshim do të donin ta botonin. Kjo sprovë letrare e saj vinte pas botimeve të mëparshme, veçanërisht në poezi, tregime apo drama, si me librat poetikë « Në çdo hap një aromë » (Librairie-Galeri-Racine, 2001), « Në shpërthimin e gjetheve që bulëzojnë », (Ed. Musaraigne, 2005) ; « Ura në diell » (Ed. Rhubarbe, 2012) ; përmbledhja me tregime « Tregimet e llojit » (Ed. Luce Wilquin, 2012), « Një letër” (Ed. Rhubarbe, 2014).

Ajo është gjithashtu një autore e dramës, si “Blata 14” shkruar bashkë me A. Pépin dhe shfaqur edhe në Quebec, drama “Le t’i lemë plagët e mpiksura” (çmimi i konkursit të shkrimit teatral të “Manufacture des Abbesses”, 2013), apo angazhimeve të saj në gazetari, kritikë letrare e dramatike (Mediapart, Alternativa teatrale, etj), si dhe përkushtimi ndaj poezisë së Arthur Riombaud me lexime të shumta publike, çka përbën dhe doktoraturën e saj në letërsi e për çka, duke i dhuruar librin tim “Rrugëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud”, tashmë një libër në shqip i shtohej koleksionit të saj rreth veprave të Rimbaud në gjuhët e botës.

Kështu, ajo ishte gati tashmë të shkonte drejt Shqipërisë, në pikëtakim me atë vend të imagjinuar prej kaq kohësh. Ajo ishte nisur drejt Italisë ku me një traget kishte marrë udhën drejt Vlorës ku për herë të parë iu hap përpara peizazhi shqiptar dhe profili etnik i shqiptarëve.

Pikërisht nga Vlora do të niste itinerari i saj shqiptar, i cili do të drejtohej drejt Llogarasë dhe peizazhve të mrekullueshme e maramendëse në prehër të malit të Pikëllimës, për të cilat më fliste pareshtur, aq sa më thoshte se edhe pse mund të vdiste nga ai taksist i çmendur që merrte kthesat gjithë shpejtësi (një trimosh çakërçef, sigurisht), do të ishte një vdekje e bukur në atë peisazh magjik.

Pas Sarandës, Gjirokastra me çatitë e gurta dhe më pas Berati me kalanë 2400 vjeçare çka e mahniti akoma më shumë, duke më treguar se Berati dhe kalaja e Rozafës ishin dy nga imazhet më pikante që nuk i shqiteshin nga kujtesa. Nga Berati udhëtimi i saj vazhdoi drejt Elbasanit, drejt Tiranës aq rinore e moderne, për të cilën do t’i fliste plot entusiazëm dhe miku Eric Faye, miku i Kadaresë dhe studjuesi i tij dhe çka ajo e pikasi në dy gazetaret për të cilat e kisha rekomanduar t’i takonte: Alda Bardhyli dhe Jonida Hitoveizi, të cilat i lanë një shije të ëmbël inteligjence dhe sharmi moderniteti. Më më pas ishte ngjitja drejt Lezhës, Shkodrës, pa dashur të shkonte më tej, pasi për të gjetur virgjëreshat duhej të shkonte drejt Vermoshit, apo Thethit e Breglumës, për çka koha nuk i premtonte. Duhej të kthehej.

Një ditë para se të merrte tragetin në Vlorë, ajo shkoi në Orikum, duke vëzhguar ato pamje të hijshme të një Mesdheu të ngrohtë e paqedashës. Kërkoi të shkonte në një hotel por me kartën e saj bankare nuk mund të paguante, po kështu banka nuk kishte, as «change»… Më së fundi gjeti një «Western Union», por komunikimi ishte i vështirë. Lumturisht Elton Sheri, një djalosh qê ndodhi aty i shërbeu si përkthyes, por shpejt ai i tha të mos shqetësohej dhe e mori në shtëpinë e tij.

Ja pra kjo franceze në gjirin e një familje shqiptare ku mikpritja shfaqej sërrish ashtu si në kodet e vjetra. Eltoni kishte ikur përmes detit pas revoltave të marsit 1997 kundër «priamidave financiare» dhe liderëve politikë që kishin gënjyer popullin. Me një anije të vjetër të tipit sovjetik, ai kishte zbarkuar në Itali ku disa vite më pas ia kishte mbathur në Australi, ku tashmë kishte ndërtuar jetën e tij. Lumturisht ai kishte ardhur të shikonte familjen dhe ja një miqësi e re që lidhej, me një bujtëse të huaj qê vinte nga larg.

«Qëllimi për të shkruar këtë libër, -shkruan ajo, – nuk ishte një ngasje e llojit dokumentar por ngasje për një refleksion subjektiv e së pari letrar mbi ndërtimin identitar në lidhje kjo me konteksin social. Pra disa skena janë të karakterit historik e të tjerat të llojit imagjinar. Fenomeni i virgjëreshave nuk është dhe aq i njohur, edhe pse ka qenë objekt i disa artikujve, eseve dhe i shumë krijimeve imagjinative veçanërisht me librin e Elvira Dones « Virgjëreshat e përbetuara », i cili më 2015 u ekranizua në një film. Takimi im i parë me këto figura tërheqëse ishte në kuadrin e ekspozitës në muzeun e Marsejës në korrik të vitit 2013.

Në fillim nuk doja të shkoja në Shqipëri, ku virgjëreshat e përbetuara jetojnë edhe sot, në mënyrë që të ruaja lirinë time të plotë imagjinare. Sigurisht, kam bërë kërkime të shumta, jo aq për saktësinë historike sesa për të ngacmuar frymëzimin tim lidhur me virgjëreshat. Eseja e Antonia Young W apo artikujt e Gilles Rapper dhe të Laurence Heureault më ishin të dobishme.

Po kështu dhe udhëtimi i Alkesandër Degrand në Shqipërinë e veriut e sigurisht botimi mjaft tërheqës Kanuni i Lekë Dukagjinit përkthyer nga Christian Gut, çka ishin referenca thelbësore. Kur mbarova së shkruari versionin e parë të romanit dhe vendosa të shkoja në Shqipëri, kisha jë lloj frike. Vallë a do ta rrezikoja imazhin tim intim që kisha për këtë vend si dhe për gjithçka kisha krijuar?

Megjithatë edhe pse rrezikoja unë u nisa në një udhëtim shumë të shkurtër, çka më lejoi të verifikoja intuitën time dhe të saktësoja konturet e romanit. Atje unë nuk takova virgjëresha, sepse deri këtu shkonte dimensioni i ndërmarrjes time antropologjike. Të kisha kontakte me ato, qoftë dhe të pakta, kjo ndoshta rrezikonte të vihesha në një gjendje jo të sigurtë ndaj personazheve të mia dhe të krijoja kështu një ndjesi përgjegjësie, jo aq të dobishme për vetë mëtimin e lirisë krijiese.

Veç të tjerash do të ishte një eksperiencë që kërkon një investim ndryshe nga ajo e një nisme letrare. Dhe lidhur me këtë, pikërisht në Shqipëri, studimet e Ellen Robertson që ka realizuar një sërë intervistash me virgjëreshat, më ishin informacione të çmuara… »

Romani « Kurajo që u duhet lumenjve », një titull metaforik që lidhet me botën e këtyre virgjëreshave në një epokë moderne, është i shkruar në mënurëkonçize, pa fjalë të tepërta, me një gjuhë sa të thjeshtë aq dhe poetike, meqë kjo autore, është së pari një poete.

Ja si e fillon romanin e saj që në faqen e parë : « Porta u mbyll pas burrit të fundit. Nata e zezë mbeti jashtë, ku asnjë yll nuk mbijetonte më në atë errësirë akulli. Manushaqe u shtriq rëndë-rëndë mbi sofa. Me kurajon e dehjes, ajo u përkul mbi shishen, duke dashur t’i hiqte tapën, por duke e shtypur tapën shumë fort, shishja rrëshqiti mbi kanape. Punë e madhe… Nuk do shkonte tani gjer në hyrjen e dhomës, pranë atyre tri shisheve të pira gjatë asaj nate. Avujt e alkoolit më së fundi u daravitën në ajrin e dhomës.

Manushe u ngrit me këmbët që i mrereshin duke shkuar gjer në shtratin e saj. Iu hap goja dhe kruajti vithen e majtë. Hoqi nallanet, po kështu dhe pantallonat e gjera dhe pulovrin e leshtë e të ashpër dhe ashtu me të mbathura e kanatiere u shtri në çarçafët e freskët që të drithëronin disi, duke hedhur pastaj mbi vete jorganin e trashë. Dora i rrëshqiti pastaj mbi seksin e saj, i lëvizi mbi pubisin leshtor, duke luajtur me anët e vaginës me gishtin e saj. Gjumi e pushtoi para se seksi më së fundi të mos lëngështonte më.

U ngrit pak para agut. Nxorri një cigare, mori çakmakun mbi komodinën pranë shtrati dhe e thithi ngadalë pa i hapur sytë… »

Në faqen e pasme të romanit, botuesi i një prej shtëpive më të njohura botuese të Francës « Albin Michel » (një diçka e rrallë kur mendon se pas Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur ata nuk vazhduan më me aventurën e madhe të botimin e romaneve të Kadaresë), ka shkruar: «Ato ishin betuar të mohonin qenien e tyre si femra dhe si shpërblim kishin fituar të gjitha të drejtat që u rezervonte tradita : të punonin, të kishin prona, të vendosnin vetë për fatin e tyre.

Manushe është një nga ato « virgjëresha të përbetuara » (Virges jurées). Në një fshat të Ballkanit ku ajo jeton, ajo është e respektuar nga të gjithë. Por kur shfaqja e Ardianit, një njeri me një të kaluar enigmatike dhe vështrim tërheqës, do t’ia kujtojë papritur e në mënyrë brutale feminitetin e saj, dëshira e bën të rrezikojë… »

Po, kjo histori më kujtoi një legjendë : atë të « Gurit të Berishës » që tregohej në anët rreth Vaut të Dejës. Kjo legjendë më kishte joshur dhe kineast i ri shkrova një skenar për këtë virgjëreshë të maleve, e cila ishte rritur si djalë, pinte duhan e alkool dhe rrinte me kuvendin e burrave. Duke u rritur ajo kishte fituar një forcë të jashtëzakonshme, aq sa në garat festive të vjeshtës, ajo ishte e aftë të lëvizte një shkëmb të madh. Por një ditë, vajza e rritur, takoi një bari në livadhe dhe ra në dashuri me të. Në garat e vjeshtës së ardhme ajo tentoi ta ngrinte përsëri shkëmbin por nuk mundi. Kthimi në feminitetin e vet kishte bërë që ta humbte fuqinë e burrit… çudi si ky film u realizua në atë kohë !

Emmaneulle Favier është një mike e mirë që e do shumë Shqipërinë, edhe pse në roman nuk e përcakton se ku zhvillohen ngjarjet, veçse diku nëpër malet e Ballkanit. Duke më folur për nismën e saj të re, një roman biografik të jetës rinore të Virgjinia Wolf, unë i them « po Shqipëria ? »… por ajo qesh ëmbël dhe ne ngrihemi duke lënë pas atë shesh ku takohemi gjithnjë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.