Libri

Ylljet Aliçka: Çmimi ‘Kadare’, 10000 euro nuk janë pak për letërsinë

“Shkrimtarët kanë pasur frikë”. Kështu u shpreh shkrimtari Ylljet Aliçka gjatë takimit të radhës “Letërsia dhe qyteti”, të dy gazetareve Alda Bardhyli dhe Beti Njuma. I pyetur mbi debatet e fundit për të vendosur fajin mbi njerëzit e letrave për atë çfarë ka ndodhur me artet e kulturën gjatë soc-realizmit, Aliçka  u shpreh se, “Shkrimtarët në diktaturë kanë pasur dhe interesat e veta personale për tu mbrojtur.

Shkrimtarët kanë pasur frikë”. Duke  parë çështjen e kujtesës si një dilemë, shkrimtari tha se qasja më e mirë është për ta pranuar të shkuarën pa ndonjë gjykim të fortë. ”Në emër të asaj që quhet pastrimi i kujtesës kolektive, ose pastrimi i moralit, ka abuzime me qëllime qoftë afatmesme qoftë afatgjata, për të hedhur pluhurin ndaj hijeve të së kaluarës. Moralisht duhet kuptuar koha ashtu siç ka qënë”, tha Aliçka.

Sipas tij, shpesh herë diskutimet bëhen në formën e parimit ose idealit, sesi mund të jetë e mira e shoqërisë e vëndit, e harrojnë gjithmonë aspektet individuale  të përfitimit individual, ekonomik e protagonizmit. “Për mendimin tim janë dy faktorë çelësi për të përcaktuar jo vetëm të kaluarën, por edhe të sotmen”, tha ai.

Aliçka është dhe një ndër pesë anëtarët e jurisë së çmimit letrar Kadare, që pritet të ndahet këtë fundjavë në Razëm, organizuar nga Instituti Europian Gramoz Pashko dhe UETPRESS dhe Botimet Mapo. Ai e quajti këtë event një vlerë të shtuar për jetën letrare në vend. “Në një realitet të caktuar, çdo çmim është një vlerë e shtuar për të rikthyer vëmëndjen e publikut ndaj leximit. Të paktën një muaj përpara e një muaj pas flitet për letërsinë. Një sipërmarrje që kontribon për një çmim me një shifër jo të pakët. 10000 euro nuk janë pak për letërsinë.Eshtë respekt për letërsinë”, tha ai.

Duke folur për mënyrën sesi është proçeduar deri tani për të mbërritur tek seleksionimi paraprak prej gjashtë kandidatësh, Alicka tha, se mënyra ka qënë trasparente, pasi vota është anonime. “Një çmim letrar matet me peshën artistike të fituesit. Janë pesë subjekte që përcaktojnë çmimin me shijet e tyre e çmimi mban peshën e pesë anëtarëve të jurisë”, tha ai.

I pyetur mbi prurjet e këtij viti, Aliçka tha se një nga kritikat që kishte kishte të bënte me tendencën për të shkruar mbi tema të mëdha. ”Letërsia shqipe do bëhet pjesë e mozaikut europian jo me tema universale, por me tema lokale. Nuk mund të bëhet pjesë e letrave europiane me tema të mëdha, që kanë shpesh rrezikun e snobizmit, apo imitimit të shkrimtarëve të mëdhenj bashkëkohor. Ajo çfarë I jep lexuesit është më e vërtetë kur ti shkruan për diçka që e njeh më mirë, siç është realiteti yt. Shoh që në disa vepra shkruhet për rrugëtimin e shpirtit pasi vdes.

Asnjëri nuk e di se çfarë do të ndodhi pas vdekjes. Jam partizan më tepër I një letërsie realiste”, tha ai. I pyetur mbi letërsinë që bëhet këto kohë, ai tha se “unë kam mendimin që në Shqipëri bëhet një letërsi e mirë. Brezi pas viteve 2000 ka shkrimtarë të fuqishëm që mund të konkurojë me dinjitet kudo”. Aliçka foli dhe për lidhjen e tij të vonë me shkrimin, duke treguar sesi një tavolinë miqsh në Marsejë do të kthehej në një rastësi fatlume që do ta kthente atë nga një lexues të mirë të letërsisë në një shkrimtar që tashmë është i përkthyer në disa gjuhë.

“Secili shkrimtar ka mënyrën e tij për tu bërë shkrimtar. Unë kam studiuar për biologji, e nuk kam pasur ndonjë ëndërr për tu bërë shkrimtar. Ndodhi rastësisht. Brezi ynë ka lexuar e ndofta kjo ka qënë baza. Formimi i vërtetë me letërsinë për ne ka qënë leximi. Rastësisht, në një darkë po tregoja një histori, sesi bëheshin parrullat në kohën e diktaturës. Ishim me miq e secili po tregonte një ngjarje interesante nga jeta e tij.

Pyetja që lindi ishte të tregonim se kur kishim rënë në dashuri për herë të parë. E kështu nisa të tregoja për kohën kur isha mësues në fshat, ku çdo mësuesi i caktonin një parrullë me gurë, për ta mirëmbajtur. Të lodhur me këtë gjë askush nuk e vinte re përmbajtjen e parrullës por vetëm numrin e shkronjave nga çfarë varej mirëmbajtja.

Erdhi një mësuese e bukur e drejtori i dha asaj Lavdi PPSH-së që ishte parrulla më e shkurtër. Kjo tregonte qartë se ai ishte i dashuruar me të…E një botues i një reviste që ishte në atë darkë më kërkon ta shkruaj këtë histori… Tregimi u botua dhe unë u pagova, e kështu nisi rruga drejt shkrimit”, tregoi Aliçka. Subjektet në letërsinë e tij janë të lidhura fort me të shkuarën. Përveccse shkrimtar ai është dhe skenarist i disa filmave të sukseshëm të prodhuar vitet e fundit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button