Home / Opinion / Trumpi nuk e dinte që Lindja e Mesme është kaq e ndërlikuar

Trumpi nuk e dinte që Lindja e Mesme është kaq e ndërlikuar

Fareed ZAKARIA

Nëse administrata e Trumpit dëshiron stabilitet në Lindjen e Mesme, ajo duhet të ndihmojë për ndërmjetësimin e një ekuilibri të ri të fuqive.

Presidenti Trump u kthye nga udhëtimi i tij i parë jashtë vendit, i bindur se kishte bashkuar aleatët historikë arabë të Shteteve të Bashkuara, kish dhënë një goditje të fortë kundër terrorizmit dhe kishte qetësuar ujërat e një Lindjeje të Mesme të padisiplinuar.

Që atëherë kemi parë një seri sulmesh terroriste në Evropë dhe Lindjen e Mesme dhe një ndarje të hapur brenda botës arabe. Çfarë po ndodh?

Premisa e strategjisë së Trump ishte të mbështeste Arabinë Saudite, duke besuar se do të ishte në gjendje të luftonte terrorizmin dhe të stabilizonte rajonin. Në të vërtetë, Trumpi u dha një dritë jeshile Sauditëve, për të ndjekur politikën e tyre të jashtme, gjithnjë e më agresive e sektare.

Elementi i parë i asaj politike ka qenë përjashtimi i rivalit të saj të vjetër, Katarit, duke ndërprerë marrëdhëniet me atë vend dhe duke u bërë presion aleatëve të vet më të ngushtë, që të bënin të njëjtën gjë. Sauditët gjithmonë e kanë parë Katarin si një fqinj telashendjellës dhe janë të zemëruar nga përpjekjet e tij, për të luajtur një rol rajonal dhe global, duke pritur një bazë ushtarake të madhe amerikane, duke themeluar rrjetin televiziv Al Jazeera, duke planifikuar të organizojë Kupën Botërore të vitit 2022 si dhe duke “goditur” mbi peshën e vet diplomatike.

Është e vërtetë se Katari ka mbështetur disa lëvizje ekstremiste islamike. Po kështu ka bërë edhe Arabia Saudite. Të dy janë vendet vehabiste, të dy kanë brenda tyre predikues ekstremistë dhe të dy, besohet gjerësisht se kanë grupe të armatosura islamike që i mbështesin, në Siri dhe gjetkë. Në të dy rastet, familjet mbretërore luajnë një lojë duke bërë aleanca me forcat fetare fondamentaliste dhe financimin e disa militantëve, edhe ndërkohë që luftojnë kundër grupeve të tjera të dhunshme.

Me fjalë të tjera, dallimet e tyre janë në të vërtetë gjeopolitike, ndonëse shpesh maskohen si ideologjike.

Ndarja e hapur midis dy vendeve do të krijojë paqëndrueshmëri shumë më të madhe në rajon. Katari tani do të zhvendoset më pranë Iranit dhe Turqisë, duke lidhur aleanca më të thella me grupet anti-saudite, në të gjithë botën muslimane. Beteja midis fraksioneve të ndryshme të militantëve – në Siri, Irak, Jemen dhe Afrikëm e Veriut – do të përkeqësohej.

Sulmet terroriste në Teheran të mërkurën, për të cilat Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë, janë parë në Iran si pjesë e një fushate të frymëzuar nga sauditët, kundër Iranit. Ne duhet të presim që militantët e mbështetur nga Irani, do të përgjigjen në një farë mënyre. Kaq e pat edhe stabiliteti rajonal.

Dhe Shtetet e Bashkuara janë në mesin e gjithë kësaj, duke ruajtur marrëdhënie të ngushta me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që drejtonin operacionet ushtarake rajonale të SHBA, nga baza e vet në Katar.

Trump ka postuar në Tuiter kundër Katarit, por trupat amerikane do të duhet të jetojnë me realitetin, se Katari është mikpritësi i tyre dhe aleati i ngushtë ushtarak, në luftën kundër Shtetit Islamik.

Për një superfuqi si Shtetet e Bashkuara, politika më e mirë në Lindjen e Mesme ka qenë gjithmonë që të ruajë lidhjet me të gjithë aktorët rajonalë.

Një nga sukseset e mëdha të politikës së jashtme të Richard Nixonit dhe Henry Kissingerit, ishte se ata qenë në gjendje të joshnin Egjiptin në sferën amerikane, duke ruajtur njëkohësisht një aleancë me shahun e Iranit.

Për dekada të tëra, Uashingtoni ishte në gjendje të luante një lojë “bismarkiane”, duke kultivuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, në fakt edhe më të mira se marrëdhëniet që ata kishin me njëri-tjetrin.

Dy ngjarje sizmike ndryshuan peisazhin gjeopolitik të Lindjes së Mesme. I pari ishte Revolucioni iranian i vitit 1979, i cili shfaqi një fuqi radikale revizioniste në rajon dhe më pas nxiti një reagim nga vendet e tjera, përfshirë Arabinë Saudite.

Premtimi i Iranit për të përhapur versionin e vet të Islamit, i shtyu sauditët që të rrisin përpjekjet për të përhapur idetë dhe ndikimin e tyre. Rezultatet ishin helmuese për botën muslimane, duke radikalizuar komunitetet kudo.

Tërmeti tjetër ishte pushtimi i Irakut, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, gjë që destabilizoi ekuilibrin e fuqive.

Ambicjet e Iranit ishin mbajtur nën kontroll nga Iraku i Saddam Husseinit, i cili kishte luftuar një luftë të përgjakshme tetëvjeçare kundër tij.

Me Sadamin e ikur, influenca e Iranit filloi të përhapet në Irak, ku tani është ndikimi më i rëndësishëm i jashtëm ndaj qeverisë së Bagdadit. Aleanca e Iranit me Sirinë u bë jetike për mbijetesën e Presidentit Bashar al-Assad. Marrëdhëniet e tij me komunitetet shiite kudo, nga Jemeni në Bahrein, janë forcuar.

Nëse administrata e Trumpit dëshiron stabilitet në Lindjen e Mesme, ajo duhet të ndihmojë për ndërmjetësimin e një ekuilibri të ri të fuqive.

Kjo nuk mund të ndodhë thjesht sipas kushteve saudite. Irani është një lojtar i rëndësishëm në rajon, me ndikim të vërtetë dhe roli i tij duhet të njihet. Sa më gjatë që Uashingtoni të vonojë ta bëjë këtë, aq më shumë do të rritet paqëndrueshmëria. Kjo nuk do t’i bënte asnjë lëshim Teheranit.

Ndikimi i Iranit do të kundërshtohet nga Turqia, Arabia Saudite, Egjipti dhe të tjerët. Qëllimi do të ishte një Lindje e Mesme, në të cilën të gjitha fuqitë rajonale ndjeheshin të angazhuara sa duhet, për t’i dhënë fund luftërave të ndërsjella, kryengritjeve dhe terrorizmit, që vazhdojnë të shkaktojnë aq shumë vdekje, shkatërrim dhe mjerim njerëzor.

Kohët e fundit Trumpi zbuloi se kujdesi shëndetësor është gjë shumë e ndërlikuar. Mirësevjen në Lindjen e Mesme. / The Washington Post/

Leave a Reply

Your email address will not be published.