10 llojet e urisë dhe si t’i kontrolloni ato
Mësoni si t’i shpëtoni grackës së mendjes dhe dëshirës për të ngrënë ato që stomaku nuk ua kërkon. Që nga uria e syrit tek ajo e mendjes dhe stresi në punë, ja si t’i kontrolloni ndjesitë e ndryshme të urisë
Uria juaj mund t’ju duket mister. Disa ditë hani gjithçka keni në pjatë, ndërsa ditë të tjera mund ta keni stomakun bosh. Po, mund të jetë ngatërruese. Kjo për shkak se shumica e njerëzve e ngatërrojnë urinë (nevojën fizike për të ngrënë) me oreksin (dëshirën për të ngrënë). Ja si të mësoni dallimin mes llojeve të urisë nga mërzia te stresi.
Uria e vërtetë
Është një nga llojet më të rëndësishme të urisë, ju thotë se kur duhet të hani! Uria e vërtetë ju jep shenja të vërteta fizike nga rënia e sheqerit në gjak, një dhembje koke, energji të ulët ose stomak të zhurmshëm. Kjo lloj urie do t’ju bëjë të fshini çfarë t’ju dalë përpara, ndaj bëni mirë të mbani ushqime të parapërgatitura.
Uria nga televizori
Ju do të mendoni se çfarë do të shkonte më mirë me një program të preferuar sesa një produkt ushqimor që e pëlqeni shumë? Kjo dukuri ndodh pa e vënë re mirë dhe quhet amnezia e të ngrënit. Konsumuesit e shpërqendruar të ushqimit marrin më tepër kalori, ndaj duhet të bëni kujdes me urinë përpara se të shihni televizor. Një sugjerim është që teksa hani t’i mbani duart të zëna me të tjera gjëra.
Uria nga mërzia
Çfarë të bëj? Le të shkoj në frigorifer dhe të shoh ndonjë gjë. Ngrënia nga mërzia është diçka që të gjithë ne e bëjmë. Sugjerimi për këtë rast është të toleroni mërzinë në vend që të merreni me diçka që mund t’ju dëmtojë. Kthejeni mërzinë në kohë qetësimi. Nëse doni të qetësoheni, lexoni për mënyrat, vendet apo ushtrimet më të mira për këtë çështje, por rrini larg ushqimit!
Uria nga zemërimi
Nëse nuk jeni të njohur me termin është një kombinim i urisë dhe mërzisë. Kjo ndodh kur sheqeri në gjak bie ndjeshëm. Studimet kanë provuar se personat e martuar që kanë nivel më të ulët të sheqerit në gjak, kanë më tepër gjasa të sillen me agresivitet ndaj partnerëve. Kur jeni të uritur, bëni mirë të hani diçka për të mos u sjellë keq me të tjerët, por gjithashtu hani gjëra që nuk do t’ju shëndoshin.
Uria e pasdites
Pas disa orësh nga ngrënia e drekës, mund t’ju shkojë mendja në një ushqim të mirë dhe të shpejtë që mund të jetë gjithçka, që nga çokollatat, biskotat deri tek akulloret dhe të tjera. Gjëja më e mirë që mund të bëni është ta planifikoni atë. Krijoni një hapësirë të veçantë për të shuar urinë e asaj ore që të ruani format dhe të mos hani gjëra të çfarëdoshme.
Uria nga stresi
Ne jemi më pak përzgjedhës ndaj gjërave që hamë kur jemi të stresuar. Kështu mund të jeni duke ngrënë edhe produkte që e dini shumë mirë se ju dëmtojnë shëndetin. Për të ndaluar urinë nga stresi duhet të përqendroheni në përfitimet e ardhshme të shëndetit të ushqimeve që zgjidhni. Bëni zgjedhjet më të mira të mundshme edhe në kohën kur jeni të prirur të veproni pa e menduar gjatë. Gjeni mënyra për të pakësuar stresin. Sipas studimeve, ata që hanë shumë gjatë stresit hanë më pak në gjendje normale.
Uria para menstruacioneve
Mendimet tuaja për të ndjekur një dietë të balancuar prishen përgjithësisht përpara ardhjes së menstruacioneve. Kushtojini rëndësi urisë që ju ndodh gjatë kësaj periudhe dhe mos e kufizoni veten. Së shpejti simptomat do të zhduken dhe do ta gjeni përsëri të mesmen e artë.
Uria e mendjes
Nuk jeni të lodhur ose të uritur, por gjithsesi nuk e ndaloni veten nga marrja në dorë e një ushqimi. Pyesni veten se çfarë po ju ndodh? Kjo është ajo që quhet ndryshe uria e mendjes dhe ndodh kur përpiqeni të shtyni për më vonë një punë ose detyrë që ju është caktuar.
Uria e syrit
Ju mund të hyni në një dhomë dhe të merrni disa biskota vetëm për faktin se ato ishin aty dhe kishin tepruar. Çelësi për ta luftuar urinë e syrit është të merrni pak kohë përpara se ta bëni këtë veprim. Duhet të mendoheni që të merrni vendimin e duhur. Peshojeni mirë se çfarë pasoje do t’ju sjellë ushqimi i ngrënë pa shkak dhe do ta kuptoni se është një mënyrë e mirë për të shmangur një lloj të rrezikshëm ngrënieje.
Uria e festës
Ngrënia me miqtë dhe familjen në një darkë jashtë ose në një takim special është diçka e mirë. Nuk ka asgjë të gabuar me këtë lloj ngrënieje. Ushqimi ka një aftësi të mrekullueshme për të lidhur njerëzit me të tjerët. Mund të futeni në telashe vetëm nëse ngrënia e ushqimit është mënyra se si festoni një fitore. Krijoni një listë të ndryshme gjërash që bëni kur keni një gëzim!
*Burimi: Health.com