10 mln lekë gjobë për kuponin, qeveria ashpërson masat kundër evazionit
Ministria e Financave ka përgatitur një projektligj i cili gjobit me 10 milionë lekë, ose gati 100 mijë dollarë, bizneset që konstatohen se nuk lëshojnë kuponin tatimor.
Drafti, i cili u është shpërndarë për komente ministrive të linjës, ndryshon ligjin e procedurave tatimore duke ashpërsuar masat represive ndaj evazionit fiskal, ashtu siç ishte parlajmëruar më parë nga kryeministri.
Më konkretish, në nenin 14 të tij, projektligji thotë se për çdo biznes që është subjekt i tatimit mbi fitimin, pra kompanitë me xhiro më të mëdha se 8 milionë lekë në vit, gjoba për moslëshim kuponi do të jetë 10 milionë lekë, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë ajo do të jetë 500 mijë lekë.
Paralelisht, veç gjobës, bizneseve që nuk lëshojnë kupon do t’u sektuestrohen edhe të gjitha mallrat gjendje.
Këto masa ndëshkuese janë kur moslëshimi i kuponit konstatohet për herën e parë. Nëse kjo shkelje përsëritet, atëherë ajo do të konsiderohet si evazion dhe tatimpaguesi do të kallzohet në prokurori për ndjekje penale.
Të njëtat masa ndëshkuese, pra gjobë me 10 milionë lekë dhe sekuestrim të mallit, do të aplikohen edhe kur biznesi mban apo përdor kasa fiskale, të cilat nuk janë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligj.
Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave nuk ashpërson vetëm masat ndëshkuese për bizneset që nuk lëshojnë kupon dhe s’kanë kasa të rregullta. Paralelisht, ai i jep të drejta shtesë administratës tatimore që të përdorë forcën në mbledhjen e detyrimeve për bizneset, të cilat nuk e kanë shlyer atë në kohë.
Sipas draftit, Tatimet vishen me fuqinë për të monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar.
Drafti i ri për procedurat tatimore në formën paraprake është ai me masat më të ashpra që instalohen ndonjëherë në luftën kundër informalitetit.
Qeveria kishte lajmëruar më parë se veç aksionit në terren do të rëndonte masat ndëshkuese, çka duket se është materializuar në ligjin e ri të procedurave, karakteri represiv i të cilit pritet të hapë debate të forta jo vetëm politike.
Nuk behet i forte shteti i “te forteve”….