Politika
105-vjetori i Policisë së Shtetit, Rama: Sukses në 4 vjet, por ka edhe policë të lidhur me krimin
Për kryeministrin Edi Rama, 105-vjetori i Policisë së Shtetit e ka gjetur këtë organizatë të rilindur dhe institucionin me besueshmëri më të lartë të publikut.
Sipas tij, shifrat tregojnë se policia e sotme është shumë më ndryshe nga ajo në kaos dhe braktisje që ishte në vitin 2013: “Në vitin 2017, Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë kanabis. Janë shifrat më të ulta të vrasjeve, më të ulta edhe të një vendi të BE-së që flet shumë për krimin në Shqipëri”.
Por, nga ana tjetër, këto shifra për kryeministrin nuk tregojnë se policia është perfekte: “Këto të dhëna nuk tregojnë se nuk ka drejtues policie të lidhur me kriminelë”.
Prandaj, vetting-u që pritet të realizohet këtë vit në polici, do të synojë pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit: “Ky proces do të largojë të gjithë personat e inkriminuar në radhët e policisë si dhe të gjithë ata që nuk justifikojnë pasuritë e tyre”.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Lezhë, Presidenti i Republikës i akordoi pas vdekjes Medaljen e Artë të Shqiponjës ish-zëvendësministrit të Brendshëm dhe ish-drejtuesit të lartë të policisë, Sokol Barajt, si edhe FNSH-së së Shkodrës.