13 librat që nuk duhen humbur
Rexhep Qosja/ Librat që do të zgjidhte në Bibliotekën e madhe të Botës/ Nga “Lulet e verës” së Naim Frashërit, tek Asdreni, Gjergj Fishta e deri te klasikët e letërsisë botërore si Dante Aligeri, Sofokliu apo Shekspir…
Çdo njeri është i dhënë pas diçkaje dhe sa më e rëndësishme të jetë ajo “diçka”, sa më e madhe, aq më e çmuar është jeta e njeriut. Në Prishtinën e pas viteve ‘60, Rexhep Qosja, një i ri i ardhur nga Kelmendi, kishte zbuluar atë ndjesinë e pakrahasueshme që të japin librat. As ëndërrimet më të mëdha nuk mund të krahasoheshin me atë çfarë të ofronte leximi i një libri. Kur në vitet ‘70 la Prishtinën për të vijuar studimet në kryeqendrën e ish-Jugosllavisë, Beogradin, ai rrëmonte libraritë në çdo skutë të qytetit për të blerë libra. Biblioteka e madhe e Universitetit të Letërsisë në Beograd nga ku kanë dalë një kastë e tërë intelektualësh kosovarë, që do të orientonin me idetë dhe projektin e tyre atë çfarë sot Kosova jeton, pavarësinë e saj, do të ishte për Qosen një parajsë e vogël, nga ku nuk donte të dilte.
Librat do të mbrehnin dalëngadalë kritikun brenda tij, dhe do të krijonin letrarin modern, të një vendi me të cilin kishte gabuar historia. Që në fillimet e tij, teksa fliste për rolin e kritikës, ai do të shprehej se “realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm”. E këtë romantizëm, Qose do ta kishte për atdheun. Që nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e gjithë korpusi i veprave të tij kanë brenda fatin e intelektualit. Nuk mund të kishte një kah tjetër gjithë letërsia e studimi i tij, teksa rritej bashkë me ato çfarë jetonte Kosova. Duket sikur atdheu është letërsia e Qoses. Një atdhe gjithnjë i shqetësuar dhe pse autori do ta shohë si romantik në trishtimin e tij. Por cilët kanë qenë librat që tronditën botën e Qoses, ata që i dhanë një kah tjetër jetës së tij? Cilët janë për të librat që nuk duhen humbur pa lexuar në Bibliotekën e madhe të Botës? “Psalme murgu”, vëllimi poetik që Asdreni e shkroi më 1930, ku ndiheshin tonet pesimiste pas revolucionit të qershorit, është një libër i dashur për Qosen, që nuk do të donte ta humbte. Rexhep Qose është një nga njohësit më të mirë të letërsisë së Asdrenit. Me jetën dhe veprën e tij ai mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” në vitin 1971. Vargjet tek “Psalme murgu” janë të trishta , ashtu si koha në të cilën janë shkruar. Për një shkrimtar që beson te tragjizmi i fatit, “Edipi Mbret” i Sofokliut është një vepër e cila nuk ka si t’i mungojë librave që s’duhen humbur. Fati i Edipit i cili dashuroi të ëmën dhe u martua me të, është ironia e madhe e jetës, e cila vijon që t’i flasë ende shekullit XXI, si të ishte shekulli V kur Sofokliu e krijoi. E duke u ndalur te klasikët, Dante Aligeri është një tjetër autor ku Qose do të ndalet. “Komedia Hyjnore”, ku në një udhëtim imagjinar që zgjat vetëm tri ditë mund të takosh tre botë, parajsën, ferrin dhe purgatorin është ndoshta një nga librat që i flet moralit njerëzor. Është vështirë të ritregohet me disa fjalë subjekti i tërësishëm i Komedisë, në fakt, temat janë të ndryshme dhe ndërrojnë shumë herë. Elementet bashkuese janë prania e përhershme dhe e qëndrueshme e disa protagonistëve dhe tema e udhëtimit, i cili mund të shihet po ashtu si një ndryshim moral e fetar i personazheve. Protagonistët e këtij udhëtimi janë tre: I pari është Dantja, simbol i shpirtit njerëzor, i dyti është Virgjili, simbol i arsyes njerëzore, udhëheqës i tij nëpër Ferr dhe Purgator, e treta është Beatriçja simbol i dashurisë hyjnore, e cila e udhëheq Danten nëpër rrugët e ngritjes shpirtërore, rrugë e cila përfundon në Parajsë. Dantja vepron si profet, që flet në interes të Zotit për gjithë njerëzinë. Udhëtimi i tij është një alegori për përparimin njerëzor në tokë dhe i përparimit të tij drejt Zotit (Zot në këtë rast nënkupton përsosmërinë drejt së cilës njeriu synon gjithë jetën). Aligeri e kërkon shpërthimin te Perëndia dhe te besimi i thellë në forcën krijuese të mendjes njerëzore. Poeti këtu paraqitet si një kritikues i pamëshirshëm, i zjarrtë dhe i pasionuar që sulet kundër veseve, për të luftuar të keqen, për të vendosur mbi tokë një jetë më të drejtë e më të lumtur.
E duket se klasikët janë një prehje e bukur për Qosen. Shekspiri, ai që e bëri të pavdekshme jo vetëm letërsinë angleze, është një tjetër autor që ai do ta rrëmbente nga libraria e madhe e botës, për ta vendosur në një cep me librat e zgjedhur të tij. Mes komedive dhe tragjedive të tij, ai do të zgjidhte Hamletin, si një mënyrë për të ndier madhështinë e tragjizmit. E në kohët kur shpirti duket sikur i është shitur djallit, Fausti i Gëtes do të ishte një libër si një pasqyrë për të kuptuar botën. Fausti ka lënë gjurmë tek Qose si beteja e vështirë mes njeriut dhe djallit, ku dalin në pah dobësitë dhe kurthet njerëzore. Dëshirat e pafundme të Faustit janë dëshira që gjithnjë na çojnë në kufirin e lehtë që na ndan nga gabimet.
Fausti është një rrëfim jo vetëm për njeriun e djeshëm por edhe për atë të sotëm. “Vëllezërit Karamazov” i Dostojevskit është një tjetër libër që Qose e veçon.
Libri ku copëtohen idetë mekanike të botës së brendshme të njeriut dhe kufijve, të cilin Qose nuk resht së rilexuari. “Kur shoh pas të kaluarën dhe mendoj se sa kohë humba me kotësira, e me gabime; se si e humba kohën time, pa ditur si të jetoj, e pa mundur ta çmoj kohën; kur mendoj se mëkatova ndaj vetes sime dhe shpirtit tim, atëherë zemra ime rënkon. Jeta, vëllai im, është një dhuratë, jeta është lumturi. Çdo minutë duhet të jetë një shekull lumturie. Tani, duke ndërruar mënyrën e jetesës, rilindem në një njeri të ri”, do t’i shkruante Dostojevski të vëllait, pasi e falën nga dënimi me vdekje. Një hap për t’u larguar nga vetmia, është të hapësh një libër të Dostojevskit. “Lulet e së keqes” shkruar nga Bodler, është një tjetër vëllim poetik të cilën Qose e veçon, si një manual për të mësuar të bashkëjetosh me të keqen. E keqja mund të mundet nëse ti jeton me të. Bodler mendonte se detyra e tij ishte të nxirrte të bukurën nga e keqja dhe këtë e dëshmon me këtë vepër. “Kujtimet nga ana tjetër e varrit” e Shatobrianit është një tjetër libër i vyer për Qosen. “Uliksi”, libri që i dha jetë prozës moderne, nuk ka si të mungojë në bibliotekën e një kritiku të mirë të letërsisë. Me këtë libër Xhojsi ndryshoi konceptin mbi romanin, dhe konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX. Pak libra kanë arritur të depërtojnë në mënyrë kaq intime në thellësi të ndërgjegjes dhe kaosit të jetës moderne. Uliksi vërteton faktin se jeta e zakonshme shfaq një domethënie epike nëpërmjet fuqisë dhe gjenisë së një romancieri i cili i çkyq të fshehtat e tij dhe gjurmon modelet universale. “Zoti, jeta dhe vepra”, një libër i thellë psikologjik i Zhak D’Ormeson, është një tjetër libër që Qose e merr nga moria e pafund e librave të botuar ndër shekuj.
Udhëtimin e tij në letërsinë e huaj, Qose e mbyll me nobelistin Gabriel Garia Markez, i cili u nda nga jeta vetëm pak muaj më parë. “Njëqind vjet vetmi” nuk është vetëm ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë, por një histori ku mund ta gjejë veten çdo njeri, dhe çdo vend. Realizmi magjik i Markezit ishte i bukur, pasi ishte real. Ashtu si Servantes, apo Dante Aligeri, apo librat e tragjedive greke, letërsia krijonte një frymëmarrje të lehtë që përhapej kudo tek ty, pikërisht se kishte lindur prej jetës. E teksa ka përfunduar udhëtimin në bibliotekën e botës, Qose kthehet sërish në Bibliotekën shqiptare për të marrë prej saj dy libra që nuk do kurrsesi t’i mungojnë librave që s’duhen humbur. Ato janë “Lulet e verës” së Naim Frashërit dhe “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës.
Librat që zgjedh Rexhep Qose
– “Lulet e verës” Naim Frashëri
– “Psalme Murgu”, Asdreni
– “Lahuta e Malcis”, Gjergj Fishta
– “Edipi Mbret”, Sofokliu
-“ Komedia Hyjnore”, Dante Aligeri
– “Hamleti”, Shekspir
– “Fausti”, Gëte
– “Vëllezërit Karamazov”, Dostojevski
– “Kujtimet nga ana tjetër e varrit”, Shatobriani
– “Lulet e së keqes”, Bodler
– “Uliksi”, Xhejms Xhojs
– “Zoti jeta dhe vepra”, Zhan D’Ormeson
– “Njëqind vjet vetmi”, Gabriel Garsia Markez