Bota

Ekipi i Bidenit raportohet se ka gjetur dokumente të tjera të klasifikuara

Ekipi ligjor i presidentit amerikan, Joe Biden, ka zbuluar dokumente shtesë, që janë të shënjuara si të klasifikuara. Dokumentet janë gjetur në një lokacion tjetër, tha një person për Associated Press, e cili ka njohuri me këtë çështje. Edhe mediat e tjera amerikane, përmes burimeve, kanë raportuar se janë gjetur dokumente shtesë. Njoftimi për gjetjen e dokumenteve të reja vjen disa ditë pasi avokatët e presidentit Biden zbuluan “një numër të vogël” të dokumenteve të klasifikuara në ish-zyrën e tij në Uashington. Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë po shqyrtonte “një numër të vogël të dokumenteve të shënjuara si të klasifikuara” që ishin gjetur në zyrën të cilën më herët kishte përdorur Biden.

Avokatët thanë se ato dokumente u gjetën në zyrën e Qendrës Penn Biden dhe menjëherë njoftuan Arkivat Kombëtare lidhur me zbulimin, tha Shtëpia e Bardhë. Biden e kishte përdorur këtë zyre pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017 dhe kishte qëndruar aty deri në momentin që kishte nisur fushatën presidenciale më 2019. Një person që foli për AP-në të enjten, tha se ekipi ligjor i presidentit gjeti materiale shtesë të klasifikuara në një lokacion të dytë. Ky person nuk ishte i autorizuar që të fliste publikisht për detajet e kësaj çështjeje të ndjeshme, prandaj ai foli në kushte anonimiteti. Ky burim nuk dha detaje se ku dhe kur u gjetën materialet, apo për nivelin e klasifikimit që kishin këto dokumente.

Zbulimi i dokumenteve shtesë, që u bë nga avokatët e Bidenit, erdhi disa orë pasi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, iu shmang pyetjeve lidhur me mënyrën se si Biden kishte vepruar me informacionet e klasifikuara dhe për veprimet e Shtëpisë së Bardhë pas zbulimit të dokumenteve. Ajo tha se Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar që ta trajtojë këtë çështje “në mënyrën e duhur”, duke theksuar se avokatët personalë të Bidenit menjëherë kishin njoftuar Arkivat Kombëtare për këtë çështje.

Por, Jean-Pierre refuzoi të tregonte nëse Biden personalisht është njoftuar për këtë çështje, nëse ka edhe dokumente të tjera të klasifikuara që potencialisht mund të gjenden në një lokacion tjetër dhe pse Shtëpia e Bardhë priti më shumë se dy muaj për të treguar se dokumentet e para ishin gjetur.

Dokumentet e para të klasifikuara u gjetën në Qendrën Penn Biden më 2 nëntor, disa ditë para se SHBA-ja të mbante zgjedhjet e mesmandatit.

“Siç kanë thënë kolegët e mi dje, ky është një proces që po vazhdon dhe është duke u shqyrtuar nga Departamenti i Drejtësisë. Prandaj, unë jam e kufizuar se çfarë mund të them për këtë çështje”, tha Jean-Pierre.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk pranuan të komentonin lidhur me raportimet se janë gjetur dokumente shtesë. Për gjetjen e dokumenteve të reja fillimisht raportoi NBC News.

Departamenti i Drejtësisë po shqyrton të dhënat që u gjetën në Qendrën Penn Biden, dhe prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, ka kërkuar nga John Lausch që ta trajtojë këtë çështje.

Lausch është një prej të emëruarve të paktë që ende janë në sistemin e drejtësisë, që nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Zbulimet se Biden ka të ngjarë të mos ketë vepruar si duhet sa i përket dokumenteve sekrete, mund të shndërrohet në një kokëçarje politike për të. Biden e kishte quajtur vendimin e Trumpit, për të mbajtur qindra dokumente sekrete në shtëpinë e tij në Florida, si vendim “të papërgjegjshëm”.

Megjithatë, ka dallim ndërmjet Trumpit dhe Bidenit, sa i përket dokumenteve të klasifikuara. Zyrtarët shtetërorë kishin kërkuar që Trumpi t’i kthente dokumentet dhe kishin lëshuar edhe urdhra ligjorë për këtë çështje. Më pas, avokatët e Trumpit dorëzuan 38 dokumente të klasifikuara, por FBI-ja gjeti mbi 100 dokumente të klasifikuara që nuk u ishin dorëzuar autoriteteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button