25 vite pas rrëzimit të bustit të diktatorit, PD organizon 3 ditë aktivitete të ndryshme
25 vite pas rrëzimit të bustit të dikatorit Hoxha, pas sakrificës së jashtzakonshme të studentëve, qytetarëve të Tiranës dhe mbarë vendit, sakrificë që solli lirinë e një kombi të izoluar e shtypur, Partia Demokratike do të organizojë disa aktivitete për të përkujtuar dhe evokuar mesazhet e ngjarjeve historike të shkurtit 1991.
Përgjatë 3 ditëve, me iniciativën e Partia Demokratike dhe Fondacionit për Liri dhe Demokraci do të organizohen takime me protagonistët, ekspozita dhe diskutime për të sjellë në vëmendje këtë datë të çmuar për historinë moderne të shqiptarëve, por që mesazhi i saj mbetet aktual dhe me vlerë për të rinjtë e sotëm dhe gjithë qytetarët.
Më 17 shkurt, në sallën Liria të kinoklubit në Qytet Studenti do të organizohet një aktivitet për 25 Vjetorin e Grevës së Urisë së studentëve të Universitetit të Tiranës. Disa prej protagonistëve të grevës, ish-studentë, do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në lidhje me eskperiencën e tyre të atyre ditëve të vështira.
Me 19 Shkurt, Fondacioni për Liri dhe Demokraci në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel, do të nxisë diskutime të zgjedhura nga intelektualë e protagonist të kohës, mbi rëndësinë e 20 Shkurtit.
Të rinjtë e sotëm do të përfshihen përmes konkursit të eseve, “Vendim im, angazhohem”.
Ky aktivitet quhet “Politika simbolike: Një dialog për qytetarin dhe demokracinë”, me pjesmarrës, emra të spikatur të debatit publik, si Artan Fuga, Agron Gjekmarkaj, Edmond Tupe, Flutura Açka, Fitim Zekthi, Alfred Lela.
Do të ketë tre panele me temat; 1-Dekomunistizimi dhe 20 shkurti 1991, një qasje kritike; 2-Komunikimi politik sot ose kufiri mes simbolikës dhe propagandës në politikë; 3-Instrumentet në shërbim të simbolikes: Kush, kur, sa.
Me 20 Shkurt që përkon me 25 Vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha do të organizohet një ekspozitë në Muzeun Historik ku do të shfaqet një instalacion që do të qëndrojë hapur për disa ditë, dhe po ashtu do të mbahen edhe fjalë, diskutime, debate dhe dëshmi për këtë ngjarje kulmore në rrugën e Shqipërisë drejt lirisë, drejt Europës.
Aktivitetet do të jenë të hapura për çdo qytetar.