28 apo 29 Nëntor? Prova gjermane, dokumentat e arkivave më 29 Nëntor
Kur iku gjermani i fundit nga Shkodra më 28 apo 29 nëntor? A kërkoi Enver Hoxha të na bashkonte festën me jugosllavët, apo gjithçka ishte një lojë e fatit dhe rrethanave?
Top Story i kësaj të mërkure e zbriti këtë debat në arenën e profesionistëve të fushës me të ftuar dy historianët, Marenglen Kasmi dhe Valentina Duka.
Për herë të parë në Top Story, historiani Marenglen Kasmi publikoi një dokument të ushtrisë gjermane, nxjerrë nga arkivat dhe firmosur në 30 nëntor të vitit 1944, i cili sqaron përfundimisht nga pikëpamja historike “mollën e sherrit” prej çerek shekulli mes politikanëve dhe historianëve.
“Kam një raportim ditor me telegram të Komandës të Grupimit të Forcave Tokësore E, që përfshinin forcat në Ballkan dhe kam vëzhguar raportimet nga data 22 deri në datën 30. Është raportimi i datës 29, i pasdites ku thuhet që Shkodra, tashmë është lëshuar. Është një raportim shtesë, ku thuhet se Shkodra është lëshuar pa presion nga kundërshtari”, deklaroi Kasmi.
Valentina Duka thotë se ajo personalisht mendon se zgjedhja e datës së Çlirimit të Tiranës do ta shmangte këtë debat.
“Personalisht mendoj që dita e Çlirimit duhet të ishte si në të gjitha vendet e asaj kohe që patëm një ditë çlirimi kombëtare, që iu referuan ose çlirimit të kryeqytetit, që mund të ishte 17 nëntori dhe nuk ka asnjë dilemë. Në ditën kur u vendos data e Çlirimit, Këshilli Nacional-Çlirimtar më 1945 i është referuar edhe datës 22 tetor, që ishte data e Çlirimit të Beogradit”, u shpreh historiania dhe deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka.
Por Kasmi thotë se as kjo nuk do ta shteronte debatin, ndërsa Duka deklaron se nuk e mbështet tezën e kolegëve të saj për vendosjen e datës 29 nga Enver Hoxha për t’i shërbyer Jugosllavisë.
“Nuk mbështes tezën e kolegëve që thonë se mbledhja e këshillit e lëvizi datën për t’i shërbyer Jugosllavisë. Nëse Enver Hoxha do ta kishte bërë këtë sipas kësaj teze, në 1948 (kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë) do ta kishte hequr këtë datë”, deklaroi ajo.