35-vjetori i themelimit të PS-së në Korçë/Rama: E vetmja forcë politike që e integron vendin në BE
Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste të Korçës, kryeministri Edi Rama deklaroi se partia politike që ai drejton e vetmja forcë politike në gjendje të çojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar këtë si amanetin kombëtar dhe borxhin ndaj brezave të ardhshëm.
“Unë ju premtoj që nuk do t’ju mbaj me një fjalim të gjatë nën shi. Por dua vetëm që ta kthej tek 26 maji i para pak ditëve, kur Partia Socialiste e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart në rrugën drejt majës që faktikisht është amaneti që kemi nga të parët tanë, është edhe borxhi që kemi ndaj fëmijëve tanë”, tha Rama.
Ai vazhdoi duke theksuar se kjo “majë” është anëtarësimi në Bashkimin Evropian:“Maja ku gjendet shtëpia e Europës së Bashkuar dhe ku, pa asnjë diskutim, ne do të vendosim me se s’bën flamurin kuq e zi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit.”
Gjithashtu, kryeministri nënvizoi rolin unik të PS-së gjatë 35 viteve.
“Partia Socialiste është partia e cila në këto 35 vjet ka dëshmuar se është e vetmja forcë politike që është në gjendje të ketë një marrëdhënie të drejtë me interesin kombëtar. E vetmja forcë politike që është në gjendje të ketë një marrëdhënie të drejtë me të shkuarën, është e vetmja forcë politike që është në gjendje të ketë një marrëdhënie të drejtë edhe me botën”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh krenar për ndryshimin që ka sjellë qeverisja e tij:“ Dhe është krenaria jonë që pas një periudhe të gjatë vështirësish dhe denigrimi, ja kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo ku ndodhet në botë dhe i kemi dhënë Shqipërisë emrit të saj një tingëllim krejt tjetër nga ai që kishte deri jo shumë vite më parë.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, ai shtoi se “mbi të gjitha, është krenaria jonë që sot Shqipëria ndodhet në një fazë tjetër pasi kemi mbyllur fazën e çeljes së të gjithë kapitujve për negociatat. Tani kemi hapur fazën e mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave.”
Rama përfundoi me një mesazh optimist për festën e 35-vjetorit:“Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Le të bjerë mbi këtë festë të 35-vjetorit të Partisë Socialiste edhe këtu në Korçë, duke paralajmëruar një fitore të jashtëzakonshme si ajo që ne do të realizojmë të gjithë së bashku në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.