“3D” në RTSH, avokatja Kalaja: Kandidaturat për kreun e PD-së duhet të kenë kontribut dhe standarde
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “3 D nga Alban Dudushi” në RTSH, avokatja Adriana Kalaja komentoi procesin e garës brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një procedurë të natyrshme dhe të bazuar në rregullat e brendshme të partisë.
Sipas saj, çdo figurë kryesore e PD-së ka pasur mundësinë të bëhet pjesë e garës, pa i’u mohuar e drejta për kandidim. Megjithatë, Kalaja theksoi se kjo nuk do të thotë që gara duhet të jetë formale apo e hapur për këdo pa kriter, vetëm për të krijuar perceptime publike.
Ajo nënvizoi se Partia Demokratike organizon zgjedhjet mbi bazën e statutit, rregulloreve dhe kodit etik, duke shtuar se nuk mund të lejohet që në garë të përfshihen individë që nuk përmbushin standardet e kërkuara.
“Është një proces i natyrshëm, statutor dhe pavarësisht se çfarë është përdorur dhe është përfolur gjithë këtë periudhë, mendoj që secili nga figurat kryesore të PD-së ka pasur mundësinë për të qenë pjesë e garës dhe askujt nuk i është mohuar e drejta për të garuar por nga ana tjetër PD si një forcë politike e cila i organizon zgjedhjet mbi bazën e statutit, mbi bazën e rregulloreve të brendshme dhe mbi të gjitha mbi bazën e kodit etik nuk mund të bëjë një garë për të joshur pritshmëritë e publikut apo të pushtetit për të bërë një garë fake por nga ana tjetër nuk mund ti hapet rrugë çdo lloj deliranti që mund të thotë se mund të jetë pjesë e PD dhe nga ana tjetër me kodin e etikës nuk plotëson kushtet për të qenë kandidat për kryetar”, u shpreh Kalaja.
Kalaja ngriti gjithashtu shqetësimin për individë që, sipas saj, nuk kanë qenë pjesë e partisë dhe nuk kanë dhënë kontribut, por megjithatë kërkojnë të kandidojnë për poste drejtuese. Ajo shtoi se përballja për drejtimin e PD-së kërkon kritere të forta, sidomos kur bëhet fjalë për kandidim përballë një figure si Sali Berisha, për të cilin ajo theksoi kontributin e gjatë politik.
“Ato që duan të bëhen pjesë e garës kur nuk kanë dhënë asnjë kontribut për PD dhe që nuk janë anëtar të PD-së. Nëse do të kandidosh për kryetar te PD-së mendoj se duhet të ketë disa kritere dhe aq më shumë që të kandidosh përballë Sali Berishës për gjithë figurën politike që ka dhënë në 35 vite patjetër që duhet të ketë disa kritere. Unë kam dëgjuar emra të cilët nuk janë pjesë e PD-së”, tha avokatja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.