Bozhinovska nga Zagrebi: interkonektori i gazit me Greqinë gati në mesin e vitit 2027, ai me Serbinë në vitin 2028
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë sot në takimin ministror të Nismës për Ndërlidhje Energjetike të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) në Zagreb, ku, siç njofton Biznis Vesti, ministrat e rajonit dhe përfaqësuesit e institucioneve evropiane biseduan për sigurinë energjetike, ndërlidhjen rajonale dhe të ardhmen e tregut evropian të energjisë.
“Siguria energjetike dhe diversifikimi nuk janë më vetëm opsione strategjike, por domosdoshmëri. Ndërlidhja rajonale dhe investimet e përbashkëta janë çelësi për furnizim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese dhe siguri energjetike afatgjatë”, porositi Bozhinovska. Ajo theksoi përparimin konkret të Maqedonisë së Veriut në projektet strategjike energjetike: pjesa maqedonase e interkonektorit të gazit me Greqinë pritet të përfundojë në mesin e vitit 2027, ndërsa interkonektori me Serbinë është planifikuar për vitin 2028.
Sipas ministres, me përfshirjen e të dy projekteve në nismën “Korridori Vertikal i Gazit”, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e rëndësishme e infrastrukturës rajonale për diversifikimin e furnizimit dhe ndërlidhjen e tregjeve energjetike. Bozhinovska nënvizoi se ndërlidhja infrastrukturore duhet të shoqërohet me reforma të tregut dhe harmonizim me rregullat evropiane, përfshirë sistem evropian për ndarjen e kapaciteteve dhe balancim, si dhe operator të pavarur të tregut të gazit.
Vëmendje e veçantë në takim iu kushtua hidrogjenit si energjent i së ardhmes. Siç njofton Biznis Vesti, ministrja tregoi se interkonektorët e rinj të gazit po zhvillohen me vizion afatgjatë për mundësinë e transportit të hidrogjenit, dhe se Maqedonia e Veriut këtë vit e përfundoi Studimin Kombëtar për Hidrogjenin, me çka krijohen parakushte për infrastrukturë hidrogjenore dhe përfshirje të ardhshme në korridoret evropiane të hidrogjenit.
Në vazhdim të takimit u bisedua edhe për sfidat klimatike dhe nevojën për qëndrueshmëri më të madhe të infrastrukturës energjetike ndaj kushteve ekstreme të motit. “Qëndrueshmëria klimatike duhet të bëhet shtylla e tretë e sigurisë energjetike, përkrah sigurisë së furnizimit dhe diversifikimit”, theksoi Bozhinovska, duke shtuar se vendi vazhdon me investime konkrete, reforma dhe partneritete rajonale për energji të sigurt e të përballueshme për qytetarët dhe ekonominë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.